Me shikim të ashpër, kefijen tradicionale të vendosur mbi supe dhe xhambijen – kamën tradicionale jemenase – në brez, Abdel Malik al-Houthi përdor një retorikë të mprehtë më 8 tetor.
«Kjo shpatë që shohim në flamurin saudit nuk është nxjerrë kurrë nga milli, përveçse kundër kombit tonë islamik. Ajo nuk ka vrarë askënd tjetër përveç myslimanëve dhe nuk është drejtuar kundër askujt tjetër përveç nesh», deklaron ai me një zë të rëndë, ndërkohë që raketat balistike të lëshuara nga lëvizja rebele godasin aeroportin e Riadit, rreth një mijë kilometra larg.
Pas tij, në një mur ngjyrë ametisti, janë vendosur dy fletë. Në të parën është shkruar një varg nga Kurani, ndërsa në të dytën pesë rreshta me ngjyrë të gjelbër dhe të kuqe: «Allahu është më i madhi, vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, mallkim hebrenjve, fitore Islamit».
Videoja 50-minutëshe, e shpërndarë në rrjetet sociale dhe e transmetuar në ekrane gjigante në veri të Jemenit, rajon i kontrolluar nga lëvizja rebele, pa dyshim është komentuar gjerësisht edhe në Arabinë Saudite, të cilën huthistët e konsiderojnë armike.
Këtë herë, Abdel Malik al-Houthi shkon më larg se zakonisht:
«Kur agresori saudit paraqitet si mbrojtësi i vendeve të shenjta islame, ai gënjen dhe shpif».
Një akuzë e rëndë, vlerëson Jules Grange Gastinel, doktorant në Qendrën Kombëtare Franceze për Kërkime Shkencore (CNRS) dhe Institutin për Kërkime dhe Studime mbi Botën Arabe dhe Myslimane (IREMAM).
«Me këtë fjali, udhëheqësi huthist nënkupton se familja Al Saud dhe princi i kurorës Mohammed bin Salman (MBS) nuk kanë legjitimitetin për të garantuar mbrojtjen e vendeve të shenjta të Islamit. Më vonë gjatë fjalimit, ai pretendon se jemenasit do të ishin shumë më të aftë për të mbrojtur Mekën».
Në përgjithësi, vijon ky specialist i lëvizjes, «Abdel Malik al-Houthi e konsideron monarkinë saudite si një familje jobesimtarësh, të shitur te amerikanët, armiku tjetër i madh i regjimit huthist. Kështu duhet kuptuar logjika e përballjes së tij: ai dëshiron ta rrëzojë atë».
Luftëtarë malorë me sandale
Për të kuptuar konfliktin aktual, duhet të kthehemi në vitin 2014, kur huthistët, një lëvizje politiko-fetare e krijuar në veri të Jemenit gjatë viteve 1990, që identifikohet me zaidizmin, një degë e Islamit shiit, pushtuan kryeqytetin jemenas, Sananë, të vendosur mes maleve në një lartësi prej 2.200 metrash mbi nivelin e detit.
Për një kohë të gjatë, huthistët konsideroheshin si malësorë analfabetë, që luftonin me sandale dhe me armatim të dobët. Në fillim të viteve 2000, numri i tyre vlerësohej rreth 3.000 luftëtarë dhe aktiviteti i tyre kufizohej kryesisht në operacione guerile kundër pushtetit të atëhershëm.
Por Abdel Malik al-Houthi, i cili mori drejtimin e lëvizjes në vitin 2005, gradualisht i shndërroi ata në një forcë të stërvitur mirë, të pajisur me armë moderne dhe, mbi të gjitha, të përshkuar nga një ideologji islamiste shiite dhe antiamerikane.
Kur presidenti jetëgjatë i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, u rrëzua nga pushteti si pasojë e Pranverës Arabe në vitin 2011, ushtria huthiste, që tashmë numëronte dhjetëra mijëra luftëtarë, e detyroi qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të tërhiqej drejt qytetit-port të Adenit, një vend i njohur për admiruesit e poetit francez Arthur Rimbaud.
