Ballina Bota BMW SHKURTON 8.000 VENDE PUNE, PUNONJËSIT E PRODHIMIT NUK PREKEN

BMW SHKURTON 8.000 VENDE PUNE, PUNONJËSIT E PRODHIMIT NUK PREKEN

Mediat gjermane raportojnë se, pas disa prodhuesve të tjerë gjermanë të automobilave, edhe BMW-ja do të detyrohet të ndërmarrë një riorganizim. Agjencia e lajmeve DPA, duke iu referuar burimeve të saj, njofton se gjatë 18 muajve të ardhshëm do të shkurtohen 8.000 vende pune në mbarë botën.

Kjo përbën pothuajse 5 për qind të fuqisë punëtore të kompanisë. Prodhuesi i automobilave me seli në Mynih ka rreth 154.000 të punësuar në nivel global.

Riorganizimi do t’i përfshijë të gjitha departamentet, me përjashtim të punonjësve që janë të angazhuar drejtpërdrejt në prodhimin e automobilave. Pritet që objektivi të arrihet përmes largimeve natyrore nga puna, si pensionimet, dhe përmes largimeve vullnetare.

Më shumë se gjysma e vendeve të punës që do të shkurtohen ndodhen në Gjermani.

Synimi: kompani më fitimprurëse dhe më konkurruese

BMW-ja nuk ka dashur të japë hollësi për planet. Një burim që kishte marrë pjesë në prezantimin e brendshëm të masave tha se kryetari i bordit drejtues, Milan Nedeljković, kishte paralajmëruar se periudha e ardhshme do të kërkonte shumë përpjekje nga të gjithë të punësuarit.

Publicitet

Sipas tij, këto masa janë të nevojshme për ta bërë kompaninë më fitimprurëse dhe më konkurruese.

Industria gjermane e automobilave prej një kohe të gjatë po përballet me vështirësi. Volkswagen, Mercedes, Audi dhe Porsche janë detyruar më herët të shkurtojnë vende pune.

Vetëm këtë javë, Porsche njoftoi shkurtimin e 5.000 vendeve të tjera të punës, ndërsa Volkswagen raportohet se synon të shkurtojë dhjetëra mijë vende pune shtesë gjatë viteve të ardhshme.

Konkurrenca nga Kina dhe tarifat amerikane

Një ndër shkaqet kryesore të rënies është konkurrenca gjithnjë e më e fortë e industrisë kineze të automobilave, si në tregun e Kinës, ashtu edhe në pjesën tjetër të botës.

Përveç kësaj, BMW-ja, njësoj si prodhuesit e tjerë evropianë të automobilave, po përballet edhe me pasojat e tarifave të importit të vendosura në Shtetet e Bashkuara.

Sipas drejtuesit të sapoemëruar, Milan Nedeljković, këto ndryshime në treg nuk do të zhduken shpejt.

BMW-ja pritet t’i publikojë nesër rezultatet financiare për gjysmën e parë të vitit. Muajin e kaluar, kompania paralajmëroi se kishte ulur parashikimin e fitimit për shkak të rezultateve më të dobëta se sa pritej në shitje./TN