Ballina Aktualitet Lajme GOSTIVARI KUJTON ATA QË U SHUAN NË AKSIDENTIN E RËNDË NË LLASKARCË...

GOSTIVARI KUJTON ATA QË U SHUAN NË AKSIDENTIN E RËNDË NË LLASKARCË (VIDEO)

Për nder të 14 viktimave nga aksidenti i mbrëmshëm tragjik, në të cilin mbi 30 të tjerë mbetën të lënduar, këshilli i Komunës së Gostivarit sot organizoi një mbledhje komemorative në të cilën përveç kryetarit të Komunës, Arben Taravari, të pranishëm ishin edhe dy drejtuesit e lartë shtetëror, kryeministri Zoran Zaev dhe presidenti Gjorgji Ivanov, si dhe personalitete tjera politike dhe publike. Kjo mbledhje u hap me një minutë heshtje, ndërsa në fund të seancës, kryetari i Këshillit Nasir Musliu, shpalli tre ditë zie në nivel komunal, 14, 15 dhe 16 shkurtin. Në fjalën e tij para këshilltarëve dhe të pranishmive të tjerë, Taravari tha se tragjedia e mbrëmshme e ka goditur edhe atë, qytetarët e Gostivarit dhe gjithë vendin. Ai shtoi se në karrierën e tij profesionale si mjek është ballafaquar me dhimbje shumë të fuqishme, por asnjë prej tyre nuk mund të krahasohet me dhimbjen e mbrëmshme.

Arben Taravari, kryetar i Gostivarit
“Si mjek në profesion, në punën time kam parë shumë dhimbje, por asgjë nuk mund të krahasohet me këtë tragjedi e cila është ulur këmbëkryq në qytetin tonë. Askush nuk e din se cilat kanë qenë mendimet e tyre të fundit, por askush prej tyre nuk e ka ditur se do ta humb jetën në një ditë si ajo e djeshma kur ktheheshin në shtëpi. Dhimbja ju mbetet atyre që mbijetuan, dhimbja mbetet e jona. Është shumë vështirë ta kontrollojmë dhimbjen tonë, veçanërisht nënat, fëmijët, baballarët, motrat, vëllezërit, ata që janë prekur drejtëpërdrejtë nga fatkeqësia. E kam të vështirë ta mbaj këtë fjalim sot, duke ditur se njerëz të mij kanë humbur jetën, por ata i janë dorëzuar Zotit dhe kuptohet, ata janë në duart më të mira”

Kryeministri i Qeverisë, Zoran Zaev, në fjalën e tij poashtu tha se tragjedia e mbrëmshme ka shkaktuar dhimbje në tërë vendin. Ai u zotua se do të mbështes në vazhdimësi familjet e viktimave dhe të lënduarit, si dhe do të angazhohet në zbulimin e shkaqeve të hollësishme të tragjedisë.

Zoran Zaev, kryeministër
“Të dashur miq e qytetarë, njeriu derisa ka njerrëz për rreth, nuk është krejtësisht i vetëm. Erdha të ju them se humbja është e pazëvendësueshme, por nuk jeni vetëm dhe nuk do të ju lëmë vetëm. Me shpirt jemi me ju, ndërsa do të jemi me ju edhe në të ardhmen. Marrim përgjegjësi të ndihmojmë familjet me çfarë mundemi dhe për këtë angazhohem personalisht. Gjithashtu si Qeveri dhe si organe kompetente, ju siguroj se do të bëjmë gjithçka që t’i zbardhim shkaqet e aksidentit tragjik”
Presidenti Gjorgji Ivanov bëri thirje që rastet e këtilla të mos përsëriten, ndërsa qytetarët të jenë bashkë në dhimbje si kjo që ka goditur qytetin e Gostivarit.

Gjorgji Ivanov, president
“Është e vështirë humbja, por edhe më e vështirë është nëse ngjarjet e këtilla na përsëriten. Kjo është mësim që të jemi më të kujdesshëm. Le të jetë ky një mësim që të jemi të bashkuar, të respektohemi dhe çdo herë të tregojmë mbështetje në këto momente, sepse jeta është e shkurtur, kalon shumë shpejtë. Le të jetë jeta e mbushur me momente gëzimi dhe lumturie dhe jo me dhimbje”

Sot në varrezat e qytetit të Gostivarit është varrosur edhe njëri nga 14 viktimat, i riu Onur Sadiki, i cili ndiqte studimet e mjeksisë në vitin e parë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodij në Shkup. Arben Zeqiri /SHENJA/
https://youtu.be/7dMLseegH6E

@tn.lajmelokale
@tetovanews