Ballina Bota Qeveria italiane dërgon edhe 500 ushtarë me kompetenca policore në Milano, parashikohet...

Qeveria italiane dërgon edhe 500 ushtarë me kompetenca policore në Milano, parashikohet ndalimi parandalues i të miturve

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Nga Tommaso Ciriaco

Mbledhje e thirrur nga Meloni: sot Këshilli i Ministrave shqyrton dekretin për një “përgjigje të vendosur”. Ashpërsohen dënimet për dëmtimin e pronës në rrethana rënduese. Crosetto kërkon që ushtarët e operacionit “Strade sicure” të kenë kompetenca për të ndërhyrë. Piantedosi dhe drejtuesit e policisë shprehin rezerva.

Jo thjesht një ashpërsim masash, por një strategji e “dorës së hekurt”, e shtrirë edhe ndaj të miturve. Një sërë propozimesh shumë të ashpra për personat nën 18 vjeç u hartuan gjatë mbledhjes së thirrur dje nga Giorgia Meloni në Palazzo Chigi, selia e qeverisë italiane. Deri në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, projekti mbetet në fazën e hartimit dhe, për rrjedhojë, nuk është përfundimtar. Ka të ngjarë që këtë mëngjes ai të diskutohet mes Alfredo Mantovanos dhe zyrave juridike të Presidencës së Republikës. Megjithatë, nëse miratohet, ai do t’u jepte forcave të rendit dhe ushtrisë kompetenca të gjera për të vepruar sipas vlerësimit të tyre. Vlen të shqyrtohen masat e propozuara, duke kujtuar fillimisht një hollësi jo të parëndësishme: disa prej tyre ishin shqyrtuar edhe gjatë muajve të kaluar, në kuadër të dekreteve të tjera për sigurinë, por ishin kundërshtuar nga Presidenca e Republikës. Tani qeveria po përpiqet sërish t’i miratojë.

Kryeministrja i thërret zëvendëskryeministrat pak para drekës, së bashku me ministrat përgjegjës për këtë çështje, drejtuesit e forcave të rendit dhe të shërbimeve të inteligjencës. Gjatë mbledhjes ngrihen dyshime për zbatueshmërinë dhe kushtetutshmërinë e disa prej dispozitave të mundshme. Megjithatë, mbi gjithçka mbizotëron vendosmëria e Melonit për t’i dërguar një “sinjal” vendit. Zgjedhjet po afrohen dhe, për kryeministren, qasja e mbështetur te parimi “ligj dhe rend” është e panegociueshme, edhe nëse kjo nënkupton rrezikun e një përplasjeje me Presidencën e Republikës.

Masa ndoshta më e debatueshme riprodhon pothuajse tërësisht nenin 2 të një projektligji për sigurinë, i cili prej kohësh ndodhet në Senat dhe pritet të përfshihet në dekretin e sotëm. Çfarë parashikon ai? Sipas tekstit, para së gjithash lejohet “kontrolli parandalues i të rinjve, përfshirë të miturit, në situata të karakterizuara nga grumbullimi i një numri të madh njerëzish, veçanërisht në zonat e të ashtuquajturës ‘movida’”, term që përdoret për jetën e natës.

Më tej, parashikohet “mundësia e identifikimit në vend, si dhe e shoqërimit të tyre në komisariat dhe mbajtjes, për një periudhë të kufizuar dhe të përcaktuar paraprakisht, me qëllim kryerjen e verifikimeve të nevojshme për identifikimin e plotë, si dhe të veprimeve përkatëse policore”.

Synimi është ndërmarrja e “veprimeve parandaluese” për “të penguar kryerjen e veprave penale”. Në praktikë, bëhet fjalë për ndalim parandalues deri në 24 orë në zonat e jetës së natës. Kjo masë do të lejonte mbajtjen e të miturve, edhe në rastet kur ata zotërojnë mjete prerëse ose helmeta, nëse ekzistojnë “arsye të bazuara për të besuar se mund të ndërmarrin veprime që paraqesin rrezik konkret për sigurinë”.

