Ballina Aktualitet Gazetarët e Kosovës mbështesin gazetarët e Shqipërisë: Projektligjet cenojnë lirinë e shprehjes

Gazetarët e Kosovës mbështesin gazetarët e Shqipërisë: Projektligjet cenojnë lirinë e shprehjes

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në mbështetje të gazetarëve të Shqipërisë, i bën thirrje qeverisë Rama të tërhiqet nga projektligjet për median.

Në një deklaratë për media, AGK shkruan se këto projekligje do të kishin një ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri:

“Me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për mediat audiovizuale dhe Ligjin për komunikimet elektronike, Autoriteti i Medieve Shqiptare (AMA) dhe Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike (AKEP) do të lejohen të bllokojnë menjëherë faqet e internetit të medieve, të vendosin gjoba të papërballueshme për gazetarët dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve.

AGK vlerëson se këto dy drafte e censurojnë drejtpërdrejt median online dhe rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes. E drejta e fjalës, në çdo vend demokratik trajtohet nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.”

Deklarata kujton se Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias Harlem Desir dhe disa organizata ndërkombëtare dhe vendore i kanë kritikuar gjithashtu projektligjet:

“Thirrjes për tërheqjen e dy projektligjeve që kërcënojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, i janë bashkuar edhe Federatat Evropiane dhe Ndërkombëtare të Gazetarëve (EFJ / IFJ). Sipas tyre propozimet nuk janë në përputhje me praktikat më të mira të vetë-rregullimit dhe do të kishin një ndikim negativ në lirinë e shprehjes në Shqipëri.”

Kundër projektligjeve të medias, gazetarët kanë paralajmëruar protesta më 18 dhe 19 dhjetor.

@tn.lajmelokale
@tetovanews