Ballina Aktualitet Meta fton për konsultim partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve të...

Meta fton për konsultim partitë për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore

Presidenti Ilir Meta i ka bërë një ftesë publike partive parlamentare që të marrin pjesë në një konsultim për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki pa kryetarë.

Pak ditë më parë, presidenti Ilir Meta tha se i ka dërguar një letër Komisionerit Zgjedhor për të marrë informacion mbi bashkitë që nuk kanë kryetar në mënyrë që të vijohet më pas me procedurat që ndjekin për zgjedhjen e krerëve të tyre.
Në shkresën e saj, KQZ theksoi se janë 2 bashki për të cilat është njoftuar në rrugë institucionale për vakancën atë të Shkodrës dhe atë Dibrës. Ndërsa në bashkinë e Vorës mandati i ish-kryetarit Agim Kajmaku u shpall i pavlefshëm.

Ndërkohë që për rastet e tre bashkive të tjera, këshillat bashkiakë sipas ligjit kanë vënë në dijeni vetëm këshillin e ministrave dhe jo Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Në rastin e Shkodrës, kemi bërë me dorëheqje të kandidatit Valdrin Pjetri për të cilën ka vënë në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Një precedent i ngjashëm është edhe ai në bashkinë e Durrësit ku kryetarja Valbona Sako u dorëhoq nga posti pas deklaratës së bërë pas tërmetit të 26 Nëntorit, por në këtë rast KQZ nuk është vënë në dijeni.

Në Bashkinë e Lushnjes, Fatos Tushe u shkarkua me vendim të kryeministrit Edi Rama pas arrestimit për shkelje në tendera. Një rast i veçantë është ai i Rrogozhinës, kur kryebashkiaku Haxhi Memolla ndërroi jetë si pasojë e një arresti kardiak duke lënë bosh postin e kryetarit.

Për shkak të rrethanave, procesi për shpalljen e vakancës në këto bashki nuk është kaluar përmes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Tashmë presidenti do duhet të kërkojë informacion në kryeministri, pasi ky institucion e monitoron këtë proces përmes prefektëve.

Bashkitë që kanë mbetur pa kryetar

1- Bashkia e Shkodrës – Pasi kryetari i dalë nga zgjedhjet, Valdrin Pjetri ra në “rrjetën” e dekriminalizmit.

2- Bashkia e Vorës – Pasi kryetari Agim Kajmaku, po ashtu “u dogj” nga dekriminalizmi.

3- Bashkia e Durrësit – Pasi Valbona Sako dha dorëheqjen pas tërmetit të nëntorit.

4- Bashkia e Rrogozhinës – Pasi kryetari Haxhi Memolla ndërroi jetë.

5- Bashkia e Dibrës – Pasi Dionis Ymeri la postin për të kandiduar si deputet.

6 – Bashkia e Lushnjës – Pasi Fatos Tushe u shkarkuar nga kryeministri Edi Rama, pas arrestimit për korrupsion.

/abcnews.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews