Ballina Lajme Qeveria Zaev nuk ka ende versionin shqip të faqes zyrtare në Internet

Qeveria Zaev nuk ka ende versionin shqip të faqes zyrtare në Internet

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Qeveria e Maqedonisë ende nuk ka ueb-faqe funksionale në gjuhën shqipe edhe pse paraprakisht kanë premtuar se për dy muaj e njëjta do të jetë gati. Tani për tani, janë vendosur kategoritë në versionin shqip të faqes, megjithatë shumicë e përmbajtjeve janë në gjuhë maqedonase.

Në versionin e ueb-faqes në shqip, nuk janë të përkthyera arkivi dhe biografitë e kryeministrit dhe ministrave. Nga ana tjetër, edhe kumtesat që janë publikuar në versionin e faqes në maqedonisht nuk janë publikuar të gjitha edhe në shqip. Në gjuhën shqipe është i publikuar programi i qeverisë “2017-2020”, por jo edhe programi për punën e qeverisë.

Nga qeveria e Maqedonisë thonë se po punohet në atë drejtim, megjithatë nuk precizojnë ndonjë afat konkret se kur pritet që të mbarojë.

“Po punohet në atë, e dini se koncepti “një shoqëri” është njëra nga themelet e qeverisë. Në këtë moment, nuk mund të themi datë të saktë, por e njëjta do të realizohet në një të ardhme të afërt”, thotë zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski për “Portalb.mk”.

Gjendja është thuajse se e njëjtë edhe me versionin e ueb-faqes në gjuhën angleze, në të cilën, për dallim nga ai në gjuhën shqipe, biografitë e kryeministrit dhe disa ministrave janë edhe në gjuhën angleze.

Për dallim nga Qeveria, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë, maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht. Ashtu siç mund të shihet, ueb-faqja e Kuvendit është tërësisht funksionale, përfshirë këtu arkivin, por edhe kumtesat, të cilat publikohen në kohë reale në katër gjuhë.

Te ministritë çështja është e përzier, nga 15 ministritë (përfshirë edhe zv/kryeministrat të cilat kanë ueb-faqe të tyre), 9 prej tyre, ueb-faqet i kanë në tre gjuhë – maqedonisht, shqip, anglisht, 4 i kanë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, tre i kanë vetëm në maqedonisht, ndërkaq dy i kanë vetëm në maqedonisht dhe shqip.