Një person në Bartın u mashtrua për 794 mijë e 750 lira turke me premtimin se do t’i prishej «magjia».
N.T., 53 vjeç, iu drejtua prokurorisë në Bartın dhe denoncoi se ishte mashtruar për 794 mijë e 750 lira turke (14 mijë euro). Sipas tij, N.K., 57 vjeç, i kishte thënë se i kishin bërë magji dhe se, për ta prishur atë, duhej të flijohej një kafshë dhe të përgatitej një hajmali.
Në kuadër të hetimit të nisur pas kallëzimit, u zhvillua një operacion në banesën e N.K. në rrethin Talas të provincës Kayseri. Pasi u konstatua se N.K. i kishte dërguar 524 mijë lira nga paratë e përfituara C.K., 42 vjeç, u bastis edhe banesa e këtij të fundit në Bartın.
Gjatë kontrollit në banesën e C.K. u sekuestruan letra me shkrime të ndryshme, të cilat, në kuadër të hetimit, u vlerësuan se ishin përdorur për kryerjen e veprës penale, si dhe tre kompjuterë dhe katër telefona celularë. Në banesën e N.K. u gjet një telefon celular.
C.K., i cili u ndalua dhe u paraqit përpara autoriteteve gjyqësore, u la në paraburgim dhe u dërgua në burg. Mësohet se N.K., i cili gjithashtu u ndalua, do të paraqitet përpara autoriteteve gjyqësore në Kayseri pas përfundimit të procedurave.
Kryeprokuroria e Bartınit deklaroi se do të vijojë me vendosmëri hetimet për veprime që synojnë përfitime të paligjshme përmes shfrytëzimit të ndjenjave fetare dhe shpirtërore të qytetarëve./NTV/TN














