Ballina Aktualitet A mund të bëhet “politikë” me Zotin?

A mund të bëhet “politikë” me Zotin?

Maqedonia e Veriut është vendi ku pjesërisht respektohen liritë fetare. Edhe pse në të shumtën e rasteve apostrofohet se feja keqpërdoret për motive të ndryshme grupore dhe politike, “uniformat” e bashkësive fetare thonë se ata bëjnë politikë vetëm me Zotin

Destan JONUZI

Shkup, 18 maj – Në Maqedoninë e Veriut, sipas raportit të fundit të Departamentit Amerikan (DASH) dhe organizatave tjera relevante ndërkombëtare, liritë dhe të drejtat fetare respektohen në përgjithësi, por vërejtjet për favorizim të një bashkësie fetare në dëm të një tjetre ende lënë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, ka raste kur liritë fetare keqpërdoren për qëllime të ndryshme të grupeve të caktuara, apo edhe politikës. Por, sipas drejtuesve fetarë, politika e “uniformave” fetare është që t’i afrojnë qytetarët me Zotin, dhe se politika e tyre është predikimi fetar.

Nga Bashkësisë Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut, thonë se Republika e Maqedonisë së Veriut është shtet shekullar dhe brenda këtij përcaktimi mund të thuhet se liritë fetare kryesisht respektohen, por përherë ka mundësi që gjërat të përmirësohen dhe të rritet cilësia e atyre lirive.

“Ne përherë ia kemi bërë të ditur opinionit pakënaqësitë tona me disa qëndrime jo të drejta ndaj BFI të cilat i kemi përjetuar si diskriminim dhe ndoshta edhe mosrespektim të lirive fetare. Shpresojmë sinqerisht që ato qëndrime do të mënjanohen sepse BFI dhe myslimanët janë element shumë i rëndësishëm për harmoninë e përgjithshme në vend. BFI përherë është përpjekur të respektojë atë vijën e kuqe që ndanë predikimin e sinqertë dhe të vërtetë të Islamit nga predikimi që mund të keqpërdoret. Dëshmoj dhe garantoj se nga strukturat e BFI dhe nga përfaqësuesit e saj zyrtarë as nuk ka pasur e as që do ketë ndonjëherë keqpërdorim të lirive fetare. Natyrisht, një gjë nuk mund ta themi kur bëhet fjalë për individë e grupe eventuale të cilat mund të veprojnë në emër të Islamit jashtë ombrellës së BFI dhe jashtë strukturave tona organizative. Për fat numri i tyre është tejet i vogël dhe ne s’mbajmë përgjegjësi për veprimet e tyre”, deklaruan për gazetën KOHA nga BFI.

Nga atje potencojnë se mbështetja për bashkësitë fetare është e obligueshme për një shtet si Maqedonia e Veriut, vend ky që vet Zoti e ka begatuar me multietnicitetin dhe multikonfesionalitet dhe shembuj të mbështetjes të bashkësive fetare kemi sa të doni në rajon e më gjerë pikërisht në shtete që po ashtu janë shekullare.

“Po, gjithsesi se edhe BFI dhe të gjitha bashkësitë tjera fetare duhet dhe meritojnë mbështetjen ngjashëm siç e ka Kisha Ortodokse. Po theksoj se të gjitha bashkësitë fetare duhet ti gëzojnë në mënyrë të barabartë edhe të drejtat, jo vetëm obligimet”, theksojnë nga BFI.

Ndërkaq, Sasho Nikollovski, prift i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut në një prononcim për gazetën KOHA, thotë se politika e tij është Krishti dhe se priftërinjtë gjithnjë qëndrojnë larg politikës.

“Prifti gjithnjë është jashtë politikës. Politika ime si prift është Krishti. Unë duhet që besimtarët t’i afrojë me Zotin, dhe politika ime është Zoti. Unë si gjithë qytetarët tjerë kam të drejtë të votoi dhe të kem ndonjë mendim kë të mbështesë, por kjo nuk do të thotë se unë duhet që edhe besimtarëve t’ua imponoj mendimin apo bindjen time. Në këtë çështje gjithnjë shohim që mos përzihemi. Kur shkoj nëpër shtëpitë e besimtarëve mundohem t’ua sqaroj çështjet fetare dhe ti afrojë me Zotin, e jo t’u them se për cilën parti të votojnë, apo kë të mbështesin”, deklaroi prifti Nikollovski.

Ai vlerëson se ajo që duhet të ndahet në përditshmëri me bashkësitë tjera fetare, imponon komunikimin reciprok.

“Përditshmëria na imponon komunikimin reciprok. Por, ne kemi kanune deri ku mund të shkojë ai komunikim. Ne nuk mund të rreshtohemi në një lutje të përbashkët. Zoti na ka krijuar që të jetojmë në një rreth të përbashkët, kështu që detyrimisht duhet të komunikojmë dhe bashkëpunojmë me dallimet tona. Pra, është i nevojshëm komunikimi”, thekson Sasho Nikollovski, prift i Kishës Ortodokse të Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër, Marjan Ristov, shef i kabinetit të Peshkopit të Kishës Katolike, Kiro Stojanov, tha për gazetën KOHA se shteti është i ndarë nga Kisha, punët tona janë religjioze dhe tjetër gjë nuk u intereson.

“Normal që liritë fetare respektohen. Besimtarët e respektojnë njëri tjetrin. Mund të ketë edhe raste të caktuara, por në përgjithësi liritë fetare respektohen. Kisha jonë nuk i keqpërdorë në asnjë mënyrë liritë e saj fetare. Ne nuk përzihemi në çështje politike. Ne shohim punët e kishës, që të bëjmë atë që edhe e kemi mision, tjetër gjë nuk na intereson. Shteti është i ndarë nga kisha. Ka shtete ku bashkësitë fetare kanë mbështetje nga shteti, ndërsa këtu tek ne nuk kemi”, deklaroi Marjan Ristov nga Kisha Katolike e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin e tij të fundit për lirit fetare për vitin 2017, të publikuar në muajin maj të vitit 2018, konstaton se në Maqedoninë e Veriut edhe pse në përgjithësi respektohen lirit dhe të drejtat fetare, përsëri theksohet se dallimet fetare vazhdojnë të jenë prezent në procese civile dhe penale gjyqësore.

Siç shkruan në raportin e DASH, Bashkësia Fetare Islame (BFI) ka vërejtje se Qeveria e favorizon Kishën Ortodokse Maqedonisë, ndërsa bashkësitë më të vogla fetare kanë paraqitur trajtim jo të barabartë në raport me 5 bashkësitë fetare që njihen me Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Raporti i DASH për liritë fetare në vitin 2018 pritet që të publikohet së shpejti. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews