Ballina IA MAHA paralajmëron Trumpin kundër qendrave të të dhënave për IA që furnizohen...

MAHA paralajmëron Trumpin kundër qendrave të të dhënave për IA që furnizohen me energji nga qymyri

Figura të njohura të lëvizjes Make America Healthy Again (MAHA) po i bëjnë thirrje presidentit Donald Trump që “qendrat e të dhënave nuk duhet të bëhen justifikim për djegien e më shumë qymyrit.”

Pse ka rëndësi: Apeli, i paraqitur në një letër të përbashkët, bie ndesh me mbështetjen që zyrtarët e administratës Trump po i japin qymyrit si një nga burimet për furnizimin me energji të bumit të inteligjencës artificiale.

Letra përmend pasojat e qymyrit për shëndetin publik dhe mjedisin, për shkak të ndotjes nga grimcat e blozës, merkurit dhe nënprodukteve të njohura si “hiri i qymyrit”, të cilat përmbajnë metale të rënda.

Pamja e përgjithshme: Letra sinjalizon një përfshirje më të madhe të lëvizjes MAHA në debatin për qendrat e të dhënave dhe burimet e energjisë që i furnizojnë ato.

Nënshkruesit i bëjnë thirrje administratës që të mbledhë drejtues të MAHA-s, fermerë, mjekë dhe përfaqësues të tjerë për të hartuar “standarde për infrastrukturën e IA-së që vendosin shëndetin në plan të parë.”

Sipas letrës, ekzistojnë alternativa më të mira energjetike, ndër të cilat përmenden energjia diellore e kombinuar me sisteme për ruajtjen e energjisë, teknologjitë e avancuara gjeotermale dhe rritja e efikasitetit energjetik.

Zhvillimi i fundit: Mes shumë personave që kanë nënshkruar letrën janë:

Publicitet
  • Zen Honeycutt, themeluese e organizatës Moms Across America;
  • Charles Eisenstein, i cili ishte shkrues fjalimesh dhe këshilltar në fushatën presidenciale të vitit 2024 të sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr.;
  • Aimee Villella McBride, drejtoreshë ekzekutive e Global Wellness Forum;
  • David Murphy, themelues dhe drejtor ekzekutiv i United We Eat.

Përveç presidentit Trump, letra e përbashkët u është dërguar edhe Robert F. Kennedy Jr., kreut të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) Lee Zeldin, sekretarit të Energjisë Chris Wright dhe sekretares së Bujqësisë Brooke Rollins.

Gjendja aktuale: Administrata Trump po ndërmerr hapa në disa drejtime për të nxitur prodhimin e energjisë nga qymyri dhe shpesh përmend kërkesën e jashtëzakonshme për energji nga inteligjenca artificiale si një nga arsyet.

Një urdhër ekzekutiv i prillit 2025 e cilëson qymyrin si “kritik” për përballimin e rritjes së kërkesës për energji elektrike nga qendrat e të dhënave dhe nevoja të tjera.

Departamenti amerikan i Energjisë gjithashtu ka njoftuar qindra milionë dollarë financime që synojnë ruajtjen dhe madje zgjerimin e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri.

Çfarë thonë përfaqësuesit e MAHA-s: Rritja e numrit të qendrave të të dhënave dhe burimet me të cilat ato furnizohen me energji janë bërë një fushë e re interesi për Moms Across America dhe për shumë pjesëtarë të lëvizjes MAHA, tha Zen Honeycutt, duke theksuar megjithatë se ajo nuk flet në emër të gjithë lëvizjes.

“MAHA nuk ka të bëjë vetëm me… largimin e pesticideve nga ushqimi ynë apo me sigurimin që vaksinat të jenë të sigurta. Ne angazhohemi që toksinat të mos ndikojnë në shëndetin e familjeve tona, komuniteteve tona dhe fermerëve”, tha ajo në një intervistë.

Honeycutt shtoi:

“Kjo është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme që po shfaqet në një mënyrë të re për lëvizjen MAHA.”

Për kontekst: Letra publikohet në një kohë kur qendrat e të dhënave po përballen me kundërshtim gjithnjë e më të madh, ndërsa politikanë si nga Partia Republikane, ashtu edhe nga Partia Demokratike, po propozojnë kufizime të reja ndaj kësaj industrie.

Përfundimi: Shtetet e Bashkuara mund të jenë udhëheqëse në inteligjencën artificiale, energji dhe siguri, “pa u kërkuar fëmijëve të mbajnë më shumë merkur në trupin e tyre, më shumë blozë në mushkëri, më shumë metale të rënda në tokë dhe ushqim apo më shumë ndotje në ujin e tyre”, thuhet në letër./Axios