Dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë arrestuar nga policia pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Policia bën me dije se ata u kapën në Durrës ndërsa kërkoheshin nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Në momentin e arrestimit, atyre iu gjetën edhe dokumente false, me të cilat dyshohet se kanë dalë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në pranga raportohet se ka rënë edhe një tjetër nga Maqedonia që dyshohet se iu ka siguruar të kërkuarve dokumentet false.
“Në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan, u kapën në Durrës dhe u vunë në pranga shtetasit M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji. Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.”, njofton Policia.
Njoftimi i plote:
Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, operacioni ndërkombëtar i koduar “Fury”.
Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe të shtrirë në kohë ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup.
Arrestohen në Durrës 2 shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të kërkuar nga autoritetet e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje, si dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Në momentin e ndalimit, atyre iu gjetën dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të dalë nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Arrestohet në flagrancë dhe shtetasi nga RMV-ja, që dyshohet se iu ka siguruar të kërkuarve, dokumentet false.
Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë dhe intensiv ndërmjet strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes skuadrave të përbashkëta hetimore dhe aksioneve të koordinuara operacionale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të Departamentit të Policisë Kriminale në DPPSh, në bashkëpunim me partnerët ligjzbatues amerikanë me prezencë në rajon, me shërbimet e DVP Durrës dhe me homologët në Republikën e Maqedonisë së Veriut, finalizuan operacionin e koduar “Fury”.
Në kuadër të këtij operacioni u lokalizuan, u kapën në Durrës dhe u vunë në pranga shtetasit M. Xh., 26 vjeç, i lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, i lindur në Norvegji.
Për këta shtetas, INTERPOL ka lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për: vrasje, plagosje, armëmbajtje pa leje dhe kryerje të veprave penale në kuadër të organizatës kriminale, në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë iu gjetën të arrestuarve dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë përdorur për të udhëtuar jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut, me qëllim shmangien e sistemit të drejtësisë në këtë vend.
Në vijim, u arrestua në flagrancë shtetasi nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Xh. R., 26 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, pasi dyshohet se iu ka siguruar shtetasve të kërkuar, dokumentet e identifikimit të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrolleve në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë edhe një herë, partnerët strategjikë ligjzbatues amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dhe në Shkup, për bashkëpunimin, asistencën dhe koordinimin në këtë operacion të përbashkët.















