Ballina Aktualitet Opinione Janusz Bugajski: Ndarja e Kosovës lojë ruse për copëtim të Ballkanit

Janusz Bugajski: Ndarja e Kosovës lojë ruse për copëtim të Ballkanit

Nga Janusz Bugajski

Vizita triumfale e Presidentit Vladimir Putin në Beograd kishte për qëllim të konsolidonte pozitat ruse në Ballkan. Serbia dhe Rusia nuk kanë aleancë të ngushtë, por çiftosje asimetrike përmes së cilës Kremlini shfrytëzon dominimin e vet dhe e trajton Beogradin si surrogat të dobishëm. Presioni vjen në rritje kur Moskës i duhet Serbia të përmbushë detyra të caktuara ndërkombëtare në favor të Rusisë sikurse është e qartë edhe nxitja e tanishme drejt ndarjes së Kosovës.

Gjatë luftërave të 1990-s, Beogradi kërkoi dhe i duhej solidariteti rus si për të ruajtur integritetin territorial të Jugosllavisë për të krijuar në këtë mënyrë Serbinë e Madhe, ashtu edhe për të mbajtur kontrollin mbi Kosovën. Moska manipuloi ankesat e Serbisë kundër SHBA dhe NATO-s për të demonstruar se Rusia vazhdonte të mbetej faktor i rëndësishëm në çështjet evropiane. Që prej largimit të Millosheviçit, qeveritë serbe kanë intensifikuar rolin e tyre si partnerë më të vegjël të Rusisë duke i mundësuar Putinit të transformojë Serbinë në bazë të Moskës në Ballkanin Perëndimor.

Axhenda e Putinit në Beograd shënjestroi në tre drejtime. Së pari, ai u përpoq të konsolidojë sentimentet nacionaliste të Serbisë, si edhe rezistencën ndaj Perëndimit. Përmes mjeteve të panumërta të propagandës, Moska kërkon të sigurohet që sentimentet anti-NATO të ushqehen vazhdimisht tek publiku serb. Në Beograd, Putin sulmoi SHBA se gjoja po destabilizon Ballkanin përmes imponimit “të rolit dominant në rajon” dhe dënoi zgjerimin e NATO-s, si shkak për rritjen e tensioneve në Evropë.

Shënjestra e dytë kishte të bënte me faktin që Putini u mundua të demonstrojë se si lidhjet dypalëshe po forcohen më tej ne fusha të ndryshme; një sërë marrëveshjesh me fokus rritjen e fuqisë ushtarake të Serbisë dhe përdorimin e energjisë atomike për “qëllime paqësore”. Moska tashmë furnizon Serbinë me mjete ushtarake dhe ka vënë në funksionim “një qendër humanitare Ruso-Serbe” pranë Nishit, e cila përdoret nga shërbimet ruse si bazë e mbledhjes dhe përpunimit të informacionit inteligjent përkundrejt Perëndimit.

Putini dhe Vucic gjithashtu përgatitën një marrëveshje për zonë të lirë tregtare midis Serbisë dhe Unionit Ekonomik Euroaziatik të Rusisë, e cila do të nënshkruhet gjatë këtij viti, si edhe marrëveshje për zgjatjen e linjave gazsjellëse TurkStream. Media në të dyja vendet ka transmetuar në mënyrë të vazhdueshme dizinformacion se Rusia është faktori kryesor ekonomik që favorizon Serbinë megjithëse tregtia dhe investimet e saj janë dukshëm shumë më të vogla nga ato të BE-së dhe marrëdhënia e tyre bazohet në marrëveshje jo transparente nga të cilat përfitojnë politikanë të korruptuar.

Serbia tashmë i është dorëzuar Gazprom-it përmes dhënies së shumicës së aksioneve të kompanisë së saj kryesore të gazit dhe naftës NiS dhe ka hyrë në marrëveshje të tjera të cilat e mbajnë vendin të lidhur e të varur nga burimet energjetike të Rusisë.

