Nga Olivier Tosseri (Romë)
Italia, e cila historikisht është kursyer nga shpërthimet e dhunës urbane, prej dy ditësh po përballet me plaçkitjen dhe shkatërrimin e qendrave të qyteteve nga të rinj të pushtuar prej ankthit për të ardhmen. Përhapja e tensioneve sociale nga Franca po e detyron qeverinë e Giorgia Melonit të rishikojë urgjentisht strategjinë e saj të sigurisë.
Edhe në Itali, fundjava e 17 tetorit u karakterizua nga kaosi dhe dhuna. Protestat kundër kostos së lartë të jetesës u shndërruan në trazira në qytetet e mëdha të vendit. Roma, Milano, Bolonja, Torino, Bergamo, Brescia… Lista e qendrave të qyteteve që u vunë në shënjestër nga grupe vandalësh, të cilët u përleshën me forcat e rendit — shpesh të pamjaftueshme në numër — vazhdoi të zgjatej. Milano u bë simbol i këtij shpërthimi të papritur dhune, pasi dyqanet në qendrën e saj historike u plaçkitën të dielën, për të dytën ditë radhazi.
Giorgia Meloni thirri menjëherë një mbledhje krize me ministrat e Brendshëm dhe të Mbrojtjes, si dhe me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës. Këto skena të përleshjeve të dhunshme urbane po e detyrojnë qeverinë të rishikojë rrënjësisht mënyrën e menaxhimit të rendit publik. Gati 80% e personave të ndaluar janë të mitur. Bëhet fjalë kryesisht për të rinj që jetojnë në periferitë e qyteteve të mëdha, një pjesë shumë e madhe e të cilëve i përket brezit të dytë të familjeve emigrante.
“Përfytyrimi tradicional për Italinë, si një vend më i qetë se Franca, po përmbyset”, vlerëson politologu Giovanni Orsina, drejtor i Shkollës së Qeverisjes në Universitetin Luiss të Romës. “Ndërsa Franca përballet prej disa dekadash me konflikte të rrënjosura në periferitë e saj, vendi ynë po përjeton tani një ‘pagëzim të vërtetë me zjarr’.”
“Si francezët”
Italia nuk ka përjetuar një lëvizje të ngjashme me atë të “jelekëve të verdhë”, as fenomene të dhunës së organizuar nga grupe vandalësh. Megjithatë, ngjashmëritë me Francën janë të shumta. Edhe këtu po shprehet pakënaqësia e një brezi të ri të karakterizuar nga ankthi për të ardhmen, përkeqësimi i sistemit arsimor dhe kriza e strehimit. Kjo gjendje reale pakënaqësie ushqen kërkesat sociale dhe, nganjëherë, shpërthen në një zemërim nihilist.
Frika nga përhapja e protestave nga Franca është bërë tashmë realitet për qeverinë e Giorgia Melonit. Të nxitur nga përfaqësuesit e tyre që të marrin shembull nga bllokadat dhe mobilizimet në Francë dhe të veprojnë “si në anën tjetër të Alpeve”, nxënësit italianë të shkollave të mesme kanë nisur një lëvizje të gjerë protestash në mbarë vendin.
Përveç shprehjes së pakënaqësisë së thellë me gjendjen e amortizuar të shkollave dhe reformat në arsim, protestuesit kundërshtojnë edhe koston e jetesës, e cila është bërë e papërballueshme. Kjo klimë tensionesh arriti kulmin gjatë protestës “No Meloni Day” (“Dita kundër Melonit”), e organizuar në prag të tubimeve të 17 tetorit.
“Protestat në Francë shërbejnë si forcë shtytëse për studentët italianë”, pohon Mattia Diletti, politolog në Universitetin La Sapienza të Romës. “Kësaj i shtohet dëshira për një përballje të drejtpërdrejtë me qeverinë, ndërsa afrohen zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Ekziston një synim për të përshkallëzuar konfliktin, me mbështetjen e organizatave sindikale dhe të opozitës ndaj Giorgia Melonit. Sa u përket trazirave urbane, është i dukshëm efekti i imitimit, i përforcuar nga rrjetet sociale.”
Ashpërsimi i masave të sigurisë
Për të frenuar këtë përshkallëzim, qeveria po kërkon ashpërsimin e masave të sigurisë. Ajo po shqyrton zgjerimin e zbatimit të paraburgimit për të miturit duke filluar nga mosha 14-vjeçare, nisjen automatike të ndjekjes penale ndaj autorëve të dhunës kundër nëpunësve publikë, dënime deri në pesë vjet burg, gjoba prej 15.000 eurosh për dëmtimet e pronës të kryera në grup, si dhe vendosjen e detyrimit për depozitimin e një garancie financiare nga organizatorët e protestave që konsiderohen me rrezik.
“Ndikimi i këtyre ngjarjeve në fushatën zgjedhore që sapo ka nisur është tashmë shumë konkret”, kujton Giovanni Orsina. “Ndërsa rreth 30% e italianëve simpatizojnë kërkesat sociale, gati 70% i refuzojnë kategorikisht pamjet e vitrinave të thyera dhe automjeteve të dëmtuara të karabinierëve. Kjo padyshim do t’i sjellë përfitime së djathtës, e cila denoncon qëndrimin e paqartë të së majtës dhe konsolidon elektoratin e saj. Për Giorgia Melonin, kjo është një mundësi për të mishëruar qëndrimin e vendosur, për të frenuar retorikën gjithnjë e më radikale të figurave që e sfidojnë, si gjenerali Roberto Vannacci, dhe për të zhvilluar një fushatë zgjedhore nën moton e ligjit dhe rendit.”
Ky polarizim rreth çështjeve të sigurisë i ofron qeverisë një periudhë të favorshme lehtësimi, duke e zhvendosur vëmendjen nga një tjetër rrezik, kësaj radhe me natyrë socioekonomike.
Në jug të vendit, rritja e çmimeve të karburanteve — nafta po i afrohet nivelit prej 2,30 eurosh për litër, me një shtrenjtim prej 40% brenda një viti — po paralizon Sicilinë, Kalabrinë dhe Pulian, ku po shtohen bllokadat rrugore të organizuara nga fermerët dhe transportuesit e zemëruar.
Këto tensione rrezikojnë të përshkallëzohen deri më 20 nëntor, kur sindikatat kanë shpallur mbajtjen e një greve të përgjithshme.(L’Express)















