Ballina Top Lajm Kurthi i komedianëve rusë, Zoran Zaev: Ndarja e Kosovës, skenar rus (VIDEO)

Kurthi i komedianëve rusë, Zoran Zaev: Ndarja e Kosovës, skenar rus (VIDEO)

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev është vënë në shënjestër të dy humoristëve rusë, Vlladimir Kuzencov dhe Leksus Aleksej Stollarov të cilët përmes telefonit i janë prezentuar si ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko dhe Sekretari i Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Një gjë e tillë, bëri bujë në Shkup pasi Zaev në bisedë dëgjohet duke folur për gjëra të konsideruara si sekrete shtetërore për çka ka reaguar ashpër opozita maqedonase. Zaev gjatë një konference shtypi sot kërkoi falje duke thënë se ishte bërë viktimë e mashtruesve me orientime anti-NATO.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u kishte besuar telefonatave në fund të gushtit 2018 dhe në janar të 2019-s nga persona të prezantuar si ish-presidenti ukrainas Petër Poroshenko dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg. Ai e kuptoi mashtrimin vetëm pasi dy humoristët e njohur rusë Vovan dhe Leksus e publikuan këtë të hënë mbrëmje në youtube bisedën telefonike.

Komikët rusë duke u shtirur si Poroshenko, i thonë Zaev se do të mund të ndihmonin në lidhje me njohjen e autoqefalisë së Kishës ortodokse maqedonase por se për këtë duhej t’i paguante 100 mijë euro Patriarkut Bartolomej, me çka kreu i qeverisë maqedonase duket të ishte pajtuar.

Në bisedën telefonike flitet edhe për çështje si Marrëveshja e Prespës, raportet me Rusinë, BE-në e NATO-n, teksa Zaev shprehet i shqetësuar për ngjarjet midis Kosovës dhe Serbisë, për çka dëgjohet duke thënë se “ato po përpiqen të shkëmbejnë territore” duke u hamendësuar nga ana tjetër se këtu mund të ketë ndikim rus dhe duke theksuar frikën për të ardhmen e Ballkanit.

Zaev reagoi këtë të martë dhe u shpreh se thotë se ishte bërë viktimë e strukturave mirë të organizuara qëllimi i të cilave është që t’i shkaktojnë dëme direkte interesave strategjike Maqedonisë së Veriut në lidhje me integrimin në NATO. “Manipulimet, – shton Zaev, – vinin nga media propaganduese me orientim anti-Nato për shtrirjen e ndikimit të palëve të treta”.

Kryeministri maqedonas pranon se nuk ishte viktima e parë e këtyre mashtruesve dhe se para tij në shënjestër të këtyre manipulimeve kishin qenë Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, ish-ministri i jashtëm britanik Boris Johnson dhe personalitete të tjera të jetës politike apo shou-biznesit. Opozita e drejtuar nga VMRO-DMNE-ja e ka quajtur një skandal serioz bisedën e kryeministrit me dy mashtruesit rusë, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e Zaev dhe të ministrit të jashtëm Nikolla Dimitrov për shkak të lëshimeve në protokollin diplomatik.

Kryeministri Zaev i hodhi poshtë akuzat se kishte folur për sekrete shtetërore në këto biseda të manipuluara me telefon. Ndërkaq, la të kuptohej se qeveria e tij do ta shqyrtojë mundësinë e ndryshimeve të protokolleve në lidhje me sigurinë e komunikimit dhe kundër përhapjes së dizinformatave.

Biseda e zbardhur në shqip:

Zaev: Alo

Poroshenko (i rremë): Alo, përshëndetje zoti Kryeministër jam shumë i lumtur që ju dëgjoj

Zaev: Është kënaqësia ime, Zorani po ju flet! Zoti President ju jeni?

Poroshenko: Po unë jam. Shpresoj që koha të jetë e mirë në Maqedoni…

Zaev: Po e mirë, është verë si është koha në Ukrainë?

Poroshenko: Është pak ftohtë, por shpresoj të kemi mot të mirë ditët në vijim.

(Më tej gjatë bisedës “Poroshenko i rremë” e përgëzon për marrëveshjen me Greqinë, firmosjen e të cilës Zaev e konsideron si mjaft të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë)

Zaev: Unë dua të ndaj një shqetësim që kam për diçka që po ndodh këtu në rajonin tonë, ku Presidenti i Serbisë dhe Presidenti i Kosovës, kanë nisur disa negociata për ndarjen e territoreve dhe ndryshimin e kufijve. Ne jemi shumë kundër kësaj, kancerlarja Merkel është shumë kundër kësaj, i gjithë rajoni është kundër sepse ne kemi frikë se ka disa qëllime të fshehura të Rusisë për të përdorur këtë si një praktikë ndërkombëtare. Unë dua që t’iu vë në dijeni juve që të jeni të fokusuar, sepse unë dje kam folur me kancelaren Merkel për këtë ne kemi pasur gjysëm ore bisedë telefonike për këtë çështje sepse unë e shikoj që dikush kërkon ta përdorë këtë fenomen si një praktikë të re ndërkombëtare për të ndryshuar kufijtë dhe që janë vende që kanë plane të lidhura në këtë drejtim siç është rasti i Turqisë me Qipron apo si Rusia me Abkazinë dhe Ukrainën. Unë jam shumë i shqetësuar se këtoj lloj hapash do të përbëjnë një dëm të madh si rajonit tuaj ashtu edhe tonit. Ne jemi komplet kundër këtij modeli dhe ne do të bëjmë gjithçka. Ne kemi informuar forcat politike amerikane. Madje unë kam informur edhe vetë Zv/ Presidentin Pence dhe shefin e Departamentit Amerikan Z. Pompeo. Por ne i kemi kërkuar zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian dhe sidomos zonjës Mogherini që të ndalojë këtë lloj aktiviteti sepse do t’i shkakojë një dëm të madh Ballkanit.

Poroshenko i rremë: Po çfarë ka bërë Rusia në këtë drejtim?

Zaev: Serbia është shumë e lidhur me Rusinë, normal që ata e kanë atë lloj raporti. Por për momentin problemi është me Kosovën. Mbase ju e dini këtë çështje. Zgjidhja që po diskutojnë është që 10 komuna në pjesën veriore të Kosovës t’i jepen Serbisë, dhe disa komuna në jug të Serbisë t’i jepen Kosovës. Ky është ndryshim kufijsh dhe nuk është i mundur sepse përtej vijave të reja kufitare sërish ka andej e këtij kufirit si serbë edhe kosovarë dhe kjo vetëm se do të prodhonte luftëra. Ballkani do të ishte sërish një fuçi baruti. Por përtej kësaj. Unë kam parë aktivitet të mundshëm, ndoshta unë jam gabim por ne duhet të jemi të fokusuar sepse disa forcat në Rusi dhe por edhe Turqia kërkojnë ta përdorin këtë si një praktikë të re ndërkombëtare, Rusia për Abkazinë dhe Turqia për Qipron dhe problemet që kanë me Greqinë.

@tn.lajmelokale
@tetovanews