Ballina Aktualitet Zbardhet kontrata: Murseli mori 100 mijë euro borxh nga Pacolli, thotë se...

Zbardhet kontrata: Murseli mori 100 mijë euro borxh nga Pacolli, thotë se ia ktheu në “forma tjera”

Naim Murseli, i akuzuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademajt, kishte marrë 100 mijë euro në formë huazimi nga biznesmeni multi-milioner Behgjet Pacolli, tregon një kontratë e prezantuar sot në gjykatë.

Dokumenti është paraqitur nga prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq në seancën gjyqësore në rastin ndaj Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas kontratës, Murseli i obligohej Pacollit, për të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë, një shumë prej 100 mijë euro.

Në deklarimet e tij para trupit gjykues, Murseli ka pohuar se këtë borxh e ka kthyer, por jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë monetare.

Ai i ka thënë trupit gjykues se obligimin ndaj Pacollit e ka shlyer “në forma të tjera”.

Murseli ka deklaruar se bëhet fjalë për një marrëveshje private mes tij dhe Pacollit, e cila sipas tij, nuk ka lidhje me interes apo përfitim të jashtëligjshëm, por është shlyer përmes formave të tjera të dakorduara mes palëve.

I akuzuari për krimin makabër të nëntorit 2023, kishte punuar për një periudhë të gjatë për Behgjet Pacollin.

Ai kishte shërbyer si këshilltar i Pacollit dhe ishte konsideruar si një nga njerëzit më të afërt të ish-zëvendëskryeministrit të Kosovës.