Ballina Bota Momentet më të rrezikshme të misionit Artemis II të NASA-s nuk kanë...

Momentet më të rrezikshme të misionit Artemis II të NASA-s nuk kanë kaluar ende

Ndërsa katër astronautë përgatiten të futen me shpejtësi të jashtëzakonshme në atmosferë mbrëmjen e së premtes, ata do të varen nga një mburojë termike për të cilën dihet se ka mangësi në projektim.

Katër astronautët që fluturuan rreth hënës me misionin Artemis II të NASA-s po përgatiten për rikthimin në shtëpi, por pjesën më të rrezikshme e misionit e kanë ende përpara.

Astronautët e NASA-s, Reid Wiseman, Christina Koch dhe Victor Glover, si dhe astronauti kanadez, Jeremy Hansen planifikohet të rikthehen në tokë të premten në mbrëmje – me kohën amerikane – pas dhjetë ditësh në hapërisë.

Kapsula “Orion” e tyre planifikohet të hyjë në atmosferë rreth orës 7:53 të mbrëmjes me kohën e Bregut Lindor amerikan (rreth orës 01:00 pasmesnate me kohën evropiane), në një rrugëtim të rrezikshëm që pritet të zgjasë më pak se 15 minuta.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, misioni do të përmbyllet me një hedhje në ujë në Oqeanin Paqësor rreth orës 8:07 të mbrëmjes rreth San Diegos, Kaliforni.

“Janë 13 minuta gjëra që duhet të shkojnë mbarë”, tha drejtori i fluturimit Artemis II të NASA-s, Jeff Radigan, të enjten në një njoftim për mediat.

Ri-hyrja në atmosferë është një nga pjesët më të rrezikshme të fluturimeve hapësinore, me mjetet që mund t’u ekspozohen temperaturave rreth 2,760 gradë celcius, shkruan sot mediumi amerikan NBC News, transmeton Paparaci.

Dhe kjo vlen në veçanti për misionin Artemis II, sepse mburoja termike e anijes Orion — shtresa kyçe mbrojtëse në pjesën e poshtme, që i mbron astronautët nga temperaturat ekstreme — ka mangësi të njohura në projektim.

Ky është misioni i parë që kjo kapsulë do të transportojë një ekuipazh.

Pas misionit Artemis I në vitin 2022 — një fluturim testues pa ekuipazh i raketës Space Launch System dhe kapsulës Orion — NASA konstatoi dëmtime të papritura në mburojën termike të anijes.

Një investigim i agjenisë më vonë zbuloi se pjesë të mburojës termike ishin çarë gjatë rihyrjes në atmosferë, “duke shkaktuar çarje të thella në disa zona”.

Për shkak të këtyre problemeve, NASA do të modifikojë mburojën termike për fluturimet e ardhshme të Artemis-it në hapësirë. “Orioni”, kapsula me të cilin kanë fluturuar katërshja e astronautëve tani, nuk i ka këto ndryshme për shkak se ajo veçse ishte ndërtuar dhe montuar në periudhën kur NASA mësoi dëmet e shkaktuara gjatë zbritjes së Artemis I.

Gjatë rihyrjes në atmosferë, kapsula Orion parashikohet të arrijë një maksimum të shpejtësisë prej rreth 24,000 milje për orë – përkthyer në kilometra rreth 38,000 km për orë.

Derisa kapsula do të futet me shpejtësi në atmosferë, pritet një ndërprerje e komunikimit, pasi rreth saj formohet një plazmë që shkakton ndërhyrje në sinjal. Kjo ndërprerje pritet të zgjasë rreth gjashtë minuta, tha drejtori i fluturimit Rick Henfling gjatë një konference të mërkurën.

“Pasi të përfundojë kjo ndërprerje gjashtë minutëshe do të jetë rreth 45.7 kilometra mbi tokë, kështu që ende do të jetë duke rënë me shpejtësi të madhe”, tha ai.

Në një lartësi prej rreth 1.8 kilometrave mbi tokë, kapsula do të hapë tri parashutat kryesore, të cilat do ta ngadalësojnë atë në rreth 20 milje në orë (32 km/h) para se të hidhet në oqean.

Ushtria amerikane do të asistojë në operacionin e NASA-s për rikuperimin e ekuipazhit në Paqeësor. Pasi zona e uljes të konsiderohet e sigurt, plani i NASA-s është që nga kapsula të nxirren sipas radhës: fillimisht Christina Koch, pastaj Victor Glover, më pas Jeremy Hansen dhe në fund Reid Wiseman.

Në konferencën e së enjtes, Amit Kshatriya i NASA-s vlerësoi anëtarët e ekuipazhit dhe se tani është radha e drejtorëve të fluturimit, inxhinierëve dhe ekipeve të rikuperimit që t’i kthejnë ata në shtëpi.

“Ekuipazhi e ka kryer punën e vet”, tha ai. “Tani është radha jonë”.