Të shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit në Jemen dhe ndikimi gjithnjë e më i madh i Teheranit pranë kufijve të tyre, sauditët nisën bombardimet kundër rebelëve në vitin 2015.
Por pa ndonjë sukses të madh.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, konflikti vazhdon ende.
Huthistët jo vetëm që u kanë rezistuar sulmeve të koalicionit arab të udhëhequr nga Riadi, por ndërkohë kanë rifituar epërsinë.
Ata kontrollojnë rreth 30 për qind të territorit të Jemenit, ku jeton 60 për qind e popullsisë, dhe e kanë zgjeruar veprimtarinë dhe fuqinë e tyre goditëse në të gjithë Lindjen e Afërt dhe Lindjen e Mesme.
Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ata nisën sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit, sulmuan anije në Detin e Kuq dhe, prej disa javësh, po godasin edhe Arabinë Saudite, e cila tashmë është përballur me sulme iraniane dhe me veprime ushtarake të milicive shiite irakiane.
Deri ku do të shkojë Abdel Malik al-Houthi?
Ky udhëheqës enigmatik, mosha e saktë e të cilit nuk dihet – besohet se ka lindur në fillim të viteve 1980 – ka fituar një peshë të jashtëzakonshme gjatë dy dekadave.
Për fëmijërinë e tij qarkullojnë shumë pak informacione.
«Ai u rrit në Saada, në një familje thellësisht fetare», rrëfen Maged al-Madhaji, drejtor i Qendrës Sana’a në Aden.
«Babai i tij, Badreddine al-Houthi, nga i cili lëvizja ka marrë emrin, ishte një nga dijetarët më të rëndësishëm zaiditë të brezit të tij. I lindur në një familje të madhe, Abdel Maliku u formua në një shoqëri konservatore, me struktura të forta fisnore, ku dituria fetare, prejardhja familjare dhe autoriteti shoqëror ishin të lidhura ngushtë. Megjithëse fillimisht u zhvillua si udhëheqës ushtarak dhe jo si predikues fetar, autoriteti i tij moral përfundimisht e tejkaloi atë të vëllezërve të tij».
Duke pretenduar titullin sejid (sayyed), që nënkupton pasardhës të profetit Muhamed, Abdel Malik al-Houthi mbetet pothuajse i paarritshëm.
Ai nuk shfaqet kurrë në publik.
Të gjitha fjalimet e tij regjistrohen paraprakisht dhe ai komunikon vetëm përmes shënimeve të shkruara me rreth dhjetë burra të besuar, të cilët përbëjnë zyrën e tij politike.
Sipas rrëfimeve, disa vizitorë që kanë kërkuar ta takojnë kanë udhëtuar drejt Sanasë, ku, pas një sërë devijimesh të gjata, janë dërguar në një shtëpi të zakonshme, ku supozohej se i priste udhëheqësi huthist.
Pas një pritjeje të gjatë, ata janë lejuar të ngjiteshin në katin e sipërm, ku më në fund kanë mundur ta shihnin… në një ekran të vendosur mbi tavolinë!
Udhëheqësi zaidit është shpallur i vdekur të paktën dy herë, por ai nuk bën asnjë kompromis kur bëhet fjalë për sigurinë personale.
«Megjithatë, kjo është edhe një mënyrë për ta shenjtëruar figurën e tij», vlerëson Jules Grange Gastinel.
«Si udhëheqës politik, ushtarak dhe fetar njëkohësisht, Abdel Malik al-Houthi dëshiron ta bëjë veten të paarritshëm, sipas modelit të Udhëheqësit Suprem iranian».
Mentorë libanezë dhe iranianë
Nacionalist dhe përkrahës i një Jemeni të ribashkuar – natyrisht nën drejtimin e huthistëve – Abdel Malik al-Houthi ka pasur disa mentorë.
Njëri prej tyre ishte ish-sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut libanez, Hassan Nasrallah.
«Hassan Nasrallah gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm mes atyre që në botën arabe kundërshtonin fuqinë perëndimore», kujton Maged al-Madhaji.
