Ballina Aktualitet Lajme I AKUZUARI MLLADENOVSKI: 27 PRILLIN E ORGANIZUAN VMRO-JA DHE AGJENTËT E DSK-SË...

I AKUZUARI MLLADENOVSKI: 27 PRILLIN E ORGANIZUAN VMRO-JA DHE AGJENTËT E DSK-SË (VIDEO)

Gjykimi i sotëm për 27 prillin mori kthesën. I akuzuari Stefan Mlladenovski foli në detaje për gjithë skenarin e përgjakshëm të 27 prillin dhe në mënyrë direkte akuzoi ish drejtorin e DSK-së Vlladimir Atanasov dhe Aleksandar Vasilevskin, i njohur si Ninxha për organizimin e ngjarjeve, raporton Tv SHENJA. Mlladenovski foli i zhgënjyer dhe pohonte se ai që në momentin kur kishte hyrë tek press qendra e Parlamentit, e kishte kuptuar se agjentët dhe VMRO-ja u kishin përgatitur kurth, dhe i kishin keqpërdorur.

I akuzuari Mlladenovski tha se ata kanë patur mbështetje logjistike të përpiktë nga të gjithë degët e VMRO-së gjatë gjithë kohës së protestave, dhe se makina që u paraprinte protestave ishte e Komitetit komunal të Kisella Vodës.

Stefan Mlladenovski , i akuzuar

“Ende gjatë kohës së protestave, dihej se do të hyjmë në Parlament, në ditën kur LSDM-ja do të bëjë Qeverinë dhe do të zgjidhet kryetari i Kuvendit”

Mlladenovski vazhdoi duke rrëfyer se përgatitjet kishin filluar fillimit të 2018-ës. Në shkurt, atë dhe grupin i kishin thirrur në një kafene në Shkup, ndërsa agjenti Nikolla Boshkovski që është në arrati me Goran Grujovskin, gjoja se u ka thënë se është koha për ta mbrojtur shtetin, dhe se DSK-ja do t’i mbështesë ata në mënyrë të plotë gjatë hyrjes në Parlament. Pastaj çdo koordinim i grupit të protestuesve ka vazhduar nëpërmjet Ninxhas.

Stefan Mlladenovski , i akuzuar

“Nikolla Mitrevski-Koljo, më 27 prill iu lajmëruar vëllai tim. Diku në orën 13 na thirri që të shkojmë tek restorani ‘Dion’. Aty ishte edhe Ninxha së bashku me ekipin e tij dhe na tha se ‘sot është dita’. Pastaj, e dëgjova se si ai i thotë Koljos që të marrin maska, dhe i dha para. Pasi i blemë maskat, u kthyem tek restorani dhe kuptuam se në Parlament po këndohej himni shqiptar, dhe kjo shkaktoi revoltë dhe nervozizëm tek ne. Pastaj rreth orës 18 e 40, Koljo na tha se Ninxha ka dhënë urdhër të hyjmë në Parlament me një grup prej afro 50 personash. Disa prej nesh i vendosëm maskat. Në momentin kur i pashë deputetët e LSDM-së tek Press Qendra e kisha të qartë se dikush na kishte futur në kurth, prandaj u ktheva dhe ika prej aty”

I akuzuari Stefan Mlladenov pastaj vazhdoi të përmend me emra dhe mbiemra një mori pjesëtarësh të DSK-së që atë ditë kishin qenë në Parlament dhe monitoronin situatën, dhe madje tha se atyre u kishin thënë që të mos mërziteshin pasi presidenti në orën 22:00 do të shpallte gjendje të jashtëzakonshme dhe policia ushtarake do të intervenonte. Informatën ua kishte dhënë një person i punësuar në kabinetin e presidentit.

Për t’i hedhur më shumë vaj zjarrit, protestuesve gjoja u kishin thënë se një grup i madh shqiptarësh ishin armatosur dhe po vinin drejt Kuvendit, dhe se nuk duhej të mërziteshin pasi edhe ata kishin armë me vete dhe dinin si të gjuanin.

Pasi e dha versionin e tij të ngjarjeve Stefan Mlladenovski, i akuziari tjetër Gorançe Angellovski e përpuroi për nxjerrjen e së vërtetës në pah dhe tha se ndjehet i lehtësuar që tani të gjithë e kuptuan se vepër e kujt ishte 27 prilli. Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

@tn.lajmelokale
@tetovanews