Ballina Bota Erdoğan: Inteligjenca artificiale po e zvogëlon rolin e njeriut në procesin akademik

Erdoğan: Inteligjenca artificiale po e zvogëlon rolin e njeriut në procesin akademik

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se inteligjenca artificiale po e nxjerr në masë të madhe punën njerëzore jashtë procesit dhe se kjo teknologji po paraqet një sfidë të re, duke shtuar se “edhe në proceset akademike faktori njerëzor po zvogëlohet”.

Presidenti Recep Tayyip Erdoğan foli në ceremoninë e hapjes së vitit akademik 2026-2027, të mbajtur në Qendrën e Kongreseve dhe Kulturës Beştepe.

Duke thënë se zhvillimet marramendëse në teknologjinë e inteligjencës artificiale janë kthyer në një sfidë për universitetet në disa fusha, Erdoğan deklaroi: “Qasja në informacion është bërë më e lehtë se kurrë më parë. Arritja te burimet dhe informacioni përmes modeleve të inteligjencës artificiale e ka nxjerrë në masë të madhe punën njerëzore jashtë procesit të kërkimit”.

Presidenti Erdoğan shtoi se faktori kryesor duhet të mbetet njeriu.

“Nëse nuk është njeriu në qendër, as informacioni që transmetohet nuk do të jetë i shëndoshë dhe i qëndrueshëm. Informacioni që nuk mbështetet në kërkim zhduket menjëherë”, tha ai.

“Dija është mjeti i vetëm që na afron me të vërtetën”

Pikat kryesore të deklaratave të presidentit Erdoğan:

“Uroj që viti i ri akademik të sjellë të mira. Ju dëshiroj një vit akademik në të cilin studentët tanë do të fitojnë njohuri dhe përvoja të reja dhe universitetet tona do t’u shtojnë arritje të reja sukseseve të tyre.

Edhe nëse barbarët që mbajnë maskën e qytetërimit harrojnë, sot dua të deklaroj edhe një herë se ne nuk do t’i harrojmë kurrë fëmijët në anën tjetër të Eufratit. Uroj mëshirën e Zotit për 74 mijë dëshmorët tanë në Gaza, shumica prej tyre fëmijë, të cilët ranë viktimë e terrorit shtetëror të Izraelit.

Nga këtu deri në Ballkan, dijetarët, studentët dhe medresetë tona e kanë gjallëruar hap pas hapi këtë hapësirë të gjerë. Në hartën tonë mendore, në qendër të dijes qëndron kuptimi, ndërsa në thelbin e kuptimit qëndron e vërteta. Trajtimi i shkencës si rrugë drejt së vërtetës është pasqyrim i këtij këndvështrimi. Dija është mjeti i vetëm që na afron me të vërtetën.

“Me inteligjencën artificiale, puna njerëzore po del jashtë procesit”

Universitetet janë shndërruar në institucione kërkimore ku dija jo vetëm mësohet, por edhe prodhohet. Zhvillimet marramendëse në teknologjinë e inteligjencës artificiale janë bërë sfiduese për universitetet tona në disa fusha. Qasja në informacion është bërë më e lehtë se kurrë më parë. Arritja te burimet dhe informacioni përmes modeleve të inteligjencës artificiale e ka nxjerrë në masë të madhe punën njerëzore jashtë procesit të kërkimit.

Në akademi, ndonjëherë të qenit në rrugë është më i dobishëm sesa arritja në destinacion. Ashtu siç e shohim në fabrikat pa ndriçim dhe pa punëtorë, edhe në proceset akademike faktori njerëzor po zvogëlohet. Marrëdhënia mes studentit dhe akademikut nuk përbëhet vetëm nga transmetimi i informacionit. Nëse faktori kryesor nuk është njeriu, informacioni që përcillet nuk do të jetë as i shëndoshë dhe as i qëndrueshëm. Informacioni që nuk mbështetet në kërkim zhduket menjëherë.

Ne kemi vënë në dispozicion mundësitë e shtetit tonë në mënyrë që qytetarët, pavarësisht nivelit të të ardhurave, të mund të arsimohen në qytetet ku jetojnë.

Kritika ndaj opozitës

Kemi rritur shumën e bursave që japim në nivelin bachelor, master dhe doktoraturë. Me vetëm 1.600 lira në muaj u sigurojmë studentëve universitarë strehim dhe u ofrojmë falas dy vakte ushqimi në ditë.

Herë pas here dalin disa dhe, me një qasje jashtëzakonisht reduktuese, kritikojnë faktin që kemi hapur universitete në çdo qytet dhe që kemi hapur dyert e universiteteve tona për studentët ndërkombëtarë. Të kundërshtosh përhapjen e universiteteve do të thotë të kundërshtosh barazinë e mundësive në arsim. Kushdo që shqetësohet nga hapja e universiteteve tona ndaj botës, do të thotë se nuk dëshiron rritjen e fuqisë së butë të vendit tonë.

Ne kundërshtojmë deri në fund qasjen e atyre që, duke pasur vetëm një çekiç në dorë, çdo problem e shohin si gozhdë. Sigurisht që mund të ketë mangësi, mund të ketë gabime dhe mund të ketë raste kur disa mundësi keqpërdoren. Nëse ka mangësi, ato plotësohen; nëse dikush ka gabuar, do të japë llogari.

Rritet përqindja e grave akademike

Ne duam që gratë të zënë vendin që meritojnë në akademi. Përqindja e grave akademike ka arritur në 47,17 për qind. Nëse shohim renditjet e institucioneve të pavarura, në kategorinë e artikujve dhe punimeve përmbledhëse renditemi në vendin e 15-të mes 213 vendeve. Kemi arritur mesataren e OECD-së. Në vitin 2026, gjashtë universitete tona u futën në 500 më të mirat në botë, dy prej tyre në 300 më të mirat. Jemi një nga vendet me rrjetin më të gjerë të arsimit të lartë në botë.

Këto shifra janë të rëndësishme, por për ne nuk janë të mjaftueshme. Nga pedagogët tanë presim që, në të njëjtën kohë, të zhvillojnë ide dhe koncepte që do t’i japin kuptim epokës. Veçanërisht në këtë periudhë, presim që universitetet tona të përmbushin edhe misionin e tyre të tretë, pra të kontribuojnë në ekonomi dhe në shoqëri./NTV