Sipas një studimi të Institutit Robert Koch (RKI), një pjesë e madhe e njerëzve në Gjermani nuk flenë mjaftueshëm.
Nga analiza që instituti publikoi të mërkurën në revistën shkencore “Journal of Health Monitoring” rezulton se gjatë ditëve të punës pothuajse 40 për qind e të anketuarve flenë më pak se shtatë orë në natë. Studimi analizoi gjithashtu pasojat shëndetësore që lidhen me kohëzgjatjen e shkurtër të gjumit.
Sipas rekomandimeve ndërkombëtare, gjumi prej më pak se shtatë orësh konsiderohet i shkurtër.
Nga të dhënat e RKI-së rezulton se gjatë javës 39,6 për qind e personave të përfshirë në studim flinin më pak se shtatë orë, ndërsa gjatë fundjavës kjo përqindje binte në 22,7 për qind.
Studimi tregoi gjithashtu se burrat flinin më shpesh më pak se gratë. Veçanërisht të prekur ishin burrat e moshës 45 deri në 64 vjeç: 53 për qind e tyre kishin një kohëzgjatje të shkurtër të gjumit.
Sipas RKI-së, studimi tregon gjithashtu një lidhje mes kohëzgjatjes së gjumit dhe rreziqeve shëndetësore si tensioni i lartë i gjakut, obeziteti, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare.
Gjumi i shkurtër konsiderohet gjithashtu faktor rreziku për depresionin dhe gjendjet e ankthit.
Në përmirësimin e gjumit luajnë rol kushtet e ambientit ku flihet dhe oraret e gjumit, si dhe zhurma, temperatura dhe ekspozimi ndaj dritës.
Edhe puna gjatë natës dhe puna me turne ndikojnë në cilësinë dhe kohëzgjatjen e gjumit.















