Ballina Aktualitet Lajme “Zoti nuk deshi që të jem atje”! Dëshmia e inxhinierit që çdo...

“Zoti nuk deshi që të jem atje”! Dëshmia e inxhinierit që çdo ditë kthehet nga puna me autobusin e “Durmo Tours”…

“Zoti nuk deshi që të jem atje”, thotë me lot në sy inxhinieri Pajazit Sheapi, i punësuar në Komisionin Rregullator për Energjetikë, i cili çdo ditë kthehet nga puna me autobusin e “Durmo Tours”, që pati aksident të frikshëm në fshatin Llaskarcë, ku humbën jetën 14 persona. Ditën e kobshme, bashkë me kolegët e punës ishte me shërbim në Tetovë.

– Shkuam në Tetovë për të inspektuar disa rezervuarë nafte, që të mund të miratojmë liçencën. Punën e mbaruam më herët dhe unë nuk e prita autobusin, u nisa më herët për në shtëpi, jo me autobusin që çdo ditë më kthen nga Shkupi për në Gostivar. Zoti nuk deshi që të jem atje – flet me shumë hidhërim dhe lot për Veçer, Sheapi , transmeton Tetova News.

Ai tregon se në autobus kishte shumë miq, në mesin e të cilëve edhe më të mirin, djaloshin 33-vjeçar (R.A), i cili punonte në Qendrën për arsimin e të rriturve – Shkup.

– Çdo ditë ktheheshim bashkë dhe bisedonim. Para pesë muajve atij i lindi një djalë dhe ishte shumë i gëzuar, por ja fati u tregua mizor me të dhe nuk e la që të shikojë se si rritet pasardhësi i tij dhe t`i gëzohet, flet me dënesje Sheapi dhe shton se nuk mund të pajtohet me faktin se miku i tij nuk është në mesin e të gjallëve.

Fati u tregua i keq edhe me një numër të punësuarish në EVN Maqedoni, të cilët jetojnë në këtë rajon dhe udhëtojnë çdo ditë në relacionin Shkup-Gostivar.

Njëra prej tyre është Vjosa Selimi, zëdhënëse në EVN Maqedoni, e cila është hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” me frakturë në shpatull. Për fat, ajo është jashtë rrezikut për jetë dhe po rimëkëmbet pas stresit fillestar.

Vjosës i kujtohet qartë se si autobusi doli nga rruga, si u rrokullis dhe pastaj nuk mban mend asgjë.Kur erdhi në vete, ajo mbante telefonin e saj në dorë, kurse çanta dhe gjërat e tjera nuk ishin pranë saj. Në gjithë këtë kaos ajo telefonoi për të treguar se është gjallë.

Bashkë me të ishte edhe kolegu i sektorit të drejtësisë, i cili gjithashtu mori një frakturë në shpatull dhe është hospitalizuar në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”, në pavijonin e Kujdesit Intensiv, por edhe ai është jashtë rrezikut.

Për fat të keq, kolegu i tyre nga sektori i IT-së është në mesin e atyre që humbën jetën. Bëhet fjalë për inxhinierin 25-vjeçar, Jovica Tërpevski, i cili është djali i deputetit të LSDM-së, Bllagojçe Tërpevski.
Nga EVN Maqedonia konfirmojnë se dy kolege nga sektori i financave kanë shfrytëzuar çdo ditë këtë linjë autobusi, por ditën e kobshme u nisën më herët me makinë me disa miq dhe kështu iu shmangën aksidentit fatal.

Në mesin e atyre që humbën jetën është edhe Dejan Ristoski, inxhinier i sistemit të IT-së në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i cili më parë ishte i punësuar në Drejtorinë e të Ardhurave Publike të Maqedonisë së Veriut, miqtë e quanin “maher” i kompjuterit dhe ishte i apasionuar pas futbollit, transmeton Tetova News.

Adela Pop Stefanija: Shtatzëna është te ne dhe është në gjendje të mirë shëndetësore.

Shtatzëna e plagosur, e cila pas aksidentit u shtrua në Qendrën e Urgjencës, tashmë është transferuar në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Akusherisë, në pavijonin për shtatzani patalogjike.

-Shtatzëna është hospitalizuar te ne dhe momentalisht është në gjendje të mirë shëndetësore – thotë për Veçer, dr. Adela Pop Stefania nga Gjinekologjia dhe sqaron se gruaja është e moshës 30-vjeçare, me një shtatzani të dytë, e cila është në muajin e pestë. Sipas saj, shtatzëna është në gjendje stabile, fëmija është mirë dhe nuk ka kurrfarë gjakderdhjeje.Megjithatë, ajo thotë se edhe më tutje gjendja e saj do të ndiqet me vigjilencë.

Në shqip nga Tetova News

Artikulli paraprakKompania e Sigurimit: Ja sa do marrin familjet e viktimave dhe sa të lënduarit
Artikulli tjetërKjo është gjendja e gruas shtatzënë që i mbijetoi aksidentit të frikshëm në Llaskarcë