Ballina Aktualitet Opinione MAQEDONIA E VERIUT – ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

MAQEDONIA E VERIUT – ZGJEDHJET PRESIDENCIALE

Xhelal Zejneli

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, lista e votuesve në Maqedoni përmban 1.808.131 votues. Ka që thonë se votues realë në Maqedoni janë diku rreth 1.500.000. Ka edhe të tillë që numrin e votuesve e ulin në 1.200.000. Dihet se një numër i madh votuesish jetojnë jashtë Maqedonisë.
Sipas KSHZ-së, nga trupi votues i përbërë prej shifrës së sipërthënë, në zgjedhjet e 21 prillit për kryetar shteti kanë votuar 755.655 votues (41.79%). Sikur kjo listë të reduktohej në përmasat e saj “reale”, atëherë kjo përqindje do të ishte mbase mbi 50%. Shtetasit e Maqedonisë që jetojnë jashtë saj, mund të votojnë në shtetet ku punojnë. Por, përqindja e daljes së tyre në votim është simbolike. Nga sa më sipër del se lista e votuesve në Maqedoni rezulton e diskutueshme.
Bie në sy se në zgjedhjet e 21 prillit për kryetar shteti, dy kandidatët sllavo-maqedonas kanë marrë numër pothuajse të barabartë votash. Kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski ka marrë 323.709 vota (42.84%) ndërsa kandidatja e VMRO-së, Gordana Siljanovska – 319.224 vota (42.24%). Pendarovski ka 4485 vota më tepër se oponenti i tij.
Shtrohet pyetja: sa vota ka marrë Pendarovski prej votuesve sllavo-maqedonas dhe sa të tilla, prej votuesve shqiptarë?
Bazuar në zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 11.12.2016 kur LSDM-ja fitoi 49 mandate, rezulton se në zgjedhjet e 21 prillit numri i votuesve sllavo-maqedonas për kandidatin e këtij subjekti politik, shënon rënie. Kjo rënie e numrit të votuesve sllavo-maqedonas për Pendarovskin tregon se një pjesë e elektoratit të këtij etniteti, nuk pajtohet me Marrëveshjen e Prespës, por as me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Me fjalë të tjera, një pjesë e elektoratit sllavo-maqedonas nuk është pajtuar me ndërrimin e emrit të shtetit. Shkaqet e pjesëmarrjes së vogël në votime, mediumet më prestigjioze të Perëndimit nuk i shohin te Marrëveshja e Prespës, por te faktorë të tjerë. S’do mend se arsyetimet e perëndimorëve janë politike. Duhet shtuar se VMRO-ja e ka kundërshtuar edhe zyrtarizimin e gjuhës shqipe.
Edhe pse kandidati i LSDM-së, Pendarovski, zyrtarisht u mbështet prej tri partive shqiptare – BDI-së, PDSH-së dhe Alternativës, numri i votave të elektoratit shqiptar për të, nuk është i madh, për të mos thënë është fare i vogël. Kjo mund të shihet edhe nga përqindja e ulët e daljes së shqiptarëve në votim, në komunat me shumicë shqiptare. Madje, edhe ata që kanë dalë të votojnë, kanë votuar kryesisht për kandidatin e Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes Besa – Blerim Rekën.
Fletëvotime të pavlefshme janë 32.811 (4.34%). Pjesa më e madhe e tyre mbase i përkasin elektoratit të tri partive shqiptare të sipërthëna të cilat zyrtarisht e mbështetën kandidatin e LSDM-së. Midis një kandidati shqiptar, Blerim Rekës dhe një tjetri, sllavo-maqedonas, Pendarovskit, këta “votues” nuk janë përcaktuar për asnjërin prej tyre. Pranë një kandidati shqiptar, në asnjë mënyrë nuk mund ta votoj kandidatin sllavo-maqedonas – mund të kenë thënë ata.
Është e mundur që një pjesë e shqiptarëve ta kenë votuar Pendarovskin pavarësisht nga tri partitë shqiptare që e mbështetën zyrtarisht atë. Nuk duhet harruar se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, LSDM-ja pati edhe një “trup votues” shqiptar.
