Ballina Bota Identifikohen agjentët e ICE që qëlluan duke shkaktuar vdekjen e Alex Pretti...

Identifikohen agjentët e ICE që qëlluan duke shkaktuar vdekjen e Alex Pretti në Minneapolis

Agjentët e emigracionit që qëlluan duke shkaktuar vdekjen e Alex Pretti në Minneapolis më 24 janar, duke ndezur sërish protesta masive në mbarë vendin, janë identifikuar si Jesús Ochoa, nga Patrulla Kufitare (USBP), dhe Raymundo Gutiérrez, nga Zyra e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare (CBP), sipas medias ProPública.

Sipas këtij mediumi, regjistrat qeveritarë tregojnë se Ochoa, 43 vjeç, dhe Gutiérrez, 35 vjeç, ishin ata që qëlluan ndaj Prettit. Infermieri 37-vjeçar është personi i dytë që vdes nga duart e agjentëve federalë gjatë operacioneve në Minneapolis (Minnesota), pas Renee Good, e cila humbi jetën më 7 janar.

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara njoftoi këtë të premte hapjen e një hetimi për shkelje të mundshme të të drejtave civile të Alex Pretti, njeriu që vdiq nga të shtënat e agjentëve të emigracionit javën e kaluar në Minneapolis.

“Një hetim do të thotë të flasësh me dëshmitarë, të shqyrtosh prova dokumentare, të lësh thirrje zyrtare nëse është e nevojshme, dhe Divizioni i të Drejtave Civile i Departamentit të Drejtësisë ka ekspertët më të mirë në botë në këtë fushë”, tha në një konferencë shtypi zëvendës-prokurori i përgjithshëm, Todd Blanche.

“Prandaj, shpresoj që ky hetim të ecë përpara duke marrë parasysh këta parametra”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e cilësoi këtë të premte infermierin Alex Pretti si agitator dhe “ndoshta insurgjent”. Pretti vdiq më 24 janar nga të shtënat e një agjenti të emigracionit në Minesota, në një moment kur ndodhej i gjunjëzuar në tokë dhe i neutralizuar nga disa anëtarë të forcave të sigurisë.

“Agjitatori dhe, ndoshta, insurgjenti Alex Pretti ka humbur shumë nga besueshmëria pas videos së publikuar së fundmi”, shkroi presidenti amerikan në rrjetin e tij Truth Social, në reagim ndaj një videoje të shpërndarë së fundmi që tregon një përplasje të infermierit me një grup uniformash, e regjistruar njëmbëdhjetë ditë para vdekjes së tij.