Reshjet e dendura në vend kanë shkaktuar përmbytje në disa shtëpi në Rrugën e Prilepit në Kërçovë, për shkak të së cilave janë evakuuar 180 persona. Në një shtëpi të përmbytur në fshatin Balindoll të Gostivarit kanë mbetur të bllokuar dy fëmijë dhe nëna e tyre. Janë përmbytur edhe objekte të spitalit në Kërçovë, si dhe shtëpi në lagjet Ciglana dhe Banjecë në Gostivar dhe në fshatrat Bukoviq dhe Semenishtë në komunën e Sarajit.
Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), në informacionin për gjendjen pas reshjeve deri në orën 12:30, njofton se në rajonin e Kërçovës gjatë natës reshjet intensive kanë shkaktuar dalje nga shtrati të lumit Zajashka në Rrugën e Prilepit, ku janë prekur disa shtëpi. Janë evakuuar rreth 180 persona, të cilët janë strehuar në sallën sportive “Hristo Uzunov”.
Është regjistruar gjithashtu grumbullim i ujit në rrugën “29 Nëntori” në lagjen Podvarosh, ku janë përmbytur bodrume të disa objekteve, si dhe objekte të spitalit të Kërçovës.
Në terren po ndërhyjnë ekipet e OVR Kërçovë, NP “Komunalec” dhe shërbime të tjera kompetente. Janë njoftuar kryetari i Komunës së Kërçovës dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Është organizuar furnizimi me ushqim dhe ujë për të evakuuarit me ndihmën e Kryqit të Kuq, ndërsa nga Shkupi janë dërguar ekipe shtesë me batanije, dyshekë, shtretër dhe ndihma të tjera të domosdoshme.
– Sipas informacioneve deri më tani, nuk ka persona në rrezik për jetën, por evakuimi parandalues vazhdon. Reshjet mbeten intensive dhe situata po ndiqet me kujdes, thonë nga QMK.
Në Gostivar dhe zonat përreth janë raportuar përmbytje shtëpish në fshatin Bellovishtë, si dhe në lagjet Ciglana dhe Banjecë. Është raportuar edhe kanal i bllokuar në fshatin Balindoll, ku janë përmbytur disa shtëpi. Në një nga shtëpitë e përmbytura në Bellovishtë kanë mbetur të bllokuar dy fëmijë dhe nëna e tyre. Për rastin janë njoftuar menjëherë Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Gostivarit dhe DPB Gostivar.
– Përmbytjet janë rezultat i daljes nga shtrati të lumit Sushica dhe kanaleve të bllokuara. Është planifikuar angazhimi i mekanizimit për pastrimin e terrenit. Përfaqësues të pushtetit lokal dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim ndodhen në terren dhe po ndjekin situatën, thuhet në njoftimin e QMK.
Në rajonin e Shkupit, gjatë paradites përmes numrit 112 janë pranuar disa raportime nga qytetarët për oborre të përmbytura në fshatin Idrizovë (Komuna Gazi Babë), për përmbytje në fshatin Bukoviq (Komuna Saraj), për oborr dhe bodrum të përmbytur në fshatin Zelenikovë (Komuna Zelenikovë) dhe për oborr të përmbytur në lagjen Radishan (Komuna Butel).
Në komunën e Sarajit, ekipet e Brigadës së Zjarrfikësve të Qytetit të Shkupit dhe Tetovës po kryejnë pompimin e ujit nga objektet e përmbytura dhe pastrimin e pikave kritike, ndërsa NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup po stabilizon dhe pastron rrjetin e kanalizimit për të parandaluar dalje të reja. Paralelisht, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po vlerëson dëmet dhe siguron mbështetje logjistike dhe teknike në koordinim të ngushtë me strukturat lokale.
Në rajonin e Tetovës, përmes numrit 112 është raportuar rrëshqitje dheu në rrugën Tetovë – fshati Gjermë, për shkak të së cilës rruga është e bllokuar për qarkullim. Janë njoftuar RQMK – Tetovë, NPK Tetovë dhe policia. Nga ora 07:45 në rrugën Tetovë – Kodër e Diellit është vendosur ndalim për qarkullimin e automjeteve të rënda dhe autobusëve për shkak të reshjeve të borës. Aktualisht nuk ka rritje të nivelit të lumenjve dhe nuk pritet dalje nga shtrati. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është i rregullt, thekson QMK.
Sipas njoftimit të DPHM-së, sot pritet mot me vranësira të ndryshueshme me reshje të kohëpaskohshme shiu, lokalisht më të dendura (mbi 20 litra për metër katror). Kryesisht në rajonet lindore priten kushte për paqëndrueshmëri me reshje të rrëmbyeshme, bubullima dhe erë të fortë (mbi 70 kilometra në orë). Në malet e pjesëve veriore reshjet e shiut do të kalojnë në borë.
– Nesër nga fundi i ditës, gjatë natës dhe të martën do të ketë rënie të temperaturave me reshje të reja më të dendura, të cilat në male dhe në vendet më të larta do të jenë në formë dëbore. Në male do të rritet trashësia e shtresës së borës, ndërsa shtresë e re pritet të formohet edhe në disa vende më të larta. Më pas, në dy ditët e ardhshme moti do të jetë kryesisht stabil, ndërsa të premten sërish priten reshje më të dendura shiu dhe dëbore, njofton DPHM./TetovaNews















