Drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, u takua të martën me sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick, ndërsa administrata Trump po heton shkelje të mundshme që lidhen me eksportimin e çipave të Nvidia-s drejt Kinës, sipas një burimi të njohur me çështjen.
Pse ka rëndësi: Huang ndodhet në Uashington në një kohë kur administrata Trump po përfundon një kornizë të re, e cila do t’i mundësonte qeverisë qasje të hershme në modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale, përpara publikimit të tyre.
Zyrtarët po shqyrtojnë gjithashtu qasjen që do të ndjekin ndaj inteligjencës artificiale me burim të hapur dhe ndaj Kinës.
Zhvillimi kryesor: Huang po zhvillon takime të shumta në Uashington gjatë kësaj jave, përfshirë një takim me senatorin Mark Warner, demokrat nga Virxhinia dhe demokrati më i lartë në Komisionin e Inteligjencës, si dhe me anëtarë të tjerë të Kongresit nga të dyja partitë.
Vizita e Huang-ut ishte raportuar më herët, por jo takimi i tij me Lutnick-un.
Një zëdhënës i Nvidia-s tha se Huang ndodhet në Uashington “për t’u takuar me udhëheqës nga të dyja partitë dhe për të diskutuar punën e Nvidia-s për forcimin e zinxhirit të furnizimit të vendit, përmes prodhimit të teknologjisë amerikane me vlerë 500 miliardë dollarë gjatë katër viteve, si dhe për ruajtjen e udhëheqjes amerikane në inteligjencën artificiale, përfshirë rolin udhëheqës në teknologjinë me burim të hapur”.
Nuk u bë menjëherë e qartë se për çfarë diskutuan Lutnick dhe Huang.
Konteksti: Një zëdhënës i Byrosë së Industrisë dhe Sigurisë pranë Departamentit amerikan të Tregtisë i tha Axios-it javën e kaluar se institucioni po heton shkelje të mundshme në eksportimin e çipave Blackwell të Nvidia-s.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, javën e kaluar paralajmëroi gjithashtu për mundësinë e masave rregullatore ndaj laboratorëve kinezë.
“Kur kompanitë e Republikës Popullore të Kinës kryejnë sulme të fshehta distilimi në shkallë industriale, të cilat kalojnë kufirin dhe shndërrohen në vjedhje të pronësisë intelektuale, sanksionet dhe përfshirja në Listën e Subjekteve do të jenë ndër masat që do të shqyrtohen”, tha Bessent.
Çfarë pritet: Administrata pritet ta bëjë publike kornizën e saj për inteligjencën artificiale deri më 1 gusht./Axios















