Diçka po lëviz në ekonominë gjermane: indeksi Ifo i klimës së biznesit është përmirësuar ndjeshëm. Ekonomia tashmë është rritur mjaft fuqishëm për tre tremujorë radhazi — pavarësisht krizave të shumta.
Ekonomia gjermane po shkon drejt një rritjeje më të fuqishme. Në këtë përfundim kanë arritur ekonomistët pasi klima e biznesit u përmirësua ndjeshëm në gusht dhe Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) u rrit më shumë nga sa ishte vlerësuar fillimisht në tremujorin e dytë.
Pavarësisht rritjes së përsëritur të çmimeve të energjisë, ekonomia gjermane po rimëkëmbet, deklaroi Clemens Fuest, president i Institutit Ifo në Mynih.
Indeksi i klimës së biznesit i Institutit Ifo u rrit në gusht nga 86,7 në 88,8 pikë. Rreth 9.000 kompanitë e anketuara nga Instituti Ifo e vlerësojnë situatën e tyre aktuale të biznesit më pak negativisht. Mbi të gjitha, ato janë dukshëm më optimiste për të ardhmen. Pas tre tremujorësh me rritje ekonomike, besimi po rikthehet ngadalë, bëri të ditur instituti.
Sipas Zyrës Federale të Statistikave të Gjermanisë, PBB-ja reale u rrit me 0,3 për qind në periudhën prill-qershor krahasuar me tremujorin paraardhës. Kjo ishte një rritje po aq e fortë sa ajo në fund të vitit 2025 dhe vetëm pak më e dobët se në fillim të këtij viti.
Pas tre vitesh recesioni dhe stanjacioni, po shfaqet kështu një rimëkëmbje ekonomike që, deri më tani, është treguar relativisht e qëndrueshme përballë sfidave të tilla si rritja e çmimeve të energjisë dhe pasiguria në Gjirin Persik.
Ekonomistët i konsiderojnë thatësirën e javëve të fundit dhe nivelet e ulëta të ujit në lumin Rajn si një pengesë të përkohshme, e cila nuk pritet ta përmbysë prirjen e përgjithshme të rimëkëmbjes ekonomike.
Në raportin e saj mujor të publikuar javën e kaluar, Bundesbank shkroi se nivelet e ulëta të ujit po ndikojnë dukshëm në aktivitetin e përgjithshëm ekonomik gjatë tremujorit të tretë. Sipas bankës qendrore gjermane, PBB-ja pritet të rritet “vetëm lehtë, në rastin më të mirë”, gjatë periudhës korrik-shtator.
Duke parë të gjithë vitin, disa ekonomistë shohin potencial për rritje të mëtejshme, pavarësisht zgjerimit relativisht të fuqishëm në gjysmën e parë të vitit.
Mesatarisht, ekonomistët tashmë presin që ekonomia gjermane të rritet me pak më pak se një për qind këtë vit, krahasuar me vetëm 0,2 për qind vitin e kaluar. Ky parashikim tashmë merr parasysh faktin se shpenzimet shtetërore të financuara me borxh pritet ta stimulojnë gjithnjë e më shumë kërkesën në sektorin privat.
Megjithatë, ekonomistë të tjerë paralajmëruan të martën kundër optimizmit të tepruar, duke theksuar se përbërësit e rritjes ekonomike po shfaqin gjithashtu shenja dobësie.
Rritja gjatë tremujorit të dytë u mbështet kryesisht nga eksportet, të cilat u shtuan me dy për qind krahasuar me tremujorin paraardhës. Eksportet drejt vendeve të tjera të Bashkimit Evropian patën një ecuri veçanërisht të mirë, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Kina humbën peshë si tregje destinacioni për eksportet gjermane.
Performanca e fuqishme e eksporteve lidhet gjithashtu me luftën Iran-Irak, pasi frika nga rritja e çmimeve dhe nga ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit nxiti kompanitë t’i përshpejtonin porositë. Këtë e theksuan ekonomistët e Oxford Economics.
Si pasojë, në muajt e ardhshëm pritet një dobësim i eksporteve. Megjithatë, sipas një ankete të Ifo-s, pritjet e kompanive gjermane për eksportet janë përmirësuar ndjeshëm. Këtë e deklaroi për Frankfurter Allgemeine Zeitung drejtori i anketimeve në Ifo, Klaus Wohlrabe.
