Faqja Fshati Çiflik – Komuna e Zhelinës në facebook bën të ditur se varrimi i të ndjerit Gazmend Arsllani do të bëhet nesër, pas namazit të drekës, në varrezat e fshatit Çiflik. Gazmend Arsllani u nda nga jeta para disa ditësh në Bolzano të Italisë, ku jetonte dhe punonte bashkë me familjen. Ishte një arrest kardiak që i mori jetën ish-luftëtarit të UÇK-së nga fshati Çiflik i Komunës së Zhelinës. I ndjeri ka lënë pas dy fëmijë, një djalë 17-vjeçar dhe një vajzë 11-vjeçare, transmeton Tetova News.
Postimi i plotë i faqes Fshati Çiflik – Komuna e Zhelinës:
Të nderuar bashkëfshatarë,
Ju njoftojmë se varrimi i të ndjerit Gazmend Arsllani do të bëhet nesër, pas namazit të drekës, në varrezat e fshatit Çiflik.
Gazmendi ishte një ndër bijtë e çmuar të fshatit tonë – një njeri me virtyte të larta, zemërgjerë dhe i dashur për të gjithë. Ish-ushtar i UÇK-së, ai dëshmoi guxim dhe përkushtim në kohë të vështira, duke u bërë krenari për familjen dhe gjithë komunitetin. Ata që e kanë njohur e dinë se ai ishte nga ata njerëz të rrallë që lënë gjurmë në zemrat e të tjerëve – i urtë, i sinqertë dhe gjithmonë i gatshëm për të bërë mirë pa pritur asgjë në këmbim. Edhe pse sot fizikisht nuk është më në mesin tonë, kujtimi për të do të jetojë gjatë, si një shembull i njeriut të mirë dhe trimit që nuk harrohet kurrë.
Lusim Allahun e Plotfuqishëm që të ndjerin ta shpërblejë me të mirat e Tij të pakufishme në Xhennet, ndërsa familjes, miqve dhe farefisit t’u dhurojë durim, inshaAllah 🤲./Fshati Çiflik – Komuna e Zhelinës