Shënjestra e tretë dhe më e re konsiston në përpjekjet e Putinit për të nxjerrë përfitime prej debatit mbi ndarjen e mundshme të Kosovës. Strategjistët e Moskës po ndjekin dy objektiva kryesore. Së pari, ndryshimi i kufijve në Ballkan me miratimin e fuqive perëndimore mund të trumpetohet si precedent i vlefshëm për Krimenë, Donbas, Transnistria dhe rajone të tjera që Rusia kërkon t’i bëjë pjesë të vetën. Zyrtarët mund të mbështesin qëndrimin se ndryshimet në kufirin Serbi – Kosovë thjesht bashkojnë etnitë e njëjta në një atdhe. Për rrjedhojë i njëjti proces mund të aplikohet në territore me popullsi ruse të konsiderueshme përfshirë pjesë të Estonisë, Letonisë, Bjellorusisë, Ukrainës, Moldavisë dhe Kazakistanit.

Së dyti, Kremlini bën kalkulime se ndryshimi i kufijve në Ballkan mund të vërë në vështirësi serioze NATO-n dhe BE-në përmes stimulimit të thirrjes për ndarje të mëtejshme. Nacionalistët lokalë do të mund të orkestronin dhunë për të demonstruar së bashkëkzistenca etnike është e pamundur dhe kufijtë duhen riformatuar. Efekti i rizgjimit dhe shtrirjes së aspiratave territoriale jo vetëm që do të kishte ndikim tek shtetet me probleme ende të pazgjidhura si Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia, por do të përfshinte edhe vendet anëtare të NATO-s si Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi.

Vizita e Putinit rriti pritshmëritë në Serbi, se Moska do ta ndihmonte Beogradin për të fituar betejën në mosmarrëveshjet me Kosovën. Moska do të bëjë çdo përpjekje që dialogu Serbi-Kosovë të zhvendoset nga ambrella e BE-së në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Rusia ushtron fuqinë e vetos. Këtu ajo mund të deklarojë mbështetje për llojin e precedentit të ndarjes që do t’i shërbente interesave të Kremlinit brenda dhe jashtë Ballkanit.

Një plan i ndarjes që do t’i mundësonte Serbisë të aneksonte komunat e veriut të Kosovës mund të shitej si fitore për serbët. Megjithatë, ndarja e njëanshme e Kosovës është e papranueshme për Prishtinën, prandaj Presidenti Hashim Thaçi propozoi shkëmbim territoresh që përfshin Luginën e Preshevës, gjë që Beogradi e refuzon.

Moska mund të përpiqet të qetësojë opozitën nacionaliste serbe për çdo pranim të statusit të Kosovës duke nxitur ndarjen, por gjithashtu duke inkurajuar aspirata të tjera. Ajo mund të japë mbështetje për ndarjen e Bosnjë-Hercegovinës dhe bashkimin e Republikës Srbska me Serbinë. Ky do të ishte një çmim edhe më i madh se kufiri verior i Kosovës, meqenëse në veçanti liderët e RS duan domosdoshmërisht të bashkohen me Serbinë.

Rezultati i thellimit të ndërhyrjes ruse do të jetë përfshirja e qeverisë së Aleksandër Vucic në një konflikt të ri me BE-në, NATO-n dhe SHBA për çështjen e Bosnjë-Hercegovinës. Kjo, gjithashtu, do i shërbejë interesave të Kremlinit për të bllokuar rrugën e Beogradit drejt anëtarësimit në BE. Mësimi për Serbinë është se nëse ajo nuk çlirohet nga dominimi mbytës i Rusisë ajo nuk mund të realizojë potencialin e saj kombëtar, por do të vazhdojë në mënyrë konstante të shfrytëzohet si peng në fushatën e Putinit për të çarmatosur e shpërberë Perëndimin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews