Ballina Bota Merz këmbëngul për pavarësi më të madhe të BE-së nga SHBA-ja

Merz këmbëngul për pavarësi më të madhe të BE-së nga SHBA-ja

Kancelari gjerman Friedrich Merz (CDU) u shpreh në favor të një pavarësie më të madhe të Bashkimit Evropian ndaj Shteteve të Bashkuara. “Duhet të bëhemi më sovranë dhe më të pavarur, veçanërisht edhe teknologjikisht më sovranë dhe më të pavarur. Dhe po, kjo vlen edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Merz të hënën në mbrëmje në hapjen vjetore të Deutsche Börse Group në Eschborn të Hessenit. Ai shtoi se i vjen keq, por “marrëdhëniet transatlantike kanë ndryshuar”.

Sipas tij, BE-ja ka nevojë për reforma. “Në dekadat e fundit, Europa ka shpërdoruar një potencial të jashtëzakonshëm rritjeje për shkak të reformave të vonuara, kufizimeve të panevojshme të hapësirës së sipërmarrjes, mbiregullimit dhe perfektionizmit në vendin e gabuar”, theksoi Merz. Për këtë arsye, europianët nuk janë më aq të fortë ekonomikisht sa mund të ishin.

“Nevojitet një rikthim radikal te thelbësorja. Na duhet ambicie, na duhet guxim dhe energji veprimi, që Europa të bëhet sërish e aftë politikisht për të vepruar”, vijoi Merz. Krahas sovranitetit dhe pavarësisë më të madhe, një detyrë madhore është që Europa të bëhet “e aftë të mbrohet me forcat e veta”. Po ashtu, kushtet e vendndodhjes për ekonominë europiane duhet të bëhen sërish “konkurruese”.

Në fjalën e tij, kancelari iu referua edhe mundësive: “Kudo rreth nesh” ka “shtete në ngritje, kryesisht demokratike, me tregje në zgjerim, që kërkojnë shprehimisht atë që ne europianët kemi për të ofruar”. Këto janë “partneritete mbi bazën e konsideratës dhe respektit të ndërsjellë, si dhe me kushtin e rregullave dhe besueshmërisë”, tha Merz.

Sipas tij, kështu po vizatohet një rrugë drejt një “Europe sovrane, të lirë, paqësore dhe ekonomikisht frymëzuese në një rend të ri botëror”. Gjermania mund të jetë “pjesë — dhe nëse e bëjmë siç duhet, ndoshta edhe qendër — e një rrjeti dinamik dhe agil shtetesh sovrane, që vazhdojnë të mbështeten te multilateralizmi dhe tregtia e lirë për të mirën e të gjithëve”./tn