Ballina Aktualitet Lajme Fati i paktit Zaev-Besa, si do të zbatohen 3 pikat e arritura?...

Fati i paktit Zaev-Besa, si do të zbatohen 3 pikat e arritura? (VIDEO)

Shtetësia për shqiptarët “Maqedonisë” dhe jo “maqedonase”, kujdesi i barabartë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë në diasporë si dhe shënimi i përkatësisë etnike në kartat e identitet. Këto janë 3 pikat e dakorduara mes Qeverisë dhe “Besës” opozitare, e cila në këmbim i dha dy vota deputetësh për ndryshimet kushtetuese. Po çfarë garancie ka marrë “Besa” se këto pika do të zbatohen?

“Çështja e shtetësisë që implikon në 5 ligje, norma kushtetuese të cilën ne e kemi vendosur, është garanca e cila detyrimisht, në bazë të Marrëveshjes së Prespës, kur do të hapen këto ligje, do të duhet të konsultohet ky nen i ligjit kushtetues për të arritur deri tek ajo që e kemi dakorduar. Sa i përket ligjit për grafën shtesë në letërnjoftim, ajo po ashtu rregullohet në suaza të këtyre ndryshimeve pasi që e dimë se një nga ato 5 ligje është edhe ligji për dokumentet personale, gjegjësisht ligji për letërnjoftime”, tha Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithsëhm i lëvizjes “BESA”

Teksti i marrëveshjes mes “Besës” dhe Qeverisë është i njëjti si ai që u publikua në ueb faqen zyrtare të Qeverisë. Kjo është garanci dhe tani përgjegjësia më e madhe e zbatimit i kalon Qeverisë, thotë Hoxha, duke shtuar se “Besa” do të mbetet vëzhguese e ndryshimit të të gjitha ligjeve. Afatet kohore janë po të njëjtat si ato të parapara sipas Marrëveshjes së Prespës.

“Kjo marrëveshje është e garantuar ndërkombëtarisht dhe edhe sikur të mos varet nga marrëveshja që e kemi bërë me Qeverinë, ata janë të detyruar që të respektojnë afatet që i kanë caktuar vetë me Greqinë dhe e kanë patjetër që këto çështje duhet të realizohen në afatin e paraparë me Marrëveshjen e Prespës” , tha Arjanit Hoxha, sekretar i përgjithsëhm i lëvizjes “BESA”

Ditët para ndryshimeve kushtetuese të 11 janarit ishin plot tension. Kjo sepse Lëvizja “Besa” dy votat e deputetëve të saj i kushtëzoi me kërkesat që kishin ndaj qeverisë. Zaev pa këto dy vota kishte vetëm 79 vota, ndërsa i duheshin 80 që në Maqedoni Marrëveshja e Prespës të merrte jetë.

PËRGATITI: BESIR ARIFI
KAMERA: ADRIJANA JOVANOVSKA
MONTAZHI: SEZER SALIHU

Artikulli paraprakStudentë shqiptarë në Shkupin e dikurshëm (FOTO)
Artikulli tjetërNjë fundjavë plot punë për Shoqatën Përshefca në Zvicër (FOTO)