Ballina Top Lajm Mbresëlënëse: Këtë maturante po e kërkojnë 12 universitete të botës (VIDEO)

Mbresëlënëse: Këtë maturante po e kërkojnë 12 universitete të botës (VIDEO)

Kjo është Njomza Selmani, tashmë maturante e shkollës së mesme private “ NOVA International Schools”, e cila ka aplikuar dhe ka marrë përgjigje pozitive, për bursë të plotë, nga 12 universitete të ndryshme, katër në Angli, një në Holandë, në Gjermani, në Hungari, në SHBA dhe në Emiratet e Bashkuara, të gjithë të kategorizuar si ndër më të mirët në botë.

Suksesit të Njomzës i gëzohet edhe shkolla “ NOVA International Schools”, e cila, sipas Njomzës, i kushton një rëndësi të jashtëzakonshme përgatitjes së një brezi dinjitoz dhe të suksseshëm të së ardhmes, duke i këshilluar dhe ndihmuar nxënësit cilën rrugë profesionale të ndjekin.

“Një gjë që ndihmon është që kemi udhëzim akademik. Domethënë kemi profesor, i cili nuk ligjëron asnjë lëndë, mirëpo është aty për të të ndihmuar, se cili universitet është i duhuri për ty, se cilat provime duhet të bësh para atij universiteti, se si të aplikosh. Gjë që i ndihmon të gjithë që të kenë ambicie edhe më të larta, pasi që kuptojnë për mundësitë e ndryshme”- tha Njomza.

Nëse në rastin e nxënësve të tjerë janë universitet që vendosin për përzgjedhjen, në rastin e nxënëses së “NOVA International Schools”, Njomza Selmani, ishte e kundërta. Asaj i është dashur plotë një muaj të vendosë se ku dëshiron të vazhdojë studimet për Inxhinieri Biomjeksore, duke përzgjedhur përfundimisht New York University, në Abu Dhabi.

“Dhe e shihja gjithmonë veten time si dikush që do të merret me shkencë, që do të bëjë zbulime. Verën e kaluar isha në akademi verore, në Stenford University. Atje kisha mundësinë e parë që të takohesha me inxhinierinë biomjeksore. Filluam të krijojmë inde nga qeliza njerëzore, për të krijuar organe të reja, gjë që mua mu duk shumë interesante dhe nuk e kisha parë asnjëherë më parë diçka të tillë. Në atë moment më erdhi dëshira që “ Kjo është ajo që dua ta bëj me jetën time”- thotë me entuziazëm, Njomza Selmani.

Lajmin për këtë hap të parë në rrugën e sukseseve, siç tregon Njomza, e kanë pritur me gëzim dhe krenari edhe bordi drejtues dhe stafi i shkollës së “NOVA International Schools” dhe sigurisht familja e saj.

“ Të gjithë ishin të lumtur, pa përjashtim. Edhe udhëzuesja akademike që e kam ishte shumë e lumtur, pasi që normalisht është edhe mundi i saj, ajo më ndihmoi gjatë procesit. Ishte një befasi e mirë, ishte ndjenjë e mirë”- tha Njomza.

Njomza këshillon gjenëratat më të reja të besojnë gjithmonë në aftësitë e tyre, sepse me punë arrihen suksese të mëdha.

“ Një gjë që do i kisha këshilluar të gjithë është që të provojnë dhe të mos ndalojnë aty ku janë, sepse unë besoj se të gjithë kanë potencial dhe mund të arrijnë shumë më tepër se sa mendojnë dhe me shumë punë mund të arrihet çdogjë”- thotë në mesazhin e saj Njomza Selmani.

Në “NOVA International Schools” që gjendet në Lagjen Karposht të Shkupit, mësimi dhe komunikimi realizohen në gjuhën angleze, përveç lëndës së gjuhës amëtare. Shkolla përgatit nxënësit përmes programit “ Matura Ndërkombëtare”, i cili të rinjët kureshtarë, të etur për dije dhe njohuri të reja i motivon edhe më shumë në rrugën drejt suksesit.

Programet e kësaj shkolle janë të ndryshme nga kurrikulat e tjera, sepse ato: inkurajojnë studentët e të gjitha moshave të mendojnë në mënyrë kritike dhe të sfidojnë supozimet, të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga sistemet qeveritare dhe kombëtare, duke përfshirë praktikat e cilësisë nga hulumtimi dhe komuniteti global i shkollave, inkurajoni studentët e të gjitha moshave të marrin në konsideratë kontekstet lokale dhe globale si dhe zhvillon nxënës me pasuri gjuhësore.

@tn.lajmelokale
@tetovanews