Ballina IA Prodhimi i çipave: Singapori, fituesi surprizë i bumit të inteligjencës artificiale

Prodhimi i çipave: Singapori, fituesi surprizë i bumit të inteligjencës artificiale

Nga Hendrik Ankenbrand, Singapor

Një në çdo dhjetë çipa në botë prodhohet në Singapor. Pikërisht kjo qendër financiare, e cila druhet nga pasojat e inteligjencës artificiale, po përfiton fuqishëm nga bumi i saj.

Surpriza më e madhe e Singaporit gjendet rreth gjysmë ore me makinë në veriperëndim të kullave vezulluese të bankave.

Këtu, në North Coast Drive pothuajse të zbrazët, në një zonë prej nga shihet shteti fqinj i Malajzisë, prapa mureve dhe portave të mbrojtura me tela me gjemba, deri në fund të vitit pritet të hyjë në funksion një fabrikë e re ku do të zhvillohen, montohen, paketohen dhe testohen çipa me shpejtësi të lartë për inteligjencën artificiale.

Fabrika pritet të krijojë 1.400 vende të reja pune.

Investitor i komplekseve të bardha industriale është kompania amerikane Micron, e cila po investon këtu shtatë miliardë dollarë, pranë impianteve të saj ekzistuese.

Vetëm pak më tej, prodhuesi amerikan i gjysmëpërçuesve hodhi disa muaj më parë themelet e një fabrike tjetër dykatëshe për “NAND Flash Wafer”.

Publicitet

Bëhet fjalë për çipa memorieje që në laptopë, telefona inteligjentë, serverë dhe qendra të të dhënave funksionojnë si një arkiv digjital ku ruhen fotografi, video, përmbajtje cloud dhe të dhënat e përdorura për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale.

Ndërtimi, me 65.000 metra katrorë sipërfaqe “clean room”, do t’i kushtojë Micronit edhe 24 miliardë dollarë.

Prodhimi pritet të nisë në vitin 2028 dhe fabrika duhet të krijojë edhe 1.600 vende pune industriale në Singapor.

Qendër financiare, por gjithnjë e më shumë edhe fuqi industriale

Në botë, qytet-shteti njihet kryesisht si qendër financiare dhe jo domosdoshmërisht si një qendër industriale.

Fabrika simpatike e Fordit në Upper Bukit Timah Road, e cila kur u ndërtua në vitin 1941 ishte uzina e parë e plotë e prodhimit të automobilave në Azinë Juglindore, prej gati gjysmë shekulli është vetëm muze.

Por kur Singapori publikoi në mesin e korrikut vlerësimin e parë të rritjes ekonomike për tremujorin e dytë, edhe zyrtarët e Ministrisë së Ekonomisë u befasuan nga shifra: 5,7%.

Në fund, rritja rezultoi edhe 0,2 pikë përqindjeje më e lartë.

Në mesin e gushtit, qeveria e rriti ndjeshëm parashikimin për rritjen ekonomike të gjithë vitit: nga një interval prej 2–4%, deri në 5,5%.

Një normë e tillë zakonisht shihet në ekonomitë në zhvillim, jo në një vend me paga të larta si Singapori, ku të ardhurat për frymë janë rreth dy të tretat më të larta se në Gjermani.

Singapori ia detyron këtë rritje të re pikërisht bumit të inteligjencës artificiale.

Në fakt, disponimi në ishull nuk është ndër më të mirët për shkak të sfidave të shumta.

Lufta në Iran dhe ofensiva tarifore e Donald Trumpit kërcënojnë statusin e Singaporit si një nga qendrat kryesore të globalizimit.

Por edhe më shumë shqetësim ka mes punonjësve me paga të larta në banka dhe kompani sigurimesh.

Ata druhen se mund t’i humbasin vendet e punës për shkak të modeleve gjuhësore të zhvilluara nga kompani si Anthropic, të cilat teorikisht mund të zëvendësojnë analistët financiarë, këshilltarët tatimorë, menaxherët e pajtueshmërisë dhe zhvilluesit e softuerit.

Kryeministri Lawrence Wong paralajmëroi më 1 maj se disa vende pune do të zhduken.

Për herë të parë në historinë e tij, qytet-shteti i njohur për modelin e tij jashtëzakonisht liberal ekonomik ka nisur të ofrojë edhe ndihmë për të papunët.

Amerikanët projektojnë motorin e IA-së, Singapori ndërton transmisionin

Por tani, pikërisht inteligjenca artificiale po e shpëton Singaporin nga një vit i vështirë për ekonominë botërore.

Prodhimi industrial i ishullit u rrit me 12,5% në tremujorin e dytë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kjo rritje lidhet me kërkesën globale për pajisje dhe komponentë harduerikë të inteligjencës artificiale.

Po bëhet gjithnjë e më e qartë se vendi i vogël, me një sipërfaqe afërsisht sa Hamburgu, është zhvilluar që nga vitet 1960 në një qendër elektronike që sot përbën një pjesë thelbësore fizike të zinxhirit të furnizimit të inteligjencës artificiale.