Pasi një person nën 18 vjeç shoqërohet në komisariat, duhet të njoftohen prokurori pranë gjykatës për të mitur dhe prindërit e tij. Këta të fundit do ta marrin të miturin në kujdes në momentin e lirimit.

Kjo nuk është masa e vetme shtrënguese e parashikuar në projektdekret. Qeveria synon të fuqizojë edhe operacionin “Strade sicure” (“Rrugë të sigurta”), duke shtuar 500 ushtarë në angazhimin e ushtrisë për një periudhë tremujore. Ata do të dislokoheshin në Milano, qytetin që është kthyer në epiqendrën e dhunës së ditëve të fundit.

Mbi të gjitha, ushtarëve do t’u jepej e drejta të ushtronin kompetenca të policisë gjyqësore, përfshirë arrestimin e personave të kapur në flagrancë gjatë kryerjes së një vepre penale.

Këtë masë Matteo Salvini e ka promovuar në rrjetet sociale si një nismë të tijën, por në të vërtetë ajo është konceptuar nga ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, dhe nënsekretari i tij, Matteo Perego, anëtar i Forza Italia-s, i cili synon të bëhet kandidati i qendrës së djathtë për kryetar të Bashkisë së Milanos.

Megjithatë, kjo zgjedhje ka ngjallur rezerva të forta te ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, dhe drejtuesit e policisë. Pikërisht në këtë kontekst, ministri i Mbrojtjes duket se përpiqet ta mbrojë propozimin, duke deklaruar se përforcimi i pranisë ushtarake, “që të ketë kuptim”, duhet të shoqërohet me “norma që u mundësojnë” ushtarëve “të veprojnë si forcat e policisë”.

Duke u mbështetur sërish në projektligjin që ndodhet tashmë në shqyrtim në Senat, procedura parlamentare e të cilit ishte parashikuar të rifillonte në shkurt 2027, qeveria vendos të ashpërsojë edhe dënimet për dëmtimin e pronës si pasojë e “akteve vandale dhe shkatërruese”. Sipas shpjegimeve të dhëna, kjo ndërhyrje synon të luftojë fenomenin e njohur si “Mala movida”, që lidhet me veprimtaritë kriminale dhe aktet e dhunës në zonat e jetës së natës.

Për këto vepra parashikohen dënime me burg nga një vit e gjashtë muaj deri në pesë vjet, si dhe gjoba deri në 15 mijë euro. Për personat që kryejnë dëmtim të pronës në grup, mund të zbatohet edhe arrestimi në flagrancë i shtyrë në kohë, mbi bazën e provave të mbledhura pas ngjarjes.

Një tjetër dispozitë që po shqyrtohet ka të bëjë me ndalimin e grumbullimeve, me synimin për të luftuar bandat. Ndërkohë, për aktet e dhunshme që mund të kryhen nga të miturit, po shqyrtohet mundësia që prefektit t’i jepet kompetenca për të vendosur sanksione administrative ndaj prindërve të tyre.

Një tjetër masë kufizuese, megjithëse nuk është pjesë e dekretit të mundshëm, po shqyrtohet këto ditë në Parlament. Bëhet fjalë për një propozim të Legës në Dhomën e Deputetëve, që synon ndryshimin e një projektligji për shtetësinë.

Sipas propozimit të Legës, një i ri me shtetësi të huaj, i lindur në Itali dhe i dënuar për vepra penale kundër forcave të policisë ose për shkatërrim dhe plaçkitje, nuk do të mund ta fitonte më shtetësinë italiane me mbushjen e moshës 18 vjeç.

Kjo masë përbën një tjetër element të strategjisë së Salvinit, i cili është i vendosur të shfrytëzojë forcimin e kërkesave për siguri në prag të kongresit të afërt të partisë së tij. Një taktikë që, që mbrëmë, ka shkaktuar jo pak pakënaqësi në Palazzo Chigi.

(la Repubblica)