Ballina Bota Po qarkullon një fotografi e njollës së kuqe në qafën e Trumpit...

Po qarkullon një fotografi e njollës së kuqe në qafën e Trumpit – reagon Shtëpia e Bardhë

Pas sulmeve të mëdha në Iran, presidenti amerikan Donald Trump nuk u kthye menjëherë në Zyrën Ovale për të mbikëqyrur ofensivën ushtarake.

Në vend të kësaj, ai shkoi në klubin dhe rezidencën e tij private Mar-a-Lago në Florida, ku mori pjesë në atë që New York Times e përshkroi si një “darkë luksoze për donatorë”.

Pas një mungese të ngjashme nga skena publike edhe të dielën, Trump u paraqit sot para gazetarëve për të komentuar mbi përshkallëzimin e konfliktit dhe për t’i dorëzuar Medaljen e Nderit majorit të pensionuar të ushtrisë amerikane, Terry Richardson.

Gjatë paraqitjes së tij, vëzhguesit vunë re atë që u përshkrua si një “lëndim i dukshëm, i ngjashëm me një skuqje” në anën e djathtë të qafës së tij, shkruan Futurism.

Fotografitë e realizuara nga Saul Loeb për Agence France-Presse tregojnë diçka që duket si një plagë ose kore e kuqërremtë nën veshin e djathtë, pjesërisht e mbuluar nga jakë e bardhë e këmishës.

Shpjegimi i Shtëpisë së Bardhë

Në përgjigje të pyetjeve të mediave, Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë që i atribuohet mjekut të Trumpit, Sean Barbabella.

“Presidenti Trump përdor një krem shumë të zakonshëm në anën e djathtë të qafës, që është një trajtim parandalues për lëkurën i përshkruar nga mjeku i Shtëpisë së Bardhë,” thuhet në deklaratë.

“Presidenti e përdor këtë trajtim prej një jave dhe pritet që skuqja të zgjasë disa javë.”

Spekulime në internet

Ndërkohë që priten informacione zyrtare shtesë, përdoruesit e rrjeteve sociale kanë nisur spekulime të shumta.

Disa sugjerojnë se mund të bëhet fjalë për herpes zoster, një infeksion i shkaktuar nga i njëjti virus që shkakton linë e dhenve, i cili zakonisht shfaqet me skuqje dhe flluska dhe mund të lërë ndryshime afatgjata në pigmentimin e lëkurës.

Të tjerë kanë spekuluar se mund të jetë pasojë e përdorimit të barnave për hollimin e gjakut.

Po ashtu, gjatë paraqitjes së sotme, dora e djathtë e Trumpit dukej dukshëm e fryrë. Kjo mund, por nuk është e sigurt, të lidhet me njollën e errët të ngjashme me mavijosje që i është vërejtur në dorën e djathtë të paktën që nga viti 2025.

Në atë kohë, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar se njolla e errët ishte rezultat i shtrëngimeve të shumta të duarve. Megjithatë, një njollë e ngjashme në dorën e majtë, e vërejtur më herët gjatë vitit 2026, ka vënë në pikëpyetje atë shpjegim./Index.hr