Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në fshatin Leshan të komunës së Suharekës, ku ka humbur jetën 33-vjeçari Fidan Bytyqi.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 11.06.2026, rreth orës 20:30. Viktima, i identifikuar me inicialet F.B., ishte marrë me autoambulancë nga shtëpia e tij në fshatin Leshan, pasi kishte rënë nga një pemë qershie nga një lartësi prej rreth 5-6 metrash.
Fillimisht, ai është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë. Rreth orës 21:15, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe hetuesit kompetentë, të cilët, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi.















