Një tetovar, pronar i një argjendarie, është kapur në tentativë për të kontrabanduar 77 stoli ari, me peshë të përgjithshme prej 612 gramësh dhe vlerë rreth 65 mijë euro. Stolitë ishin fshehur brenda një jastëku për qafë, gjatë udhëtimit me autobus nga Stambolli drejt Gostivarit.
Stolitë, me vlerë zyrtare prej katër milionë denarësh, janë zbuluar dhe sekuestruar nga doganierët në pikën kufitare Bogorodicë, njoftoi Drejtoria e Doganave e Maqedonisë së Veriut, më 20 tetor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, rasti është zbuluar gjatë kontrollit të një autobusi që qarkullonte në linjën Stamboll–Gostivar.
Doganierët fillimisht i kanë pyetur udhëtarët nëse kishin mallra për të deklaruar, por asnjëri prej tyre nuk ka deklaruar asgjë. Pas kësaj, është kryer një kontroll i hollësishëm.
Gjatë kontrollit, brenda jastëkut për qafë që mbante i dyshuari, janë zbuluar 77 stoli ari, me peshë të përgjithshme prej 612 gramësh dhe vlerë rreth katër milionë denarë, përkatësisht rreth 65 mijë euro.
Nga provat e siguruara gjatë procedurës parahetimore nga Sektori i Hetimeve pranë Drejtorisë së Doganave rezulton se tetovari i kishte blerë stolitë në një punishte argjendarie në Stamboll.
Sipas autoriteteve doganore, ai kishte për qëllim t’i fuste ilegalisht në Maqedoninë e Veriut dhe më pas t’i shiste në argjendarinë e tij.
Kundër të dyshuarit është paraqitur kallëzim penal për veprën penale „Kontrabandë“, e dënueshme sipas Kodit Penal.
Drejtoria e Doganave ka theksuar se do të vazhdojë aktivitetet për mbrojtjen e interesave financiare të shtetit dhe krijimin e kushteve për konkurrencë të ndershme në ekonomi.
Identiteti dhe mosha e të dyshuarit nuk janë bërë të ditura në njoftimin zyrtar. (Drejtoria e Doganave e Maqedonisë së Veriut)