Singapori nuk ka zhvilluar ndonjë model të madh gjuhësor të vetin.

As çipat më të fuqishëm të performancës së lartë, si ata të Nvidia-s, nuk projektohen atje. Ata zhvillohen në Shtetet e Bashkuara dhe prodhohen kryesisht në Tajvan.

Por Singapori prodhon një në çdo dhjetë çipa në botë dhe një në çdo pesë makina të përdorura për prodhimin e gjysmëpërçuesve.

Në këtë mënyrë, ai furnizon “skeletin” që rrethon dhe mban në funksion makinerinë kompjuterike të inteligjencës artificiale.

Nëse amerikanët projektojnë motorin e përparimit të IA-së dhe tajvanezët e ndërtojnë atë, Singapori, në kuptim figurativ, furnizon transmisionin.

Mes kompanive vendase është AEM, furnizues singaporian i industrisë së gjysmëpërçuesve.

Makineritë e saj i testojnë çipat nën tension të lartë elektrik dhe temperatura të larta për të kontrolluar besueshmërinë e tyre përpara se të instalohen në serverë, telefona inteligjentë dhe qendra kompjuterike të IA-së.

Por pjesën më të madhe të industrisë e përbëjnë korporatat e mëdha ndërkombëtare, të cilat vlerësojnë infrastrukturën, stabilitetin ligjor dhe sigurinë e investimeve në ishullin pranë ekuatorit.

Një kompani vendase është edhe Silicon Box.

Start-up-i vetëm pesëvjeçar operon një fabrikë në Tampines, në lindje të Singaporit, ku çipat e prodhuar nga kompani të tjera “paketohen” në panele katrore.

Kjo teknikë mundëson ndarjen e tyre në blloqe të vogla modulare dhe rrit efikasitetin e tyre për aplikacionet e inteligjencës artificiale.

Singapori i tërhoqi kompanitë amerikane të teknologjisë që para 60 vjetësh

Edhe kompania gjermane Infineon nga Mynihu nuk e përdor Singaporin vetëm si zyrë shitjesh.

Gjermanët janë të pranishëm në ishull që nga viti 1970, fillimisht si pjesë e Siemensit.

Sot, Infineon jo vetëm që menaxhon nga ky qendër logjistike një pjesë të madhe të të ardhurave të tij vjetore.

Në Singapor, kompania prodhon gjithashtu gjysmëpërçues të fuqisë, sensorë, mikrokontrollues dhe çipa sigurie.

Këta komponentë kontrollojnë energjinë elektrike, menaxhojnë motorët dhe rrisin besueshmërinë e pajisjeve elektronike.

Ndërsa Micron prodhon në Singapor memorie për inteligjencën artificiale, rreth 400 studiues dhe zhvillues të Infineonit në ishull po punojnë për të gjetur mënyra për të përballuar kërkesën gjithnjë e më të madhe për energji të qendrave të të dhënave.

Megjithatë, Singapori nuk e fitoi vendin e tij në zinxhirin e furnizimit të inteligjencës artificiale brenda natës.

Që në vitin e pavarësisë, më 1965, qeveria nën udhëheqjen e themeluesit të shtetit, Lee Kuan Yew, nisi të tërhiqte në mënyrë të qëllimshme kompani elektronike nga Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Evropa.

Tre vjet më vonë mbërriti pionieri amerikan i gjysmëpërçuesve National Semiconductor dhe ndërtoi një fabrikë.

Më pas erdhën Texas Instruments, Hewlett-Packard dhe General Electric.

Nga perspektiva e sotme, montimi, lidhja me tela, testimi dhe paketimi i çipave të asaj kohe duken procese relativisht të thjeshta.

Por pikërisht aty nisi një ngritje shumëdekadëshe që e shndërroi Singaporin në një qendër të prodhimit të teknologjisë së lartë.

Prodhuesit vlerësonin veçanërisht furnizimin e qëndrueshëm me energji dhe ujë, por edhe faktin se në shtetin e njohur si “Zvicra e Azisë” pothuajse gjithçka tjetër funksiononte me efikasitet.

Frika nga IA-ja dhe përfitimi prej saj

Sot, pikërisht inteligjenca artificiale – teknologjia nga e cila shumë qytetarë të Singaporit kanë frikë – po nxit rritjen ekonomike të vendit.

Ministri i Ekonomisë, Gan Kim Yong, deklaroi në janar, gjatë hedhjes së gurthemelit të fabrikës së re të Micronit me vlerë 24 miliardë dollarë, se Singapori dëshiron të mbetet për kompanitë teknologjike një “nyje e besueshme dhe me cilësi të lartë në zinxhirin e furnizimit të inteligjencës artificiale”.

Por Singapori nuk do të ishte Singapor sikur qeveria të mos e frenonte menjëherë edhe entuziazmin.

Investimet e kompanive të teknologjisë mund të bien përsëri në të ardhmen – veçanërisht nëse bumi aktual i inteligjencës artificiale rezulton, në fund, se ka qenë një flluskë spekulative.

Burimi: F.A.Z