Ballina Aktualitet Lajme Gruevski jep nga Budapesti intervistën e parë pas arratisjes (VIDEO)

Gruevski jep nga Budapesti intervistën e parë pas arratisjes (VIDEO)

Ish-Kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, i arratisur nga vendi, pas tre muajve heshtje, vendosi që nga Budapesti t`i drejtohet opinionit në Maqedoni, përmes Televizionit Sitel. Ai nuk ka zbuluar detaje se si është larguar nga Maqedonia, duke i vënë, siç thotë, në sprovë autoritetet e Maqedonisë, të punojnë në këtë drejtim.

Ish-Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski, i cili gjendet në Budapest, në intervistën e parë pas arratisjes nga Maqedonia,ka zbuluar rrugën e tij të lëvzijes duke i përsëritur detajet tashmë të njohura për opinionin.

Nikolla Gruevski – Ish-Kryeministër i Maqedonisë: “Nga Maqedonia u largova shumë thjesht, shkova në Shqipëri, u paraqita në ambasadën hungareze në Tiranë ku kërkova azil politik dhe nga atje shkova në Hungari, me mënyrën që e vendosën ata pas konsultimeve, për shkak se gjatë kohë kam qenë kryeministër, për shkaqe sigurie, të transportohem nga ata deri në Hungari”.

Ai në këtë intervistë thotë se ka shfrytëzuar letërnjoftimin e tij, por duke mos zbuluar nëse e ka përdorur gjatë daljes nga Maqedonia, apo nëse ka patur ndihmë gjatë arratisjes.

Nikolla Gruevski – Ish-Kryeministër i Maqedonisë: “Për këtë nuk mund t`ju jap përgjigje. Do t`ia lë autoriteteve të punojnë në këtë drejtim, për shkak se paralajmërojnë se do të zbulojnë gjithçka. Pasi arrita në Shqipëri, lëvizja ime e mëtutjeshme ka qenë me letërnjoftim”.

Për opinionin në Maqedoni, nuk është ndonjë befasi që TV SITEL të jetë media e parë që realizon një intervistë me ish-Kryeministrin e arratisur. Bisedat e përgjuara zbuluan se ky medium ishte plotësisht në shërbim të Gruevskit, ku Prokuroria Speciale Publike tashmë ka ngritur akuza për redaktorët dhe Kryeredaktorin për shkak të “fshehjes së tatimeve”. Në opinionin në Maqedoni gjithashtu përmendet intervista e ish-Kryeministrit Gruevski, pikërisht në këtë media më 26 Shkurt të vitit 2017, gjatë kohës së krizës për formimin e shumicës parlamentare, kur ai ftoi popullin të dalë në rrugë, gjë që siç dihet kulmoi me ngjarjet e dhunshme të 27 Prillit në Kuvendin e Maqedonisë. /abcnews.al

Artikulli paraprakSektori civil, protesta kundër ndotjes së ajrit (VIDEO)
Artikulli tjetërRAPORT VJETOR për punën e Rinisë së Pallçishtit në Diasporë për vitin 2018 (FOTO)