Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Kobaj të Prizrenit, ku 27-vjeçari Albian Osmanaj ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë.
Ngjarja tragjike ka ndodhur të dielën, më 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj, ku dy familje të afërta mes vete janë përfshirë në një përleshje që përfundoi me pasoja fatale.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur se rasti është raportuar rreth orës 11:50.
Sipas Policisë, bëhet fjalë për një përleshje me mjete të forta ndërmjet dy familjeve, kushërinj mes vete.
Si pasojë e lëndimeve të marra nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë, ka humbur jetën një mashkull rreth 27 vjeç.
Nga kjo përleshje ka mbetur i lënduar edhe babai i viktimës, rreth 57 vjeç, i cili ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë trajtim mjekësor.

Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, viktima është Albian Osmanaj. Ai ishte djali i vetëm i familjes, çka e bën edhe më të rëndë humbjen për familjarët dhe të afërmit e tij.
Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht motivi i plotë që çoi deri te kjo ngjarje e rëndë, por sipas raportimeve të Sinjalit dhe Klan Kosovës, viktima dhe i dyshuari ishin djem të axhës.
Sipas këtyre raportimeve, konflikti dyshohet se kishte nisur ditë më parë pas një mosmarrëveshjeje për emërtimin e një rruge në fshat.
Raportohet se njëra palë kishte kërkuar që rruga të mbante emrin e babait të tij, i cili kishte ndërruar jetë disa muaj më parë, ndërsa pala tjetër kishte insistuar që ajo të emërtohej sipas gjyshit.
Kjo mosmarrëveshje dyshohet se ka nxitur përplasjen mes palëve, e cila më pas ka eskaluar në dhunë dhe ka përfunduar me përdorimin e thikës.
Për rastin janë ndaluar dy persona, ndërsa mes tyre raportohet se ndodhet edhe një i mitur.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, ekipi i hetimeve dhe forenzika, të cilët kanë nisur ekzaminimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Policia ka bërë të ditur se personat e dyshuar, si dhe familjarët e viktimës, janë shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren për procedura të mëtejshme.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe eprorët e Stacionit Policor në Prizren dhe të Drejtorisë Rajonale të Policisë. Po ashtu, janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie për ruajtjen e rendit dhe sigurisë së personave të përfshirë në rast.
Ngjarja ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje të madhe në Kobaj, Vlashnjë, Muradem dhe më gjerë.
Pas rastit tragjik, ka reaguar edhe Bashkësia Lokale Vlashnjë, Kobaj, Muradem, përmes kryetarit të fshatit, Petrit Hoxhaj.
Reagimi i plotë i Petrit Hoxhajt:
“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të më të dashurit tuaj.
Në emrin tim personal dhe në cilësinë e Kryetarit të fshatit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Osmanaj dhe të gjithë të afërmve e miqve të të ndjerit.
Lus Zotin që ta mëshirojë të ndjerin, ta shpërblejë me Xhenet dhe familjes t’i japë forcë, durim dhe sabër për ta përballuar këtë dhimbje të rëndë.
Ngjarje të tilla na prekin të gjithëve dhe lutemi që raste të tilla tragjike të mos përsëriten më kurrë në mesin tonë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.”
Petrit Hoxhaj
Kryetar i fshatit Kobaj, Vlashnjë dhe Muradem
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje tragjike.
Organet kompetente pritet të sqarojnë motivin, dinamikën e përleshjes dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.