«Për këtë arsye, Nasrallahu ishte një model veçanërisht i rëndësishëm për Abdel Malikun. Ai formësoi botëkuptimin e tij politik dhe konceptin e udhëheqjes, ashtu siç bënë edhe Gardianët e Revolucionit iranian, të cilët e ndihmuan ta zhvillonte lëvizjen e tij».
Madje udhëheqësi huthist është frymëzuar nga modeli i tyre për të krijuar një strukturë të ngjashme.
«Ata quhen mushrif, që do të thotë ‘mbikëqyrës’», shpjegon Jules Grange Gastinel.
«Këta mbështetës besnikë janë integruar gradualisht në aparatin shtetëror dhe kanë marrë pozita mbikëqyrëse ndaj nëpunësve civilë, por edhe ndaj politikanëve, punën e të cilëve e kontrollojnë. Disa prej tyre nuk figurojnë madje as në organigramet zyrtare».
Megjithëse frymëzohet nga strukturat e pushtetit iranian dhe synon të krijojë imazhin e një Udhëheqësi Suprem, Abdel Malik al-Houthi e mbron me vendosmëri lirinë e tij të veprimit.
Ai nuk dëshiron të shihet si krahu i armatosur i Teheranit, siç është Hezbollahu, edhe pse shpreh mbështetje të pakushtëzuar për regjimin iranian në luftën e tij kundër amerikanëve dhe izraelitëve.
«Është e vërtetë se huthistët e admirojnë modelin iranian dhe se përputhja e tyre politike dhe ideologjike me Teheranin është forcuar vazhdimisht. Megjithatë, ata nuk e njohin Udhëheqësin Suprem iranian si autoritetin e tyre teologjik», kujton Maged al-Madhaji.
Një aleancë me Teheranin, por nën mbikëqyrje të ndërsjellë
Marrëdhënia mes huthistëve dhe Iranit duhet parë më shumë si një aleancë interesash, një «partneritet», siç e përkufizon Jules Grange Gastinel.
«Koordinimi i tyre në fushën e sigurisë dhe atë ushtarake është shumë i fortë, ashtu siç janë të dendura edhe lidhjet politike dhe diplomatike», thotë ai.
«Por të dyja palët mbikëqyrin njëra-tjetrën. Për shembull, përfaqësuesi diplomatik huthist në Teheran nuk shfaqet kurrë në shtypin qeveritar iranian, ndërsa ambasadori iranian në Sana është praktikisht nën një regjim kufizimi të lëvizjes».
Në fakt, huthistët nuk ndërhynë pas bombardimeve izraelito-amerikane të 28 shkurtit 2026, përveç lëshimit të disa raketave, rreth një muaj pas fillimit të armiqësive.
Vetëm në korrik, kur marrëveshja e brishtë e nënshkruar mes Uashingtonit dhe Teheranit u prish, huthistët hynë në veprim kundër Arabisë Saudite.
Bllokadë detare, bombardime të rafinerive dhe aeroporteve…
Situata vazhdon të jetë e tillë.
Forcat huthiste, të cilat sot vlerësohet se numërojnë 300.000 pjesëtarë, tashmë kanë arritur një objektiv.
Ato u kanë treguar kundërshtarëve se janë shndërruar në një forcë ushtarake të rëndësishme.
Dhe më e keqja ndoshta nuk ka ardhur ende.
Presioni në rritje që ato po ushtrojnë mbi Riadin, me miratimin e regjimit iranian, përbën kërcënimin më të madh ndaj Mbretërisë Saudite prej disa dekadash.
Ndërkohë, heshtja e madhe e aleatit amerikan nuk po e qetëson Mohammed bin Salmanin, i cili për një kohë të gjatë e ka nënvlerësuar kundërshtarin e tij dhe vendosmërinë e tij.
«Kjo është një lëvizje që ka lindur nga lufta, është zhvilluar në luftë dhe ekziston për luftën», përfundon Jules Grange Gastinel.
«Gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë është paqja».
Bota nuk e ka dëgjuar ende për herë të fundit emrin e Abdel Malik al-Houthit.
(L’Express)















