Ballina Aktualitet Lajme Ndryshimet e kodit zgjedhor në fazën finale

Ndryshimet e kodit zgjedhor në fazën finale

Edhe pse është një nga temat qëndrore në takimin e liderëve partiak, ndryshimi i kodit zgjedhor për zgjedhjen sa më të shpejtë të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, vazhdon të procesohet me shpejtësi në Kuvend. Propozim ligji i Qeverisë, i cili parasheh zgjedhjen e komisionerëve me vetëm 61 votë ka kaluar mbrëmë Komisionin për Çështje Evropiane dhe Komisionin Juridiko-ligjvënës. Shumica parlamentare nuk ka pranuar asnjë nga 401 amendamentet e dorëzuara nga VMRO-DPMNE-ja. Dy komisionet kanë përcjellur ligjin në seancë plenare që është faza e fundit procedurale.

Seanca për miratimin përfundimtar të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është caktuar për të hënën në ora 11:00, dy orë pas terminit të caktuar për takimin e liderëve partiak. Votimi ose jo i këtyre ndryshimeve do të varet edhe nga epilogu i bisedimeve që do të zhvillohen në Klubin e Deputetëve.

Debati për ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe amendamentet e VMRO-DPMNE-së që u mbajt mbrëmë deri në orët e vona të darkës u karakterizua me shumë tensione dhe përplasje verbale mes pushtetit dhe opozitës.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzuan pushtetin dhe shumicën parlamentare se dëshiron që për herë të parë të formojë Komisionin Shtetëror Zgjedhor pa pëlqimin e opozitës, ndërsa nga LSDM u kundërpërgjigjën me akuza se VMRO-DPMNE tenton të bllokojë me çdo kusht proceset reformuese dhe integruese të Maqedonisë.

Në këtë debat pati edhe akuza për tema të tjera të cilat nuk kishin të bëjnë me pikën e rendit e ditës. Nga LSDM akuzuan se deputetët e VMRO-DPMNE nuk shqetësohen për asgjë tjetër përveç se për të mbrojtur siç thanë ata, udhëheqësit e dyshuar për kriminalitet, ndërsa nga VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën me akuza të ngjashme për qeverisjen aktuale. Tema qendrore në përplasjet mes pushtetit dhe opozitës ishin edhe ikja e të rinjve nga Maqedonia, paga minimale dhe të ngjashme.
Propozimi i Qeverisë për ndryshime në Kodin Zgjedhor me të cilat parashihet që anëtarët e KSHZ-së të votohen me 61 vota dhe jo me dy të tretat e votave në Kuvend siç ishte der më tani, erdhi pas zvarritjes disa javore të zgjedhjes së komisionerëve.

Kryetari i Komisionit për Zgjedhje dhe Emërim, Ilija Dimovski nuk thiri seancën për votimin e komisionerëve edhe pasi skadoi afati ligjor, ndërsa partitë veçmë kishin caktuar emrat e përfaqësuesve të tyre nga lista e kandidatëve të paraqitur në konkurs.

E gjithë procedura u zvarrit pasi VMRO-DPMNE, votimin në komision dhe në seancë plenare e kushtëzoi me kërkesa të reja që kanë të bëjnë me ligjin për finansimin e partive politike dhe me formimin e Qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare, sipas modelit të dakorduar gjatë bisedimeve të vitit 2015 në Përzhino./shn/

@tn.lajmelokale
@tetovanews