Nuk është vështirë të konstatohet se BDI-ja, PDSH-ja dhe Alternativa nuk zhvilluan fushatë zgjedhore të mirëfilltë. Fushata e tyre ishte tejet e zbehtë. Tri partitë shqiptare të sipërthëna nuk e kanë pasur lehtë ta mbështesin me tërë potencialin e tyre një kandidat sllavo-maqedonas, pranë një kandidati shqiptar. Një fushatë e tyre për Pendarovskin dhe kundër Blerim Rekës, mund të ndikojë në rënien e rejtingut të tyre. Ata e dinë se sakaq do të pasojnë edhe zgjedhjet parlamentare, por edhe ato vendore. Ka të tillë që mbështetjen e Pendarovskit në dëm të Blerim Rekës e konsiderojnë si akt antikombëtar.
Stevo Pendarovski nuk është, as kandidat konsensual dhe as kandidat i qeverisë. Ai është kandidat i LSDM-së.
* * *
Për shqiptarët do të kishte qenë më mirë të dilnin me një kandidat të përbashkët shqiptar. Me fjalë të tjera:
– t’i lejohej Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa të nxirrnin apo të propozonin një kandidat shqiptar, p.sh. Blerim Rekën;
– BDI-ja, PDSH-ja dhe Alternativa duhej ta mbështetnin kandidatin e Aleancës për Shqiptarët dhe të Lëvizjes Besa;
– BDI-ja, PDSH-ja dhe Alternativa të arrinin një marrëveshje me Aleancën për Shqiptarët dhe me Lëvizjen Besa që në raundin e dytë ta mbështesin kandidatin e LSDM-së, Pendarovskin, i cili mbështetet edhe nga faktori ndërkombëtar influent, përkatësisht nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes.
Për një kandidat shqiptar, i tërë faktori politik shqiptar do të zhvillonte një fushatë të fuqishme me qëllim që numri i votave të shqiptarëve të ishte sa më i madh.
Nga një marrëveshje e këtillë do të përfitonin:

– BDI-ja, PDSH-ja dhe Alternativa, ngase nuk do të akuzoheshin si mbështetës të një kandidati sllavo-maqedonas, përballë një kandidati shqiptar;
– Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, ngase i tërë spektri politik shqiptar do ta mbështeste kandidatin e propozuar prej tyre;
– LSDM-ja dhe Pendarovski, ngase në raundin e dytë do të merrnin një sasi të konsiderueshme të votave shqiptare.
Shqiptarët do të manifestonin kapacitet politik dhe etnik dhe do të faktorizoheshin. Duhet pasur parasysh edhe faktin se mbështetja e kandidatit të LSDM-së prej votuesve shqiptarë, mund të ndikojë që një pjesë e votuesve sllavo-maqedonas, të mos e votojë atë.
* * *
Gjatë kësaj fushate ra në sy se kandidatët për kryetar shteti, më tepër flitnin për programe qeveritare sesa për kompetencat e një kryetari shteti. Programet qeveritare janë punë e partive dhe e liderëve partiakë, ndërsa kompetencat e kryetarit të shtetit në një vend me sistem gjysmë-presidencial siç është Maqedonia, janë të kufizuara.
Në bllokun sllavo-maqedonas bëhet garë midis LSDM-së dhe VMRO-së, se kush do të mbizotërojë në skenën politike. Është indikativë se në zgjedhjet vendore të fundit LSDM-ja fitoi pothuajse nëtë gjitha komunat. VMRO-ja mezi ia doli të fitojë vetëm katër katunde. Zgjedhjet e 21 prillit flasin për të kundërtën.
Në bllokun shqiptar s’kemi garë midis BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, por kemi tendencën e kësaj të dytës për të shtrirë ndikimin dhe për ta zgjeruar elektoratin e vet.
Për ta arritur një gjë të tillë, Aleanca për Shqiptarët nuk duhet të merret me çështje të konsumuara. Ky popull është i ngopur dhe i lodhur prej temave të tilla. Kryetari i kësaj partie, Zijadin Sela vite të tëra ka qenë në PDSH, ndaj kërkesat kombëtare të shqiptarëve është dashur t’i kishte zgjidhur me kohë ose të ishte shkëputur me kohë nga partia nënë. Aleanca për Shqiptarët e cila pretendon se është ajo që i del zot kauzës shqiptare, duhet të merret me programe ekonomike konkrete dhe jo me tema të konsumuara.
