Bill Gates paralajmëroi të mërkurën se bota është rrezikshëm e papërgatitur për tronditjet që do të sjellë inteligjenca artificiale, ndërsa kjo teknologji pritet të shkatërrojë vende pune dhe të kërcënojë marrëdhëniet njerëzore, veçanërisht mes të rinjve.
Në një ese prej afro 6.000 fjalësh, të publikuar në blogun e tij, bashkëthemeluesi i Microsoft-it shkroi se kalimi drejt epokës së inteligjencës artificiale do të jetë një nga periudhat më të trazuara në historinë e njerëzimit dhe se deri tani askush nuk ka hartuar një plan bindës për mënyrën se si duhet menaxhuar ky transformim.
Qëndrimi i tij pritet të shkaktojë kundërshtime të forta nga shumë figura në Silicon Valley dhe nga administrata Trump, të cilët fajësojnë qëndrimet tepër pesimiste të disa drejtuesve të teknologjisë se po i japin revolucionit të IA-së një reputacion negativ.
“IA ose do të jetë barazuesi më i madh që është shpikur ndonjëherë, ose burimi më i keq i padrejtësisë”, shkroi Gates, 70 vjeç, i cili tani drejton fondacionin filantropik që mban emrin e tij.
“Nuk ekziston asnjë plan për ta lehtësuar hyrjen në epokën e IA-së”, tha Gates, duke shtuar se me shumë gjasa do ta mbështeste një plan të tillë nëse do të ekzistonte.
“Megjithatë, nuk mendoj se kjo do të ndodhë. Stimujt gjeopolitikë dhe ekonomikë po ushtrojnë presion shumë të madh që të ecet përpara me shpejtësi të plotë”, paralajmëroi ai.
Gates identifikoi tri rreziqe kryesore që, sipas tij, burojnë nga përhapja e shpejtë e inteligjencës artificiale.
Rreziku i parë: shkatërrimi i përhershëm i vendeve të punës
Rreziku i parë është humbja e përhershme e vendeve të punës.
Gates këmbënguli se krahasimet me kalimin historik nga puna në bujqësi drejt punëve në zyra janë të gabuara, sepse ai transformim u zhvillua përgjatë disa brezave dhe krijoi profesione të reja që vazhdonin të kërkonin mendim njerëzor.
Inteligjenca artificiale, sipas tij, mund të zëvendësojë vetë procesin e të menduarit.
Ai paralajmëroi se brenda afërsisht një dekade IA-ja mund të godasë fuqishëm profesione dhe sektorë si drejtësia, mjekësia, shërbimi ndaj klientëve, zhvillimi i softuerëve dhe industria prodhuese.
Pozitat fillestare dhe ato të nivelit të mesëm janë më të ekspozuarat, tha Gates, duke bërë që të rinjtë që hyjnë në tregun e punës të përballen me shumë më pak mundësi punësimi.
Më pas, sipas tij, do të preken edhe punët fizike, ndërsa robotët bëhen gjithnjë e më të lirë. Sektorë si ndërtimtaria dhe hoteleria pritet të ndiejnë presionin që deri në fund të kësaj dekade.
Gates sugjeroi madje se disa vende pune duhet të rezervohen posaçërisht për njerëzit, edhe në rastet kur inteligjenca artificiale mund t’i kryejë ato më mirë dhe me kosto më të ulët.
Rreziku i dytë: IA u jep aftësi të reja aktorëve keqdashës
Rreziku i dytë, sipas Gates, lidhet me faktin se inteligjenca artificiale mund t’u japë aftësi të reja dhe shumë më të fuqishme personave ose grupeve keqdashëse.
Gates tha se ekspertët e sigurisë kibernetike me të cilët është në kontakt janë të alarmuar, sepse sulmuesit po përparojnë më shpejt sesa mbrojtësit arrijnë të identifikojnë dhe të mbyllin dobësitë e sistemeve.
Sipas tij, të ekspozuara janë spitalet, bankat, sistemet e furnizimit me ujë dhe rrjetet elektrike.
Rreziku i tretë: fëmijët dhe marrëdhëniet njerëzore
Fusha e tretë e rrezikut lidhet me fëmijët dhe marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.
Duke iu referuar kërkimeve shkencore, Gates tha se chatbot-ët e inteligjencës artificiale, të cilët kurrë nuk e kundërshtojnë apo nuk e bezdisin përdoruesin, rrezikojnë të krijojnë varësi dhe t’ua mohojnë njerëzve mundësinë për të zhvilluar aftësi sociale.
Botët e IA-së “na privojnë nga mësimet që i marrim përmes lidhjeve me njerëzit e tjerë”, shkroi ai.
Sipas Gates, ndërveprimet e vazhdueshme me sisteme që gjithmonë përshtaten me dëshirat e përdoruesit mund të jenë veçanërisht problematike për të rinjtë, të cilët kanë nevojë për përvoja të vërteta shoqërore për të mësuar të përballen me mospajtime, zhgënjime dhe marrëdhënie komplekse njerëzore.
Gates pranon lidhjet e tij të forta financiare me industrinë teknologjike
Gates pranoi gjithashtu se vazhdon të ketë lidhje të thella financiare me industrinë e teknologjisë.
Ai tha se fitimet nga investimet do t’i kalojnë fondacionit të tij, i cili planifikon të shpenzojë 200 miliardë dollarët e mbetur gjatë dy dekadave të ardhshme.
Eseja e Gates u publikua disa muaj pasi ai u mor në pyetje nga Komisioni për Mbikëqyrje i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së lidhur me marrëdhëniet e tij me Jeffrey Epstein, financierin e ndjerë amerikan të dënuar për krime seksuale.
Gates u tha ligjvënësve në qershor se lidhja e tij me Epstein kishte qenë “një gabim i rëndë në gjykim”./DAWN















