Ballina Kronika PELA I MERR JETËN VETERINARIT

PELA I MERR JETËN VETERINARIT

Një tragjedi ka ndodhur në zonën e Krizhevcit në Kroaci, ku një veterinar 48-vjeçar humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës në një stallë.

Sipas informacioneve nga Policia e Koprivnicës dhe Krizhevcit, aksidenti ndodhi të martën, më 2 qershor, rreth orës 14:30. Veterinari po kryente një ndërhyrje rutinë për modifikimin e thundrave të një pele, kur kafsha, për arsye ende të paqarta, e goditi papritur dhe fuqishëm me këmbën e pasme në pjesën e gjoksit.

Pas goditjes së rëndë, në vendngjarje u thirr menjëherë ndihma e shpejtë. Ekipi mjekësor i dha ndihmë burrit në vend, por lëndimet ishin tepër të rënda. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 48-vjeçari ndërroi jetë në vendin e aksidentit.

Trupi i të ndjerit u dërgua në Repartin e Patologjisë të Spitalit të Përgjithshëm në Bjelovar, ku, me urdhër të Prokurorisë Shtetërore të Qarkut në Bjelovar, do të kryhet autopsia për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.

Policia ka kryer këqyrjen në vendngjarje dhe vazhdon të mbledhë informacione për të gjitha rrethanat e kësaj tragjedie. Pas përfundimit të procedurave, prokurorisë kompetente do t’i dorëzohet një raport i detajuar për ngjarjen.

Ngjarja ka tronditur opinionin në Kroaci, pasi veterineri 48-vjeçar humbi jetën gjatë kryerjes së një ndërhyrjeje rutinë, e cila brenda pak çastesh u shndërrua në tragjedi./TetovaNews