Intervista 75-minutëshe e presidentit Donald Trump për revistën Time nxori në pah qëndrimet e tij më të fundit për luftën në Iran, garën e inteligjencës artificiale — ose, siç e quan ai, SI — median dhe tema të tjera.
Intervista me një prej botimeve më historike të Shteteve të Bashkuara u jep votuesve një pasqyrë mbi drejtimin e vendit, rreth një muaj përpara zgjedhjeve të mesmandatit.
Trump nuk shfaqi pendesë në asnjë prej çështjeve: nga zgjatja e luftës në Iran dhe kundërshtimi ndaj rregullimit të inteligjencës artificiale, deri te kërcënimi se do t’u „kundërvihet” demokratëve nëse ata fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve.
Intervista ishte historike edhe për një arsye tjetër: kjo ishte paraqitja e 56-të e Trumpit në kopertinën e Time, duke „tejkaluar presidentin Richard Nixon, i cili e mbajti rekordin për më shumë se gjysmë shekulli”, sipas revistës.
Këto janë pesë përfundimet kryesore.
Trump për Iranin
Trump mbajti një qëndrim sfidues kur u pyet se përse lufta në Iran kishte zgjatur më shumë sesa afati që kishte përmendur fillimisht.
„Mund ta kisha ndalur atëherë, por doja të shkoja më tej”, tha Trump për Time.
Ai tha se shtypi ua kishte „ushqyer” amerikanëve parashikimin e tij fillestar se sulmet do të zgjasnin rreth katër deri në gjashtë javë, një afat që ai vetë ua kishte dhënë disa mediave në fillim të luftës. Trump gjithashtu kishte sugjeruar vazhdimisht se lufta ishte pranë përfundimit.
Ai përsëriti kërcënimin që kishte bërë përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, se mund ta „asgjësonte” Iranin.
Kur iu kërkua të shpjegonte se si përputhej kjo me pohimin se ai është „presidenti i paqes”, Trump u përgjigj: „Duke e asgjësuar Iranin, ne kemi krijuar paqe në botë.”
Ai tha gjithashtu se është „e mundur” që të intensifikojë bombardimet pas zgjedhjeve të mesmandatit dhe kundërshtoi raportimet e Pentagonit për mungesë municionesh.
Trump për rizgjedhjen e Netanyahut
Trump iu shmang pyetjeve nëse kryeministri Benjamin Netanyahu duhet të rizgjidhet në Izrael, ku zgjedhjet janë vetëm disa javë larg.
Ai tha se „nuk merret më me politikë”, por theksoi popullaritetin e tij në Izrael.
Kur u pyet përsëri, Trump vlerësoi mbështetjen amerikane për Izraelin, duke thënë: „Jo, gjëja ime kryesore — unë dua t’i ndihmoj ata të mbrojnë Izraelin.”
Për kandidatin kryesor të opozitës ndaj Netanyahut, ish-shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Gadi Eisenkot, Trump tha: „Nuk dëgjoj gjëra të këqija për të.”
Por ai shtoi: „Njerëzit e kanë konsideruar Bibin [Netanyahun] të mbaruar shumë e shumë herë, ashtu siç më kanë konsideruar edhe mua të mbaruar shumë e shumë herë. Unë nuk do ta nënvlerësoja Bibin.”
Trump për garën e inteligjencës artificiale dhe superinteligjencën
Trump vazhdoi t’i hidhte poshtë shqetësimet për kërcënimin që inteligjenca artificiale mund të paraqesë për njerëzimin, duke i quajtur ato „kërcënime të rreme”.
Kur Time e pyeti se kush qëndron pas këtij, sipas tij, komploti, Trump u përgjigj: „I gjithë vendi bazohet në gjëra të rreme, sepse këta njerëz kanë sindromën e çrregullimit nga Trumpi.”
Ai tha se nuk e dinte nëse në këtë kategori përfshihej edhe drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, i cili kishte darkuar me presidentin të dielën.
Trump tha se „masa mbrojtëse” e tij, në rast se laboratorët kryesorë të inteligjencës artificiale „bëjnë gjëra të këqija”, janë agjencitë federale të zbatimit të ligjit: „Kam Departamentin e Drejtësisë, kam FBI-në.”
Trump mbrojti gjithashtu qendrat e të dhënave që fuqizojnë zhvillimin e vrullshëm të inteligjencës artificiale, pavarësisht kundërshtimit të gjerë ndaj tyre.
„Do të doja të kishim qendra të të dhënave”, tha ai. „Kjo nuk do të thotë se i dua pikërisht pranë shtëpisë sime, por sigurisht që më pëlqen t’i kem në qarkun tim.”
Ai pranoi se „shumë politikanë janë kundër tyre”, por paralajmëroi: „Nëse nuk i ndërtojmë ne, ato do të ndërtohen diku tjetër.”
Trump për ndalimin e mediave dhe mbulimin mediatik
Pasi ndaloi tri media në Shtëpinë e Bardhë — dhe një gjykatës urdhëroi rikthimin e tyre — Trump vazhdoi të sulmonte „lajmet e rreme” për atë që ai e përshkroi si „artikull të keq pas artikulli të keq”.
Kjo ndodhi ndërsa Shtëpia e Bardhë e hoqi përsëri CNN-in nga grupi i kufizuar i gazetarëve që mbulonte udhëtimin e presidentit në Teksas dhe Oklahoma të enjten.
Trump kritikoi gjithashtu ashpër Time për pyetjet që iu bënë. Në përgjigje të një pyetjeje për shëndetin e senatorit Mitch McConnell, republikan nga Kentucky, ai tha: „Nuk më keni bërë as edhe një pyetje të vetme pozitive, dreqi ta hajë.”
Ai e përfundoi intervistën duke thënë: „Epo, shpresoj të kem një artikull të denjë. Nuk mendoj — e dini, është e vështirë të marrësh një artikull të mirë. Çdo pyetje është një sulm. Nuk e di ç’dreqin nuk shkon.”
Si i sheh Trump demokratët
Trump i tha Time se nuk mendon që demokratët do të marrin kontrollin e Kongresit pas zgjedhjeve të mesmandatit, veçanërisht nëse ai angazhohet në fushatë.
„Mendoj se do t’ia dalim mirë nëse bëj fushatë, dhe kam ndër mend ta bëj. Nëse bëj fushatë… ju nuk më jepni meritat e mjaftueshme. Kur bëj fushatë, u jap shumë njerëzve.”
Nëse demokratët fitojnë Dhomën e Përfaqësuesve, Trump parashikoi: „Ata ndoshta do të më vihen pas dhe unë do t’u vihem pas atyre.”
Megjithatë, kishte të paktën një demokrat për të cilin Trump ishte i gatshëm të shprehte vlerësim: kryebashkiakun e qytetit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani.
„Them se më pëlqen, mendoj se është i shkëlqyer, por mendoj se politikat e tij janë të çmendura”, tha Trump./Axios















