OpenAI ra dakord të martën të paguajë 3,2 milionë dollarë për të zgjidhur pretendimet e Departamentit amerikan të Drejtësisë se kompania kishte diskriminuar punëtorët amerikanë, duke favorizuar për vende pune mbajtësit e vizave të përkohshme, njoftoi Departamenti i Drejtësisë.
Pse ka rëndësi: Vendosja e një gjobe shumëmilionëshe ndaj njërës prej kompanive më të mëdha të inteligjencës artificiale në botë është një paralajmërim për sektorin e teknologjisë se administrata Trump po ashpërson masat ndaj kompanive që manipulojnë sistemin e vizave për të anashkaluar fuqinë punëtore amerikane.
Çfarë u deklarua: „Është e paligjshme të diskriminohen punëtorët amerikanë duke u dhënë përparësi për vende pune mbajtësve të vizave të përkohshme“, deklaroi Harmeet K. Dhillon, ndihmësprokurore e përgjithshme, në një komunikatë të publikuar të martën.
„Kjo marrëveshje e rëndësishme siguron që OpenAI të kompensojë dëmin dhe të ndryshojë praktikat e rekrutimit, në mënyrë që punëtorët amerikanë të kenë mundësi të drejta për të konkurruar për pozicionet shumë të kërkuara në sektorin e teknologjisë“, shtoi ajo.
Qëndrimi i palës tjetër: Një zëdhënës i OpenAI-t deklaroi për Axios, nëpërmjet një përgjigjeje me email, se misioni i kompanisë është „të sigurojë që inteligjenca e përgjithshme artificiale të jetë në dobi të të gjithë njerëzimit“.
„Përmbushja e këtij misioni dhe ruajtja e udhëheqjes së Amerikës në fushën e inteligjencës artificiale kërkon tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve më të mira nga Shtetet e Bashkuara dhe nga e gjithë bota.“
„Megjithëse nuk pajtohemi me konstatimet e Departamentit të Drejtësisë, e arritëm këtë marrëveshje për ta zgjidhur çështjen dhe për të vazhduar me programin tonë PERM, i cili është shumë i rëndësishëm për punonjësit dhe kandidatët që kanë nevojë për mbështetje lidhur me procedurat e emigracionit“, deklaroi zëdhënësi.
Çfarë dihet deri tani: Departamenti i Drejtësisë pretendon se OpenAI OpCo LLC dhe kompania e saj vartëse Statsig Inc. nuk i kishin publikuar vendet e punës në faqet e tyre zyrtare përpara se t’i plotësonin ato nëpërmjet procesit të certifikimit të përhershëm të punës, të njohur si PERM, ndonëse pozicionet e tjera të lira i reklamonin rregullisht.
Departamenti pretendon gjithashtu se OpenAI i kishte dekurajuar punëtorët amerikanë që të aplikonin, ndër të tjera duke kërkuar që aplikimet të dërgoheshin me postë dhe duke i reklamuar pozicionet në radiostacione gjatë orëve të vona të natës.
Në hollësi: OpenAI do të paguajë 1,2 milionë dollarë si gjobë civile dhe do të ndajë dy milionë dollarë për punëtorët që, sipas Departamentit të Drejtësisë, kanë të drejtë për kompensim.
Çështja përfshinte më pak se dhjetë vende pune, por „shuma e marrëveshjes pasqyron dëmin që u shkaktohet punëtorëve amerikanë kur përjashtohen nga mundësia për të aplikuar për vende pune fitimprurëse në sektorin e teknologjisë“, sipas Departamentit të Drejtësisë.
Marrëveshja e detyron OpenAI-n t’i publikojë vendet e lira në faqet e veta të karrierës, të pranojë aplikime elektronike, të trajnojë personelin përkatës dhe t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe raportimit pranë Departamentit të Drejtësisë.
Pamja më e gjerë: Marrëveshja e së martës përbën rastin e 13-të të zgjidhur nga Departamenti i Drejtësisë që nga rifillimi, në vitin 2025, i nismës „Mbrojtja e punëtorëve amerikanë“.
Nisma synon ta forcojë zbatimin e ndalimit të diskriminimit në bazë të statusit të shtetësisë, të parashikuar nga Ligji amerikan për Emigracionin dhe Shtetësinë./Axios