I mbështetur nga Aleanca për Shqiptarët dhe nga Lëvizja Besa, Blerim Reka mori numër respektabil votash – 79.921 sish. Krahasimet me numrin e votave që mori i ndjeri Muharrem Nexhipi në vitin 1999 – 155.978 vota si dhe Imer Selmani në vitin 2009 – 147.547 vota, janë pa vend. Blerim Reka dhe dy partitë që e mbështetën atë, janë fitues moralë.
Duhet theksuar po ashtu se prej qershorit të vitit 2006 e deri në korrik të vitit 2010, Blerim Reka ka qenë ambasador dhe shef misioni për Maqedoninë në BE. Duke qenë përfaqësues i këtij vendi në BE, ai i mbronte interesat e këtij vendi, ndërsa tani del me opinione dhe me prononcime diametralisht të kundërta. Ndaj shqiptarëve në Maqedoni pala sllavo-maqedonase ka ndjekur politikë restriktive dhe diskriminuese dhe ka zbatuar opresion gjatë tërë periudhës së pluralizmit, d.m.th. prej vitit 1991 e deri më sot, pra edhe në kohën kur Blerim Reka ka qenë ambasador në Bruksel. Një studiues që bën jetë kabineti dhe që ndërton karrierë akademike rrezikon të shndërrohet në oportunist dhe në konformist, me qëllim arritjeje të interesave vetanake meskine.
Opinionet se Aleanca për Shqiptarët ka luajtur me letrën e nacionalizmit shqiptar dhe të populizimit, janë fare të pabaza, siç janë të pabaza edhe prononcimet se Aleanca për Shqiptarët paskësh përdorur një retorikë fyese. Opinioni se Aleanca për Shqiptarët e paska rikthyer në skenë VMRO-në, është aq i pabazë saqë nuk vlen të diskutohet. In ultima linea, në vitet 2006-2008, në koalicion me VMRO-në ka qenë PDSH-ja, ndërsa prej vitit 2008 e këndej, në koalicion me të ka qenë BDI-ja.
* * *
Është për t’u habitur sesi Pendarovski nuk mori më shumë vota prej shqiptarëve, kur dihet se Zaevi e arriti Marrëveshjen e Prespës dhe e mbështeti Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Në raundin e dytë, d.m.th. në balotazhin e 5 majit, faktori shqiptar pa më të voglin dyshim duhet ta mbështesë Stevo Pendarovskin. Nuk ka dyshim se Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa do të thonë: “Në raundin e dytë, votuesit e Blerim Rekës le të votojnë sipas bindjeve të tyre”.
Gordana Siljanovska mbështetet nga një parti e pareformuar, me ideologji retrograde, anakronike, antihistorike dhe thellësisht antishqiptare. VMRO-ja vazhdon të jetë kundër Marrëveshjes së Prespës, rrjedhimisht edhe kundër integrimit në NATO dhe në BE. Nuk mjafton të deklarohesh për integrim në familjen perëndimore, nevojitet të kesh punuar dhe të kesh vepruar në këtë drejtim.
Të gjithë e dinë se çfarë rezistence i ka bërë VMRO-ja Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kryetari i kësaj partie, Hristijan Mickosvski dhe kandidatja e kësaj partie, Gordana Siljanovska, asnjëherë dhe me asnjë fjalë nuk janë distancuar nga politika antishqiptare e VMRO-së.
Hristijan Mickovski e konsideron kandidaten e VMRO-së, Gordana Siljanovskën fituese të zgjedhjeve për arsye se për të kanë votuar kryesisht sllavo-maqedonasit, ndërsa për Pendarovskin – edhe shqiptarët. Kur nga shuma e votave të Pendarovskit i heqim votat e shqiptarëve, del se Gordana Siljanovska është fituese. Me fjalë të tjera, për kryetarin e VMRO-së, Hristijan Mickovskin, vota me vlerë në Maqedoni janë vetëm votat e sllavo-maqedonasve. Votat e shqiptarëve ndërkaq nuk kanë kurrfarë vlere. Sipas tij, Maqedonia na qenkësh e sllavo-maqedonasve, ndërsa shqiptarët nuk janë veçse minoritet që duhet t’i binden popullit shtetformues. Sipas tij, votat e shqiptarëve çojnë peshë vetëm kur duhet të arrihet cenzusi apo objektivi nacionalist i VMRO-së.
