Në Tetovë është promovuar përfundimi i rikonstruktimit të „Rrugës së Shtipit“, një projekt me vlerë mbi 17,5 milionë denarë, që përfshin ndërhyrje të plota në infrastrukturën rrugore dhe nëntokësore.
Në përurimin e projektit morën pjesë zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, si dhe zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri.
Rikonstruktimi përfshiu heqjen e asfaltit të vjetër, ndërtimin e kanalizimit atmosferik, rregullimin e trotuareve dhe pjesëve anësore, asfaltimin e rrugës, vendosjen e ndriçimit publik dhe të sinjalistikës horizontale e vertikale, si dhe realizimin e kyçjeve të reja në rrjetin e ujësjellësit për banorët e kësaj zone.
Rruga e rikonstruktuar ka gjatësi prej 680 metrash, ndërsa sipërfaqja e përgjithshme e asfaltuar arrin në 3.750 metra katrorë.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, deklaroi se në territorin e Komunës së Tetovës po realizohen investime infrastrukturore në vlerë prej mbi 430 milionë denarësh.
“Në Tetovë po investojmë mbi 430 milionë denarë. Komuna po përjeton zhvillim infrastrukturor”, deklaroi Nikolloski.
Ai bëri të ditur se rikonstruktimi i „Rrugës së Shtipit“ është pjesë e një projekti që realizohet në bashkëpunim ndërmjet Komunës së Tetovës dhe Bankës Botërore.
Sipas Nikolloskit, vetëm nëpërmjet programeve të Ministrisë së Transportit, në Tetovë janë realizuar ose janë në proces realizimi projekte infrastrukturore në vlerë prej 428 milionë denarësh. Shifra prej mbi 430 milionë denarësh është përdorur prej tij si vlerë e përgjithshme e rrumbullakosur e investimeve.
“Është kënaqësi e madhe kur shihen projektet e përfunduara. Qeveria do të vazhdojë me mbështetje të fuqishme për të gjitha komunat në Maqedoni”, theksoi ministri.
Zëvendësministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri njoftoi se projekti për rikonstruktimin e „Rrugës së Shtipit“ ka vlerë mbi 17,5 milionë denarë dhe synon përmirësimin e sigurisë, qarkullimit dhe cilësisë së infrastrukturës për qytetarët.
Ajo deklaroi se gjatë dy viteve të qeverisjes janë siguruar mbi 7 milionë euro për realizimin e gjithsej 29 projekteve infrastrukturore në territorin e Komunës së Tetovës.
“Si Qeveri mbetemi të përkushtuar që me të njëjtin ritëm të vazhdojmë investimet dhe shumë shpejt të rikthehemi në Tetovë për të promovuar edhe projekte të tjera”, deklaroi Zekolli Shaqiri.
Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, tha se realizimi i projektit do të përmirësojë kushtet e qarkullimit, do të rrisë sigurinë në komunikacion dhe do të sigurojë shërbime më cilësore infrastrukturore për qytetarët.
“E gëzofshin banorët!”, shkroi Kasami pas promovimit të përfundimit të punimeve.
Ballina Aktualitet Përurohet përfundimi i rikonstruktimit të „Rrugës së Shtipit“, investimet në Tetovë vazhdojnë















