Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë (MİT) kapi Ömer el-Hatipin, një nga autorët sirianë të sulmit terrorist të vitit 2013 në Reyhanlı, ku humbën jetën 53 persona.
Ömer el-Hatipi, i kërkuar me njoftim të kuq të Interpolit, kishte marrë pjesë në planifikimin dhe organizimin e sulmeve në Reyhanlı. Ai siguronte gjithashtu koordinimin mes autorëve të sulmit dhe pjesëtarëve të shërbimeve të inteligjencës të lidhur me Bashar al-Assadin.
Në vitin 2013, Ömer el-Hatipi organizoi takimin mes Yusuf Nazikut, i cili planifikonte sulme kundër Turqisë, dhe Kifah Melhemit. Në këto takime u përcaktuan edhe hollësitë e planit të sulmit.
Fillimisht, në shkurt të vitit 2013, përpara sulmit, Ömer el-Hatipi dhe Yusuf Naziku hynë në Turqi përmes Hatayt dhe përcaktuan vendet ku do të kryhej sulmi. Mësohet se për këtë kishin marrë miratimin e Kifah Melhemit, i cili ndodhej në Latakia.
Në maj të vitit 2013, përpara datës së sulmit, Ömer el-Hatipi shkoi bashkë me Temir Dükancın në degën e Inteligjencës Ushtarake në Latakia, të njohur si Emn El Askeri, ku mori materialet që do të përdoreshin në mekanizmin shpërthyes. Automjeti i mbushur me eksploziv u dërgua në Reyhanlı nga Temir Dükancı dhe Yusuf Naziku dhe u hodh në erë me një mekanizëm shpërthyes të komanduar nga larg.
Menjëherë pas sulmeve, Ömer el-Hatipi i dërgoi Temir Dükancın dhe Yusuf Nazikun, të cilët kishin ikur në Siri, në degën e Inteligjencës Ushtarake në Latakia. Ömer el-Hatipi dhe personat e tjerë që kryen sulmin u shpërblyen me para nga regjimi i Bashar al-Assadit.
U kap teksa përpiqej të ikte drejt Evropës
MİT-i nisi punën për kapjen e autorëve menjëherë pas sulmit në Reyhanlı. Ashtu si në rastin e autorëve të tjerë, edhe veprimtaria e Ömer el-Hatipit në Siri u ndoq nga afër.
MİT-i e kapi Ömer el-Hatipin teksa përgatitej të ikte drejt Evropës përmes detit dhe më pas e solli në Turqi.
Nga autorët dhe planifikuesit e sulmit, Yusuf Naziku u kap në vitin 2018, Cengiz Serteli në vitin 2024, ndërsa Muhammed Dib Koralı dhe Temir Dükancı në vitin 2025.
Gjeneralmajori Kifah Melhem, i cili dha urdhrin për sulmin në Reyhanlı, u emërua në krye të Byrosë së Sigurisë Kombëtare nga Bashar al-Assadi në shkurt të vitit 2024.
Dihet se Kifah Melhemi iku jashtë vendit pas rënies së regjimit të Assadit.
Në sulmin në Reyhanlı humbën jetën 53 persona
Në dy shpërthime të veçanta që ndodhën në vitin 2013 pranë ndërtesës së bashkisë dhe përpara ndërtesës së postës PTT, në rrethin Reyhanlı të provincës Hatay, humbën jetën 53 persona. U dëmtuan gjithashtu 912 banesa, 891 biznese dhe 148 automjete.
Yusuf Naziku, një nga planifikuesit e sulmit në Reyhanlı, i cili ishte në arrati dhe u soll nga Siria përmes një operacioni të MİT-it, u dënua më 13 maj 2019 nga Gjykata e 9-të për Krime të Rënda e Ankarasë me gjithsej 53 dënime me burgim të përjetshëm në regjim të rënduar: një për cenimin e unitetit dhe tërësisë së shtetit dhe 52 për vrasjen e 52 personave, mes të cilëve pesë fëmijë.
Burimi: NTV