Po të fitojë më 5 maj kandidatja e VMRO-së, atëherë Mickovski do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. Në këto rrethana ai mund t’i premtojë Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa përfshirjen në qeveri dhe krijimin e një koalicioni të ri qeveritar.
Këta që më 27 prill 2018 në Kuvendin e Maqedonisë e sulmuan fizikisht kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Selën, sot atij i kërkojnë vota. Shqiptarët në asnjë mënyrë nuk duhet të mbështesin opsionin që i bllokon proceset integruese. Fitorja eventuale e kandidates së VMRO-së, jo vetëm mund t’i prolongojë proceset në Maqedoni, por mund t’i kthejë edhe prapa. Fitorja e saj ia hap rrugën Rusisë për t’u penetruar në Maqedoni.
* * *
Problemet me të cilat ballafaqohet Maqedonia sot, nuk i ka krijuar Zoran Zaevi. Kryeministri i përtashëm ka trashëguar nga qeveria paraprake e VMRO-së dhe e BDI-së një shtet të kapur, me shkallë të lartë korrupsioni dhe me nepotizëm përmasash të gjera. Shteti i qeverisur nga VMRO-ja prej vitit 2006 e këndej, ka qenë në duart e dy personave të cilët kanë qeverisur në mënyrë autoritare dhe autokratike, në kundërshti me të gjitha rregullat e demokracisë. Për shtet ligjor apo për shtetin e së drejtës, as që mund të bëhet fjalë. Mickovski, më parë se të sulmojë qeverinë e përtashme të Zaevit, duhet t’i kritikojë paraardhësit e vet – Gruevskin dhe kabinetin e tij si dhe Sasho Mihajllkovin dhe të distancohet prej tyre. Problemet me të cilat ballafaqohet Maqedonia nuk janë krijuar sot. Ato janë grumbulluar ndër vite. Akulli i trashë një metër, nuk është bërë për një natë.
* * *
Pjesëmarrja e vogël në zgjedhjet e 21 prillit flet edhe për zhgënjimin, dëshpërimin, demoralizimin dhe deprimimin e thellë të qytetarëve të Maqedonisë, e veçanërisht të shqiptarëve. Qytetarët e këtij vendi e kanë humbur besimin tek institucionet e shtetit si dhe te klasa politike e këtij vendi. E ashtuquajtura klasë politike e Maqedonisë që e udhëheq këtë vend gati tri dekada, është fajtori kryesor i krizës politike, ekonomike, sociale dhe morale që e ka kapluar atë.
Shqiptarët në Maqedoni janë lodhur duke pritur Godonë. Kërkesat e tyre politike janë pritur në tehun e shpatës, ndërsa të drejtat e tyre janë matur në shtratin e Prokrustit. Për kërkesat e shqiptarëve nuk kanë dashur të dëgjojnë as LSDM-ja dhe as VMRO-ja. Zgjidhja paliative dhe e vonuar e çështjes shqiptare, ka ndikuar që shqiptarët sot të mos jenë të entuziazmuar nga arritjet e kohëve të fundit. Do çështje që u zgjidhën kohët e fundit, duhej të ishin zgjidhur para njëzet vitesh. Zvarritja e zgjidhjes së problemeve i vonoi proceset integruese të Maqedonisë dhe shkaktoi eksodin e të rinjve. Të mbetur pa shpresë dhe pa perspektivë, të rinjtë e këtij vendi ua mësynë rrugëve pa kthim të Evropës.
