UEFA ka vendosur të tërhiqet nga kërcënimi për bojkotimin e kompeticioneve të FIFA-s, por përplasja politike me presidentin e organizatës botërore të futbollit, Gianni Infantino, nuk ka përfunduar.
Sipas raportimeve, objektivi i futbollit europian mbetet gjetja e një kandidati të vetëm që mund të sfidojë Infantinon në zgjedhjet e ardhshme për presidencën e FIFA-s, të planifikuara për muajin mars.
Vendimi për të hequr dorë nga bojkoti lidhet me garancitë e marra për braktisjen përfundimtare të projektit FIFA Forward Enterprise, i cili parashikonte përfshirjen e investitorëve privatë në menaxhimin komercial të kompeticioneve të FIFA-s.
Në këto kushte, UEFA pritet të zyrtarizojë tërheqjen e kërcënimit për bojkot, duke i hapur rrugë edhe pjesëmarrjes së kombëtareve europiane në turnetë e FIFA-s që janë planifikuar.
Megjithatë, në planin politik, qëndrimi i UEFA-s nuk ka ndryshuar. Organizata e drejtuar nga Aleksander Čeferin synon të ndërtojë një front alternativ ndaj Infantinos dhe beson se mund të gjendet një figurë që do të bashkonte federatat kundërshtare.
Për të fituar zgjedhjet presidenciale të FIFA-s, kandidati duhet të sigurojë të paktën 106 vota nga 211 federatat anëtare.
Deri tani nuk ka një kandidaturë zyrtare, por një prej emrave që përmendet si alternativë është Victor Montagliani, president i CONCACAF.
Ndërkohë, UEFA duket se ka hequr dorë edhe nga ideja e paraqitjes së një mocioni mosbesimi ndaj Infantinos, pasi një nismë e tillë konsiderohet shumë e vështirë për t’u realizuar për shkak të shumicës së lartë që do të kërkohej.
Kështu, beteja mes UEFA-s dhe FIFA-s nuk pritet të zhvillohet përmes bojkotit të kompeticioneve, por kryesisht në frontin politik dhe elektoral, me synimin e UEFA-s për të gjetur një rival që mund t’i marrë Infantinos drejtimin e FIFA-s.















