Ballina IA Ligjet e fundit të qeverisë Meloni do të hartohen me ndihmën e...

Ligjet e fundit të qeverisë Meloni do të hartohen me ndihmën e inteligjencës artificiale

Dymbëdhjetë punonjës të Palazzo Chigi do të trajnohen nga ekspertët e Treccanit

Nga Fosca Bincher

Në muajt e fundit të legjislaturës, qeveria italiane po përgatitet të përdorë inteligjencën artificiale edhe gjatë hartimit të ligjeve. Në shtator dhe tetor, një grup i sapokrijuar pune pranë Presidencës së Këshillit të Ministrave do të ndjekë trajnime të posaçme për përdorimin e IA-së në përgatitjen e teksteve që shqyrtohen përpara mbledhjeve të Këshillit të Ministrave.

Nga 18 deri më 25 shtator dhe nga 2 deri më 9 tetor, një grup i përzgjedhur prej 12 punonjësish të Presidencës së Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga Giorgia Meloni, do të trajnohet nga profesorët e Treccanit për përdorimin e inteligjencës artificiale në hartimin e teksteve ligjore që do t’i paraqiten Këshillit të Ministrave.

Kursi është miratuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Palazzo Chigi dhe do të kushtojë 5.141,82 euro, pa përfshirë TVSH-në. Sipas artikullit, kostoja për çdo pjesëmarrës do të jetë 482,485 euro, plus TVSH. Secili prej 12 punonjësve do të ndjekë 16 orë mësimore në selinë e Akademisë Treccani, në sheshin “Enciclopedia” në Romë.

Publicitet

Kurs i specializuar për përdorimin e IA-së në hartimin e legjislacionit

Në vendimin administrativ të publikuar nga Departamenti i Personelit pranë Sekretariatit të Përgjithshëm bëhet e ditur se trajnimi titullohet:

“Inteligjenca artificiale për hartimin normativ dhe vlerësimin e ndikimit”.

Kursi organizohet nga Treccani Accademia S.r.l. dhe synon të përmirësojë aftësitë profesionale të punonjësve që merren me përgatitjen e legjislacionit.

Trajnimi do të përqendrohet në analizimin e ndihmës konkrete që mund të ofrojë inteligjenca artificiale gjatë shpjegimit dhe hartimit të teksteve normative, analizimit dhe verifikimit të ndikimit të rregulloreve, si dhe monitorimit të politikave publike.

Palazzo Chigi synon që punonjësit të fitojnë njohuri mbi pasojat juridike dhe teknologjike të përdorimit të IA-së, veçanërisht në hartimin e teksteve normative dhe në fazat e ndryshme të procesit rregullator.

Task-forca prej 12 punonjësish

Në trajnim do të marrë pjesë task-forca e sapokrijuar, e cila do të angazhohet në aktivitetet përgatitore legjislative dhe në mbledhjet që zhvillohen përpara Këshillit të Ministrave.

Task-forca përbëhet nga 12 punonjës të Presidencës së Këshillit të Ministrave. Sekretariati i Përgjithshëm ka vlerësuar se kursi i Treccanit u përgjigjet plotësisht nevojave për ngritjen profesionale të anëtarëve të saj.

Në veçanti, trajnimi pritet të forcojë njohuritë e tyre mbi aspektet juridike dhe teknologjike të inteligjencës artificiale, përdorimin e saj në hartimin e teksteve ligjore dhe zbatimin e saj gjatë fazave të ndryshme të procesit rregullator.

Mbetet shpresa që, me ndihmën e ChatGPT-së ose të programeve të tjera të inteligjencës artificiale, ligjet italiane të hartohen disi më mirë se në të kaluarën./https://www.open.online/

Shënim redaksional: Titulli i artikullit është më kategorik sesa përmbajtja. Dokumenti i përshkruar nuk thotë se IA-ja do t’i shkruajë vetë ligjet, por se punonjësit do të trajnohen për ta përdorur atë si mjet ndihmës në hartimin dhe vlerësimin e teksteve normative. Po ashtu, shifrat e kostos së përgjithshme dhe të kostos për pjesëmarrës, ashtu siç paraqiten në artikull, nuk përputhen matematikisht.