Edhe pas tri dekadave të pluralizmit, Maqedonia vazhdon të jetë në tranzicion. Që nga viti 1991 e deri më sot, në skenë janë të njëjtët njerëz. Shumë prej tyre, sidomos në bllokun shqiptar, janë diletantë dhe profesionalisht jokompetentë për dikasteret që i mbulojnë. Fjala reformë, për partitë politike, e sidomos për ato shqiptare, është një nocion i panjohur. Po qe se BDI-ja nuk reformohet, mund të shënojë rënie dhe të marrë tatëpjetën. Madje reformimi i saj është vonuar saqë tani mund të mos ketë efekt. Ndërkaq Aleanca për Shqiptarët, së cilës do të duhej t’i bashkëngjitej Lëvizja Besa, mund të shtrijë ndikimin dhe të zgjerojë elektoratin.
Kolona e BDI-së në Tetovë është oportuniste, konformiste dhe diletante. Ndërkaq kolona e BDI-së në Shkup, është pro LSDM-së dhe është instrument i saj. Me kolona të këtilla, BDI-ja mund ta përjetojë sindromin e PPD-së, d.m.th. të dalë nga skena.
* * *
Të gjithë duhet ta kenë të qartë se Maqedonia nuk mund të konsolidohet si shtet me këshilltarë të paguar dhe me mercenarë që hiqen si analistë politikë, misioni i të cilëve është përhapja e të pavërtetave dhe e gjysmë të vërtetave. Shteti stabil dhe demokratik nuk ndërtohet me gënjeshtrat e njerëzve të shitur e të blerë, që krijojnë mjegull në opinion.
Faktori politik shqiptar duhet të shikojë në mos ka në radhët e veta politikanë të kapur e që janë nën hipotekë. Një politikan i kapur e që është nën hipotekë, kurrë nuk mund të ndjekë politikë kombëtare. Ai mund të bëjë vetëm politikën e shpëtimit të kokës së vet.
BDI-ja ndërkaq, duhet të shikojë në ka në radhët e veta klane që pretendojnë të sillen edhe si fraksione, e që në momente të caktuara mund të jenë edhe destruktive.
* * *
Ndeshja midis LSDM-së dhe VMRO-së ka në qendër edhe Marrëveshjen e Prespës. Fitorja e Pendarovskit nënkupton se zgjidhja e kontestit lidhur me emrin, ka qenë e drejtë. Humbja e tij ndërkaq, do të dëshmonte për të kundërtën. Me humbjen eventuale të tij, dikush do të thoshte se marrëveshja midis Shkupit dhe Athinës paskësh qenë një hap i gabuar. Por, të gjithë e dinë se Marrëveshja e Prespës ka mbështetje ndërkombëtare dhe si e tillë është e paprekshme. Nën premisën që të ngadhënjejë Gordana Siljanovska, VMRO-ja do të trumbetojë se referendumi në Maqedoni për ndryshimin e emrit të shtetit, i mbajtur më 30.09.2018 – nuk kaloi.
Meqenëse në balotazhin e 5 majit nuk kemi kandidat shqiptar, është e mundur që dalja e shqiptarëve në votim të rritet dhe numri i votave të shqiptarëve për Pendarovskin – të shtohet. Mosdalja eventuale e votuesve të Blerim Rekës në zgjedhjet e 5 majit, mund të ndikojë që të mos arrihet cenzusi prej 40%.
Mund të vijë koha që kryetari i Maqedonisë të mos zgjidhet prej qytetarëve, por të zgjidhet në Kuvend, me 2/3 e votave të deputetëve, d.m.th. me 80 vota.
Në çfarëdo mënyre që të zgjidhet kryetari i Maqedonisë, pa votat e shqiptarëve kjo s’bëhet. Shqiptarët kurrë më nuk duhet të bëjnë gabime siç bënë kur e mbështetën kryetarin e përtashëm – Gjorgji Ivanovin, i cili nuk e njohu Marrëveshjen e Prespës dhe nuk e dekretoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Pikëpamjet se faktori politik shqiptar, votat shqiptare për kandidatin sllavo-maqedonas duhet t’i kushtëzojë, duke kërkuar që Maqedonia të ketë një nënkryetar shqiptar, janë të diskutueshme, për të mos thënë të pajustifikueshme. Mund të ndodhë që nënkryetari shqiptar të ketë ingjerenca, aq sa ka një përgjegjës shkolle. Në fund të fundit, mund të ndodhë që një ditë shqiptari të jetë, jo nënkryetar i Maqedonisë, por kryetar i saj.

@tn.lajmelokale
@tetovanews