Ballina Aktualitet Kisha Katolike reagon për protestat: Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar, politika të...

Kisha Katolike reagon për protestat: Zëri i qytetarëve duhet dëgjuar, politika të gjejë zgjidhje përmes dialogut

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka reaguar për zhvillimet e fundit në vend dhe protestat që po zhvillohen në Tiranë, qytete të tjera të Shqipërisë dhe në diasporë, duke bërë thirrje që zëri i qytetarëve të dëgjohet dhe politika të japë përgjigje përmes dialogut demokratik.

Në një deklaratë për shtyp, Ipeshkvijtë e Kishës Katolike vlerësojnë se protestat janë nxitur nga shqetësimet që lidhen me projekte zhvillimore në zona të mbrojtura natyrore dhe me çështje të pronësisë, por theksojnë se pjesëmarrja e gjerë e qytetarëve ka nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi më të gjerë ndaj sistemit politik aktual.

Sipas Konferencës Ipeshkvore, çdo projekt zhvillimi duhet të garantojë mbrojtjen e mjedisit dhe respektimin e të drejtës së pronës.

Reagimi i plotë:

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë po ndjek me vëmendje zhvillimet shoqërore në vendin tonë, veçanërisht protestat që po zhvillohen në Tiranë, në qytete të tjera të Shqipërisë dhe në diasporë.

Shkak për këto protesta janë bërë disa projekte që prekin zona natyrore të mbrojtura ose zona ku ndërthuren çështje të pronësisë, me synimin për të ndërtuar objekte që promovojnë zhvillimin e një turizmi elitar.

Nga ana jonë, si ipeshkvij të Kishës Katolike, vlerësojmë se çdo zhvillim i vendit duhet të ketë parasysh mbrojtjen e mjedisit, por edhe respektimin e pronës së gjithsecilit.

Papa Françesku, në Letrën Enciklike Laudato Si’, shprehet:

“Parashikimi i ndikimit mjedisor të sipërmarrjeve dhe projekteve kërkon procese politike transparente dhe të hapura ndaj dialogut, ndërsa korrupsioni, i cili fsheh ndikimin e vërtetë mjedisor të një projekti në këmbim të favoreve, shpesh çon drejt marrëveshjeve të paqarta që shmangin detyrimin për informim dhe debatin e thelluar publik.” (LS 182)
Në këtë kuptim, vlerësimi, konsultimi dhe përfshirja e komuniteteve lokale që jetojnë në këto zona, si edhe e institucioneve dhe agjencive që merren me mbrojtjen e mjedisit, janë më se të domosdoshme.

Për ne, kjo quhet zhvillim integral, i cili duhet të marrë parasysh të gjitha dimensionet e jetës njerëzore, si ato individuale, ashtu edhe ato komunitare. Sikurse theksonte Shën Pali VI, ky zhvillim duhet të përfshijë “çdo njeri dhe të gjithë njeriun” (Populorum Progressio, 42).

Kjo është pjesë e Doktrinës Shoqërore të Kishës dhe ne ftojmë që çdo projekt zhvillimi të realizohet duke pasur në qendër jo vetëm ndërtimin e strukturave si qëllim në vetvete, por mbi të gjitha njeriun, me nevojat, të drejtat dhe dinjitetin e tij, si në dimensionin personal, ashtu edhe në atë komunitar.

Protestat e këtyre ditëve dhe pjesëmarrja e shumë të rinjve e familjeve në to kanë nxjerrë në pah edhe një pakënaqësi më të gjerë ndaj sistemit politik aktual. Kjo pakënaqësi është shprehur qartë si në pjesëmarrjen, ashtu edhe në artikulimin e shumë protestuesve.

Kisha nuk ka për detyrë të japë zgjidhje politike, por të ndriçojë ndërgjegjet. Ne jemi të bindur se zëri i njerëzve duhet të dëgjohet dhe të merret seriozisht. Politikës i takon të gjejë zgjidhje brenda kuadrit demokratik dhe institucional. Këto janë rregullat e demokracisë evropiane, drejt së cilës ne aspirojmë të ecim.

Nuk mund të shpërfillet zëri i shumë njerëzve që kanë si shqetësim të vetëm mirëqenien e familjeve të tyre dhe të shoqërisë, e që shprehin pakënaqësinë për veprimin apo mosveprimin e politikës.

Zëri i të gjithëve duhet të dëgjohet dhe të vlerësohet me kujdes e respekt nga politika, nga qeveria dhe nga opozita.

Ne ftojmë përfaqësuesit e politikës që të zgjedhin rrugën e dialogut, të japin përgjigjet e duhura për qytetarët e thjeshtë të vendit tonë, të cilët kërkojnë të mos anashkalohen, si dhe të dëgjojnë zërin e të rinjve, që kanë të drejtën të ndërtojnë jetën e tyre këtu, pa iu nënshtruar fatalisht humbjes së shpresës dhe rrugës së emigrimit — plagë e cila, në vitet e fundit, ka marrë emrin e shpopullimit të vendit.

Ne i lutemi Hyjit për popullin tonë, për politikën dhe për të gjithë njerëzit vullnetmirë të këtij vendi, që të gjejnë, krahas rrugës së dialogut politik e shoqëror, edhe zgjidhjet e duhura brenda kornizave demokratike dhe institucionale të një vendi që synon integrimin evropian.

Zoti e bekoftë Shqipërinë!

Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë