Administrata e presidentit Donald Trump ka vendosur kufizime të reja ndaj hyrjes në tregun amerikan të robotëve të avancuar dhe inverterëve elektrikë të prodhuar jashtë Shteteve të Bashkuara, duke argumentuar se pajisje të tilla mund të paraqesin rreziqe për sigurinë kombëtare, infrastrukturën kritike dhe zinxhirët strategjikë të furnizimit.
Komisioni Federal i Komunikimeve, FCC, njoftoi më 28 korrik 2026 se në të ashtuquajturën “Covered List” janë shtuar dy kategori të reja: pajisjet e avancuara robotike të prodhuara jashtë SHBA-së dhe inverterët elektrikë të lidhur në rrjet, po ashtu të prodhuar jashtë vendit.
Masa nuk përmend shprehimisht vetëm Kinën dhe, formalisht, zbatohet për pajisjet e prodhuara në çdo shtet të huaj, pavarësisht kombësisë së kompanisë prodhuese. Megjithatë, ajo pritet të prekë në radhë të parë industrinë kineze, e cila dominon prodhimin dhe shpërndarjen botërore të robotëve humanoidë dhe të inverterëve të energjisë.
Çfarë përfshin kufizimi?
Në kategorinë e pajisjeve të avancuara robotike përfshihen robotët e lëvizshëm dhe të lidhur në rrjet, si robotët humanoidë dhe robotët katërkëmbësh, të njohur shpesh si “qen robotikë”. Përkufizimi mund të përfshijë edhe platforma të tjera robotike me rrota ose zinxhirë, të pajisura me sensorë, sisteme navigimi dhe aftësi komunikimi në rrjet.
Vendimi nuk nënkupton sekuestrimin ose ndalimin e menjëhershëm të të gjithë robotëve të huaj që ndodhen në SHBA. Efekti kryesor është se modelet e reja të përfshira në listë nuk mund të marrin autorizimin teknik të FCC-së, pa të cilin shumica e pajisjeve elektronike nuk mund të importohen, reklamohen ose shiten ligjërisht në tregun amerikan.
Kufizimet nuk prekin modelet që janë autorizuar më parë nga FCC-ja. Konsumatorët mund të vazhdojnë të përdorin pajisjet që kanë blerë, ndërsa shitësit mund të vazhdojnë importimin dhe tregtimin e modeleve të miratuara përpara hyrjes në fuqi të masës. Pajisjet ekzistuese mund të vazhdojnë të marrin përditësime sigurie, softueri dhe firmware-i të paktën deri më 1 janar 2029. ë gjithashtu një miratim të posaçëm nga autoritetet federale amerikane, nëse arrijnë të dëshmojnë se një pajisje ose kategori e caktuar pajisjesh nuk paraqet rrezik të papranueshëm për sigurinë kombëtare.
Frika nga spiunazhi dhe kontrolli në distancë
Sipas vlerësimit të agjencive amerikane të sigurisë, sistemet e avancuara robotike të lidhura në rrjet krijojnë mundësi për sulme kibernetike që mund të ndikojnë jo vetëm te të dhënat e mbledhura, por edhe te lëvizja dhe funksionimi fizik i robotëve.
FCC-ja argumenton se robotët e tillë mund të mbledhin imazhe, tinguj, të dhëna për mjedisin dhe informacione të tjera që mund të shfrytëzohen nga aktorë keqdashës për mbikëqyrje, veprimtari të inteligjencës ose marrjen e kontrollit të pajisjeve nga distanca.
Në dokumentet zyrtare thuhet se mbështetja te robotët e prodhuar jashtë vendit krijon edhe dobësi në zinxhirët e furnizimit, të cilat, në rast krize ose përplasjeje gjeopolitike, mund të pengojnë funksionimin e sektorëve ekonomikë dhe të infrastrukturës kritike amerikane.
Kryetari i FCC-së, Brendan Carr, deklaroi se institucioni po vepron në koordinim me agjencitë e sigurisë kombëtare për të mbrojtur zinxhirët kritikë të furnizimit të Shteteve të Bashkuara.
Kufizime edhe ndaj inverterëve të energjisë
Përveç robotëve, në listën e pajisjeve të kufizuara janë shtuar edhe inverterët elektrikë të lidhur në rrjet. Këto pajisje shndërrojnë rrymën e vazhduar në rrymë alternative dhe përdoren në sistemet me panele diellore, bateritë e magazinimit të energjisë, qendrat e të dhënave, rrjetet energjetike dhe pajisje të ndryshme industriale ose shtëpiake.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se lidhja e inverterëve me internetin ose me sistemet e kontrollit në distancë mund të krijojë dobësi kibernetike. Sipas tyre, një prodhues ose aktor i huaj mund të përpiqet t’i çaktivizojë pajisjet, të sigurojë qasje të paautorizuar në sistem, të mbledhë të dhëna ose të shkaktojë ndërprerje në rrjetin elektrik dhe në qendrat e të dhënave.
Masa lidhet edhe me zgjerimin e shpejtë të infrastrukturës amerikane të inteligjencës artificiale, e cila kërkon qendra të mëdha të dhënash dhe furnizim të qëndrueshëm me energji.
Kina kundërshton vendimin
Ambasada kineze në Uashington i kërkoi administratës amerikane të dëgjojë, siç u shpreh ajo, “zërat objektivë dhe racionalë” të komuniteteve të biznesit në të dyja vendet dhe të ndalojë “njollosjen e kompanive kineze dhe kërcënimin e tyre me sanksione”.
Pekini paralajmëroi se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme nëse veprimet amerikane shkaktojnë dëm material ndaj interesave kineze.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning, akuzoi Uashingtonin se po zgjeron në mënyrë të tepruar konceptin e sigurisë kombëtare për të penguar kompanitë kineze. Ajo deklaroi se proteksionizmi nuk do ta bëjë SHBA-në më konkurruese dhe se kufizimet mund të dëmtojnë edhe kompanitë dhe konsumatorët amerikanë.
Prodhuesit kinezë përballë humbjes së tregut amerikan
Ndër kompanitë që pritet të preken më shumë është Unitree Robotics, një nga prodhuesit më të mëdhenj kinezë të robotëve humanoidë dhe katërkëmbësh. Kompania zotëron një pjesë të konsiderueshme të tregut botëror dhe pajisjet e saj përdoren edhe nga universitete dhe institucione kërkimore amerikane.
Sipas të dhënave të cituara nga Associated Press, rreth 15 mijë robotë humanoidë u dërguan në tregjet botërore gjatë vitit 2025. Kompanitë kineze Unitree dhe AGIBOT raportohet se dërguan secila më shumë se 5 mijë njësi, ndërsa kompani amerikane si Tesla dhe Figure AI dërguan vetëm disa qindra ose më pak.
Analistët vlerësojnë se kufizimi mund t’i mbrojë përkohësisht prodhuesit amerikanë nga konkurrenca e robotëve kinezë me çmime më të ulëta. Megjithatë, ai nuk pritet të ndalë zhvillimin e industrisë kineze, për shkak të kapacitetit të madh prodhues, kërkesës së brendshme dhe mundësive për eksport në Evropë dhe tregje të tjera.
Vendimi shënon një zgjerim të ri të përplasjes teknologjike ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit. Pas kufizimeve ndaj pajisjeve të telekomunikacionit, dronëve, gjysmëpërçuesve dhe teknologjive të avancuara, robotika po shndërrohet në një tjetër fushë strategjike të rivalitetit ndërmjet dy fuqive më të mëdha ekonomike të botës./Tetova News













