Ballina Aktualitet Lajme VIDEOT AMATORE TREGOJNË DHUNËN E USHTRUAR NDAJ SELËS NATËN E 27 PRILLIT...

VIDEOT AMATORE TREGOJNË DHUNËN E USHTRUAR NDAJ SELËS NATËN E 27 PRILLIT (VIDEO)

Disa video amatore të filmuara edhe nga vetë të akuzuarit, por edhe një inçizim nga kamera e korridorit të Kuvendit, shfaqën dhunën brutale kundër deputetit Zijadin Sela më 27 prill. Pamjet e zvarritjes së Selës nëpër korridor, dhe goditjet edhe në gjendje alivanosjeje, shkaktonin pasthirrma në sallën e gjykatës, si nga gazetarët, ashtu edhe nga familjarët e të akuzuarve. Por nuk mbeti indiferente as gjykata e cila po i shihte pamjet për herë të parë. U dukeshin grimasat dhe rrudhjet e fytyrës saherë që shihnin ndonjë goditje brutale ndaj trupit të palëvizshëm të Selës.

Prokuroria e prezantoi ngjarjen në kronologji. Videot që ishin prezantuar në seancat e kaluara, por edhe në seancën e sotme, tregonin fillin e ngjarjes, ndërsa në fund të seancës së sotme u prezantuan edhe pamjet pasi që e kishin nxjerrë Selën nga salla e mediave.

Në disa video amatore Zijadin Sela duket ta kenë kapur katër persona për këmbë e duar, ndërsa anash dëgjohen britma “mbytne, nxirreni jashtë qenin”. Dhe në një moment duket fytyra e Selës e ënjtur dhe gjithë gjak e nxirë. Për një moment shkaku i lodhjes ose mungesës së idesë nga të shkojnë, Selën e lëshojnë në tokë, por dikush vazhdon ta godasë. Trupi i Selës është i lëshuar, pa shenja jete…Personat që e mbajnë Selën janë babë e birë Cejo dhe Kire Gjorgievski, Aleksandar Janevski. Pas Selës që po tërhiqet zvarrë duket edhe i akuzuari Oliver Oshavkovski i cili e shfrytëzon më pas mundësinë për ta goditur Selën me shqelm në krahëror.

Sulmuesit dëgjohen të thonë “mbyteni qenin”, “zgjohu se nuk ke asgjë”, “nxirreni jashtë këtë qen”, ndërsa më tej dëgjohet një zë që i thotë dikujt “mjaftë më, mos e godit lëre njeriun. Mjafton”.

Në një video tjetër nga kamerat e sigurisë sulmuesit duken ta kenë kapur Selën zvarrë deri tek korridori i katit të parë të Kuvendit, dhe në momentin që e lëshuan në tokë për disa çaste, i akuzuari Kire Gjorgjievski e godet me gjithë forcën me shqelm në kokë. Në video shihet që disa të akuzuar tentojnë ta zmbrapsin, por Kire është tejet i mllefosur dhe vazhdon të bëjë turr drejt trupit të palëvizshëm të Selës.

Më pas i gjithë inçizimi prej më shumë se një orësh, tregon se si e kanë strehuar Selën në bifenë e deputetëve.

Por, goditjet ndaj Selës në korridor nuk ishin të vetme. Përgjakja e tij dukej në videot amatore dhe të disa mediave të cilat i ka siguruar prokuroria në të cilat duket momenti kur e kanë tërhequr Selën nga deputetët, por personi që e ka bërë këtë nuk është në listën e të akuzuarve. Selën e godasin katër herë vetëm duke qëndruar pas barrikadës së deputetëve. Një herë me shtizë flamuri dhe nga goditja e fortë fillon ti rrjedhë gjak në kokë. Derisa është i hutuar nga goditja e parë, i vjen edhe goditja e dytë në fytyrë por nuk shihet me se e godasin. E godasin edhe me shqelm por është e vështirë të shihet se kush e godet, ndërsa më pas duket vetëm një turmë njerëzish që kanë rrethuar dikë dhe godasin.

Avokati i Selës Abidin Abduli beson se videot e prezantuara argumentojnë akuzën e cila është “tentim për vrasje”.

Abidin Abduli, avokat

“U panë qartë veprimet e të gjithë të akuzuarve në momente të caktuara. Nëse bëjmë një përmbledhje të këtyre inçizimeve me deklaratën e vetë të dëmtuarit dhe dëshmive të dëshmitarëve që ishin paraqitur nga prokurori duket se akuza është me vend dhe ne presim që e njëjta të vërtetohet nga gjykata”

Për seancën e sotme ishin thirrur të dëshmojnë edhe kryeministri Zoran Zaev dhe deputeti Vllatko Gjorçev, por Gjorçevit nuk i kishte shkuar ftesa me rregull, ndërsa Zaevi ishte përgjigjur se nuk mund të dëshmojë shkaku i axhendës së ngarkuar. Për tentim vrasjen ndaj Zijadin Selës akuzohen 10 persona, shtatë prej të cilëve gjenden në paraburgim.

Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

Artikulli paraprakAksion për dhurimin e gjakut në Komunën e Zhelinës (VIDEO)
Artikulli tjetërMevludi në USHT: Myftiu i Tetovës i shmanget debatit me analistët dhe profesorët (VIDEO)