Ambasada e Kosovës në Vjenë ka njoftuar se janë përmbyllur procedurat për kthimin e trupave të tre shtetasve kosovarë që humbën jetën në një kantier ndërtimi.
Bëhet fjalë për Asllan Musliun (49), Istref Zekajn (46) dhe Pajtim Bajramin (36), trupat e të cilëve janë nisur drejt Kosovës.
Ambasada shprehu ngushëllime për familjarët dhe falënderoi bashkatdhetarët për solidaritetin.
NJOFTIMI I PLOTË
Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri njofton se, në koordinim të ngushtë me familjarët e viktimave dhe autoritetet kompetente austriake, janë përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme lidhur me rastin tragjik të ndodhur në Austri.
Trupat e pajet të shtetasve tanë, Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, janë nisur sot pasdite për në Kosovë.
Në këto momente të vështira, shprehim edhe një herë ngushëllimet tona më të sinqerta për familjet e të ndjerëve, të afërmit e tyre dhe për të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje.
Njëherazi, shprehim mirënjohjen tonë për bashkatdhetarët tanë, të cilët, me interesimin dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar, treguan solidaritet në këto momente të vështira.
Aksident tragjik në Vjenë, humbin jetën 3 shqiptarë nga Kosova në vendin e punës
Një aksident i rëndë ka ndodhur në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku si pasojë kanë humbur jetën katër persona, tre prej viktimave janë shtetas të Kosovës.
Viktimat nga Kosova janë Pajtim Bajrami (1990) nga Klina e Poshtme e Skenderajt, Asllan Musliu (1977) nga Zaplluxha e Dragashit dhe 46 vjeçari Istref Zekaj nga Mojstiri i Istogut.
Istref Zekaj ka rreth 20 vjet që ka punuar në Vjenë bashkë me tre vëllezërit. I martuar, ka lënë dy vajza të vogla, një 8 dhe tjetrën 4 vjeçare.
Asllan Musliu (49 vjeç) ka shërbyer si pjesëtar i UÇK-së, pas luftës si rreshter në TMK. Pastaj ka 20 e sa vite në kurbet. Ka qenë i martuar, e ka lënë gruan dhe një vajzë 7 vjeçare.















