Ballina Bota Pas më shumë se dy vitesh në Tasmani u gjet trupi i...

Pas më shumë se dy vitesh në Tasmani u gjet trupi i belges së zhdukur? Vullnetarët panë një gjurmë kyçe 300 metra larg shtegut…

Makina e saj u gjet në parkimin pranë ujëvarave një ditë pas raportimit të zhdukjes

Mbetje njerëzore janë gjetur pranë zonës Philosopher Falls në perëndim të Tasmanisë, aty ku në qershor 2023 u zhduk turistja belge Celine Cremer, ka konfirmuar policia e Tasmanisë, raporton ABC, transmeton Tetova News.

Cremer, atëherë 31 vjeçe, u pa për herë të fundit më 17 qershor 2023, kur doli e vetme për një shëtitje në pyll në zonën e Philosopher Falls, pranë Cradle Mountain.

Zhdukja e saj u raportua nga familja më 26 qershor, pas së cilës u nis një kërkim i gjerë ku morën pjesë policia, shërbimet e emergjencës (SES), ekipe të specializuara për shpëtim në ujëra të rrëmbyeshme, dronë dhe helikopterë.

Makina e saj u gjet në parkimin pranë ujëvarave një ditë pas raportimit të zhdukjes, por pavarësisht kërkimeve disamujore, Cremer nuk u gjet. Operacioni u ndërpre zyrtarisht më 10 korrik 2023, pasi ekspertët vlerësuan se, për shkak të kushteve të këqija të motit, ajo nuk mund të kishte mbijetuar në natyrë.

Telefoni u gjet muajin e kaluar

Zhvillimi i ri erdhi gjatë një kërkimi të rinisur, të organizuar privatisht në dhjetor 2025, kur vullnetarët gjetën telefonin e saj në një shkurre të dendur, rreth 300 metra larg shtegut për këmbësorë.

Në bazë të informacionit të ri mbi aktivitetin e telefonit, policia kontrolloi një “zonë shtesë me interes”, duke angazhuar edhe një qen kërkimi për gjetjen e trupit, por pa rezultat.

Zbulimi më i fundit ndodhi kur një anëtar i ekipit vullnetar të kërkimit, Jarrod Boys, gjeti mbetje njerëzore gjatë kontrollit të terrenit pranë Philosopher Falls, në një zonë që më parë nuk ishte ekzaminuar në detaje.

“Kam kërkuar rreth dy orë e gjysmë kur hasa në mbetjet. Po lutesha që sot të ndodhte një mrekulli dhe të gjeja diçka”, tha Boys, duke shtuar se ishte thellësisht i tronditur. “Nuk jam veçanërisht njeri emocional, por kjo më preku vërtet”, shtoi ai.

Ai tha se fotografoi mbetjet e gjetura dhe u kthye në shteg për të kapur sinjal dhe për të njoftuar menjëherë policinë. Mbetjet u gjetën në sipërfaqen e tokës, mbi një grumbull dheu dhe gurësh, rreth dy orë ecje nga vendi ku më herët ishin gjetur sende personale.

Ende pritet konfirmimi i identitetit

Inspektori i policisë Andrew Hanson konfirmoi se familja e Celine Cremer në Belgjikë është njoftuar për gjetjen.

“Jemi të vetëdijshëm se kjo mund të jetë shumë shqetësuese për të afërmit e saj. Edhe pse të gjithë shpresojmë që kjo të sjellë përgjigje, para çdo përfundimi është e domosdoshme një analizë formale mjeko-ligjore për të përcaktuar nëse mbetjet i përkasin Celine”, tha Hanson.

Ai shtoi se një patolog ka shqyrtuar tashmë fotografitë dhe ka konfirmuar se bëhet fjalë për mbetje njerëzore, por identiteti ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Në vendin e gjetjes ndodhen oficerë të policisë nga Distrikti Perëndimor, si dhe personel i specializuar mjeko-ligjor.

Hanson theksoi gjithashtu përkushtimin e vullnetarëve të përfshirë në kërkim.

“Personi që i gjeti mbetjet ka marrë pjesë prej kohësh në kërkimet për Celine. Këmbëngulja e tij, si dhe angazhimi i vullnetarëve të tjerë, pasqyron mbështetjen e fortë të komunitetit në këtë rast.”

Hetuesit prej kohësh dyshojnë se Cremer u dezorientua gjatë një pasditeje të ftohtë, doli nga shtegu dhe humbi, dhe se në një moment mund ta ketë rënë ose humbur telefonin.

Informacione të tjera priten pas përfundimit të analizave mjeko-ligjore./TetovaNews