Pavarësisht stimulimit shtetëror përmes shpenzimeve të financuara me borxh për infrastrukturën dhe mbrojtjen, kërkesa e brendshme mbeti e dobët në tremujorin e dytë, duke u rritur vetëm me 0,1 për qind.
Konsumi privat i familjeve dhe konsumi shtetëror pothuajse ngecën, me një rritje prej vetëm 0,1 për qind secili. Sektori publik bëri një pauzë pasi e kishte rritur ndjeshëm konsumin gjatë katër tremujorëve të mëparshëm.
Formimi bruto i kapitalit fiks, një nga përbërësit më të rëndësishëm për rritjen ekonomike të ardhshme, u tkurr me 0,2 për qind, sepse shtimi i investimeve shtetërore në infrastrukturë dhe pajisje ushtarake nuk arriti të kompensonte rënien e investimeve private.
Ndërkohë, investimet e kompanive në pajisje u rritën gjatë gjysmës së parë të vitit dhe, për herë të parë që nga gjysma e parë e vitit 2023, ndodhen mbi nivelin e një viti më parë.
Kjo sugjeron se investimet e bizneseve në makineri dhe pajisje të tjera mund ta kenë kaluar pikën më të ulët të prirjes së tyre shumëvjeçare në rënie.
Rënia e përgjithshme e investimeve private, që vazhdon që nga viti 2023, kohët e fundit është shkaktuar kryesisht nga tkurrja e investimeve në ndërtimin e banesave.
Edhe pse industria e ndërtimit ka raportuar një prirje rritëse të porosive që nga fillimi i vitit dhe vëllimi i porosive të reja në qershor u rrit me gjashtë për qind krahasuar me majin, pas përshtatjes me inflacionin, kjo ende nuk është pasqyruar në investimet reale në ndërtim. Përjashtim përbëjnë projektet e inxhinierisë civile të porositura nga shteti.
Deficiti shtetëror arrin në 3,1 për qind në gjysmën e parë të vitit
Pavarësisht ndikimit ende modest të rritjes së shpenzimeve publike në ekonomi, shteti gjerman shpenzoi 71,3 miliardë euro më shumë sesa arkëtoi gjatë gjysmës së parë të vitit.
Deficiti ishte 36,6 miliardë euro më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Veçanërisht qeveria federale e rriti ndjeshëm deficitin e saj, me rreth 29 miliardë euro, duke e çuar atë në pak më shumë se 48 miliardë euro.
Në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, deficiti gjatë gjysmës së parë të vitit arriti në 3,1 për qind.
Parashikimet tregojnë se deficiti pritet të rritet nga 2,7 për qind vitin e kaluar në më shumë se katër për qind vitin e ardhshëm.
Në tregjet financiare ndërkohë po shtohen diskutimet nëse Gjermania, për shkak të deficitit në rritje dhe ritmeve të dobëta të rritjes ekonomike, mund të humbasë vlerësimin maksimal të kreditit AAA.
Megjithatë, kompanitë gjermane aktualisht po mbështeten në një perspektivë më pozitive.
Ekonomisti i Ifo-s, Klaus Wohlrabe, i tha FAZ-it se pasiguria e përgjithshme mes bizneseve po zvogëlohet. Besimi po rikthehet gradualisht.
Klima e biznesit u përmirësua ndjeshëm në gusht, veçanërisht në industrinë përpunuese. Wohlrabe përmendi si shembull të rëndësishëm industrinë elektrike, ku indeksi i klimës së biznesit nuk është më në territor negativ.
Kjo do të thotë se, në përgjithësi, tashmë ka më shumë kompani në këtë sektor që e vlerësojnë pozitivisht situatën aktuale dhe perspektivën e tyre sesa kompani që japin një vlerësim negativ.
Sipas Wohlrabe, kjo lidhet ndër të tjera me investimet në qendrat e të dhënave, përfshirë qendrat që përdoren për zhvillimin dhe funksionimin e inteligjencës artificiale.
Ekonomisti tha se gushti ishte gjithashtu një muaj pozitiv për industrinë e metaleve, inxhinierinë mekanike dhe industrinë kimike.
Në të kundërt, industria e automobilave pësoi një goditje të konsiderueshme.
Ndryshe nga sektorët e tjerë të përmendur, ku klima e biznesit po përmirësohet, Instituti Ifo raporton se treguesi i besimit në industrinë automobilistike vazhdon të lëvizë brenda një intervali të ngushtë, pa ndonjë përmirësim të dukshëm.
Nga Patrick Welter, Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ)















