Herën e fundit që Donald Trump dha fjalimin drejtuar kombit “State of the Union”, skena u shënua nga kryetarja demokrate e Kongresit, Nancy Pelosi, që grisi fjalimin e tij në fund. Gjashtë vite më vonë, me republikanin Mike Johnson në krye të kësaj dhome, një gjest i tillë nuk pritet. Por gjendja reale e kombit është më e debatueshme se kurrë, ndërsa sondazhet tregojnë më shumë mosmiratim sesa mbështetje për Trump, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit.
Çfarë do të thotë Trump? Si do të justifikohet për problemet qeverisëse? The Guardian liston disa pika.
Ekonomia
Rritja ekonomike në fund të 2025 u ngadalësua në 1.4%, më pak se parashikimet. Edhe pse janë shtuar vende pune dhe konsumi mbetet i fortë, ekonomia nuk i ngjan “epokës së artë” të premtuar nga Trump. Shumë votues shprehin pakënaqësi për koston e jetesës, pavarësisht papunësisë dhe inflacionit relativisht të ulët.
Tarifat
Politika e tarifave, marka ekonomike e Trump, u godit nga Gjykata Supreme, e cila vendosi se ai kishte tejkaluar kompetencat. Vendimi krijoi pasiguri për strategjinë e tij për ringjalljen e industrisë amerikane. Ndërkohë, shumica e votuesve besojnë se tarifat rrisin çmimet. Trump reagoi ashpër dhe paralajmëroi tarifa të reja nën një bazë tjetër ligjore.
Emigracioni
Agjenda e ashpër kundër emigracionit po përballet me reagim publik pas operacioneve agresive të agjentëve federalë në Minneapolis. Vrasja e dy qytetarëve amerikanë gjatë protestave dhe raste të tjera të diskutueshme kanë rritur pakënaqësinë. Gati gjysma e votuesve mendojnë se Trump “e ka tepruar”, megjithëse emigracioni mbetet një nga temat qendrore të tij.
Politika e jashtme
Premtimi për t’i dhënë fund “luftërave të pafundme” duket i lëkundur, ndërsa SHBA përgatitet për goditje të reja ndaj Iranit. Trump po shqyrton edhe skenarë për ndryshim regjimi. Ai ka krijuar gjithashtu “Bordin e Paqes”, të prezantuar si alternativë ndaj OKB-së, por aleatët europianë nuk janë bashkuar.
Ligji dhe rendi
Nën drejtimin e Prokurores së Përgjithshme Pam Bondi, Departamenti i Drejtësisë është akuzuar për përdorim politik. Janë hapur hetime ndaj figurave si James Comey dhe Letitia James, por disa çështje janë rrëzuar nga gjykatat. Publikimi i dosjeve Jeffrey Epstein mbetet i pjesshëm dhe me shumë redaktime.
Krimi
Trump pretendon se ka ulur krimin në nivele historike. Megjithatë, statistikat tregojnë se rënia e vrasjeve kishte nisur para rikthimit të tij në pushtet. Norma e vrasjeve pritet të bjerë në nivelin më të ulët të regjistruar në 2025, por kjo vijon një trend rënës që nisi gjatë administratës Biden.
Shëndetësia
Rritja e kostove të kujdesit shëndetësor dhe frika për shkurtime në Medicaid dhe Obamacare kanë shtuar shqetësimet. Mbi gjysma e amerikanëve druajnë se nuk do të përballojnë shërbimet bazë këtë vit. Ndërkohë, axhenda “Make America Healthy Again” e Robert F. Kennedy Jr. ka hasur reagime për dobësim të politikave të vaksinimit dhe kërkimit shkencor.
Në përfundim, ndërsa Trump vazhdon të paraqitet si reformator dhe garant i forcës amerikane, realiteti politik dhe ekonomik mbetet thellësisht i polarizuar.
Përgatiti në shqip ©LAPSI.AL















